Nga 50 mandate që Partia Demokratike dhe aleatët e saj arritën të fitonin nga beteja elektorale e 11 majit, vetëm 14 prej tyre ulen për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesa dërrmuese e grupit parlamentar opozitar në legjislaturën e ardhshme janë ose të rikthyer, ose të rikonfirmuar për një mandat të radhës.
Megjithatë, edhe në mesin e këtyre 14 emrave të rinj, jo të gjithë janë rishtazi në politikë, pasi pjesa më e madhe e tyre prej vitesh janë të angazhuar ose te Partia Demokratike ose te aleatët që i propozuan.
2 që spikatin në këtë 14-she, Gjin Gjoni deputet i zgjedhur i Lezhës dhe Arjan Ndoj i zgjedhur në Durrës nga rradhët e demokratëve, janë figura që vijnë nga sistemi i drejtësisë. Me ngeljen në klasë në zbatimin e ligjit, tranferohen në karriget e ligjbërësve.
Ish gjyqtari Gjin Gjoni u largua nga sistemi i drejtësisë pasi shmangu Vettingun ndërsa ish prokurori Arjan Ndoja, ngeci në Vetting, të dy të shumëfolur për pasuri të pajustifikuara dhe lidhje me botën e krimit.
Nga Qarku i Durrësit, për herë të parë në parlament ulen edhe Manjola Luku, farmaciste e Artan Luku, një sipërmarrës durrsak, i zgjedhur deputet nga rradhët e Agrarëve. Nga fusha e biznesit vjen edhe deputeti i ri i Shkodrës Kliti Hoti.
Të gjitha figurat e tjera që futen rishtazi në Kuvend janë rekrutuar nga brenda Partisë. Mjeku Zija Ismaili, deputet i Beratit vjen pas një sërë angazhimesh në PD, deputetja e zgjedhur në Dibër Denisa Vata mbajti deri vonë postin e kryetares së PD në Mat.
Nga Qarku i Elbasanit, PD çon për herë të parë në parlament dy emra, ish kreun e degës lokale Blendi Himçin dhe Klodiana Çapjan, drejtoreshë e një kompanie të njohur ndërtimi.
Korça po ashtu nga radhët e demokratëve çon në Kuvend dy ligjvënës të rinj. Ivi Kason, jurist, që ka mbajtur për vite të tëra peshën e përfaqësuesit ligjor dhe zgjedhor të selisë blu dhe Fidel Krekën, më i votuari mes listës opozitare, i vetëpunësuar por edhe viteve të tëra angazhim në PD.
Nga Qarku më i madh i vendit Tirana, po ashtu ka vetëm 2 emra të rinj, Besart Xhaferri, konsulent arsimi e njëherësh kryetari i Forumit Rinor në PD dhe Tedi Blushi, ish gazetar, ish këshilltar i Ilir Metës në Presidencë dhe numri 2 i partisë së tij. Po ashtu, Partia e Lirisë fut në parlament për herë të parë mësuesen Brunilda Haxhiu, që do të përfaqësojë Qarkun e Fierit.
Komente

Gjin Gjoni nga më të korruptuarit e sistemit të vjetër të drejtësisë u hodh nga dritarja për t'iu shmangur vetingut, pa pësuar ndonje pasojë dhe ja ku futet nga dera në politikën aktive në parlamentin e ri si deputet, mender i thënçin!!! Ky Ndoji shok i Gjinit!
Përgjigju