Pas konstituimit të Kuvendit, socialistët miratuan sot vetëm me votat e tyre ndryshimin e rregullores së Kuvendit, që pasqyron strukturën e re me 11 komisione të përhershme parlamentare. Kjo temë ka qenë në fokus të emisionit ‘Repolitix’ në Report Tv mbrëmjen e sotme, ku juristi Indrit Sefa tha se opozita ka marrë 4 komisione me rëndësi. Sipas tij, pavarësisht se kush e drejton një komision shumicën e votave i ka mazhoranca.
‘Komisionet e përhershme parlamentare janë të përcaktuar në rregullore dhe ne kemi pas komisione të përhershme që kanë qenë 8 dhe sot mazhoranca ka luksin për të kërkuar një strukturim ka bërë një shtim të komisioneve. Deri dje kemi pas 8 komisione nga të cilat 5 i kishte mazhoranca dhe 3 opozita, ne sot kemi 11 pra 7 me 4 janë shtuar 2 mazhorancës dhe dy opozitës. Opozita e ka pranuar këtë sa kohë ka zgjedhur edhe kryetarët, por rëndësi ka produkti dhe jo numri në këto komisione. Votat i ka mazhoranca pavarsisht se kush e ka kryetarin. Po opozita ka marrë 4 komisione me rëndësi’, tha ai.
Të njëjtin qëndrim me Sefën pati edhe gazetari Flogert Muça. Ai tha se pavarësisht bojkotit të opozitës mazhoranca ka pasur shumicën në komisione.
‘Partia Demokratikë e nisi dobët, në Kuvend nuk kishte as bilbila, asgjë dhe kishte një çorganizim të madh. Kjo bashkëqeverisje që po bënë Rama me Berishën, ku Kodin Penal e bëjnë si duan vet, reformën territoriale bashkë, edhe ajo 101 deputetë besoj se do të bëhet. Mazhoranca edhe kur s’ka dashur opozita, i ka miratuar sepse ka shumicën e votave edhe pse ka qenë kryetar i opozitës në krye të komisionit’, tha ai.
Deputeti i ‘Lëvizjes Bashkë’ Redi Muçi, tha se parlamenti po tenton që të polarizohet në dy parti PD dhe PS. Ai tha se mazhoranca duhet që të ulej në tryezë diskutimi me opozitën lidhur me ndryshimin e numrit të komisioneve.
‘Nga një anë ne këtu kemi një opozitë që përpiqet që të bëjë një lloj shoë që nuk njeh zgjedhjet e bënë betimin dhe ulet në kuvend dhe duket sikur mazhoranca që nga asambleja e PS ka një sjellje arrogante. Përderisa e gjykon të nevojshme ndryshimin e numrit të komisionet të ftonte një tryezë diskutimi edhe opozitën. Parlamenti tenton që të polarizohet në PD dhe PS. Lidhur me futjen time në komisione, unë kam bërë kërkesë drejtuar Niko Peleshit, për t’u përfshirë në Komisionin e Ligjeve dhe ende s’kam marr një përgjigje’, tha ai.
Për ish- deputetin Ralf Gjoni mazhoranca duhet që të kishte arritur një konsensus me opozitën.
‘Ky është një parlament me deputetë të pafytyrë dhe që më shumë vëmendje i kushtojnë takave dhe veshjeve dhe unë e shoh si një sfilat mode. Deputetët që u zgjodhën nuk dinë të mbajnë as fjalime, hartojnë fjalime me Chatgdp.
Fryma që filloi seanca plenare në Kuvend sot ishte fryma e gabuar, mazhoranca duhet të ishte më tolerante sepse duhet edhe konsensusi i opozitës. Por, s’ishte mënyra që të nisej me një procedurë të përshpejtuar që zgjati 10 minuta. Po kjo PD mban në pushtet Edi Ramën’, tha ai.
Në mandatin e katërt qeverisës, kryeministri Edi Rama kërkon të ribëjë një nga reformat më të rëndësishme të qeverisjes vendore, reformën territoriale. Lidhur me këtë deputeti i ‘Lëvizjes Bashkë’ Redi Muçi, tha në Report Tv se kryeministri Rama po e bën këtë për të fuqizuar pushtetin e tij.
‘Sa herë Rama ndërmerr reforma administrative territoriale e bënë në funksion të fuqëzimit të pushtetit të tij për t’ja lehtësuar edhe marrjen e një numri më të madh deputetësh. Ai ka bërë kalkulimet e veta politike edhe kjo reformë këtë qëllim ka për mua. Nëse PD i shkon nga pas Ramës kjo tregon se duan që ta kthejnë vendin në një sistem dy partiak, ku Partia Demokratike do të ketë gjithmonë rolin e opozitës dhe Partia Socialiste atë të mazhorancës’, tha ai.
Komente
