Bajram Begaj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Politikë

11 Maj/ Presidenti Begaj: Votoni për të vendosur të ardhmen e Shqipërisë! Institucionet të garantojnë zgjedhje të lira! Test pjekurie politike

9 Maj, 14:41| Përditesimi: 9 Maj, 15:00

  • Share

Dy ditë para zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dhënë një mesazh për qytetarët, duke i bërë thirrje që të ushtrojnë të drejtën e votës me përgjegjësi, dinjitet dhe në një atmosferë paqësore.

Begaj gjatë takimit me vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-së në prezencë të Michael Ghaler ka thekuar rëndësinë e ditës së votime në 11 maji, duke e konsideruar si një mundësi për qytetarët për të vendosur mbi të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë.

Në deklaratën për media, Presidenti Begaj u bëri thirrje institucioneve të sigurojnë një proces zgjedhor të ndershëm, të lira dhe të paanshëm, duke nënvizuar se vetëm përmes një procesi të tillë mund të ndërtohet besimi i qytetarëve në shtet dhe institucione.

Ai shtoi se zgjedhjet e 11 majit janë një test i rëndësishëm për pjekurinë politike, jo vetëm për qytetarët, por edhe për faktorin politik të vendit.

“Zgjedhjet nuk janë vetëm një ushtrim demokracie, por janë gjithashtu një mundësi për të treguar pjekuri dhe përgjegjësi për të ardhmen e vendit. Unë besoj se populli shqiptar meriton më të mirën, një proces zgjedhor që i shërben interesit publik dhe që përfaqëson vullnetin e lirë të qytetarëve”, tha Begaj.

Në mbyllje të mesazhit të tij, Presidenti apeloi që dita e 11 majit të shërbejë si një festë e qytetarisë dhe angazhimit për të ardhmen demokratike të Shqipërisë, duke kërkuar që çdo qytetar të votojë me dinjitet dhe të përdorë votën si një mundësi për të ndikuar në fatin e tij dhe të brezave që do të vijnë.

Mesazhi i Presidentit Bajram Begaj: 

Të dashur qytetarë,

Sot, dua t’ju drejtohem me një mesazh të posaçëm:

11 maji është një ditë e veçantë për secilin prej jush. Në këtë ditë ju keni mundësinë dhe të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen tuaj, të familjes dhe të Shqipërisë sonë të përbashkët.

Unë ju ftoj të ushtroni të drejtën tuaj për të votuar ditën e diel me qetësi, përgjegjësi dhe dinjitet! Të gjithë së bashku mund ta kthejmë këtë proces në një shembull të qytetarisë, të transparencës dhe të pjekurisë demokratike, sepse demokracia nuk është thjesht një ditë votimi, është një angazhim i përditshëm që nis me pjesëmarrjen dhe kulmon me përgjegjësinë.

Institucionet kanë një detyrim të qartë dhe të panegociueshëm: të garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të qeta. Vetëm përmes një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të besueshëm ndërtohet besimi i qytetarëve te shteti, tek institucioni i votës dhe te vetë e ardhmja demokratike e vendit tonë.

Unë besoj thellësisht se populli shqiptar meriton më të mirën. Meritoni një proces zgjedhor që përfaqëson vullnetin tuaj të lirë, që respekton ligjin dhe që i shërben vetëm interesit publik.

Zgjedhjet e 11 majit nuk janë vetëm  ushtrim demokracie, por janë test i rëndësishëm pjekurie politike për qytetarët dhe faktorin politik.

Ndaj, si  përfaqësuesi juaj, ju kërkoj me zemër që 11 majin ta ktheni në ditë feste dhe angazhimi qytetar në emër të demokracisë dhe të shpresës për të ardhmen. Vota është zëri juaj. Përdoreni me dinjitet, sepse përmes saj ju merrni në dorë fatin tuaj dhe të brezave që do të vijnë.

Pavarësisht sfidave që mund të hasim, unë kam besim se ne mund dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar, të palëkundur në përkushtimin tonë për një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe më demokratike.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?