Tiranë

Opinion

11 minibashkitë e kryeqytetit – letër lakmusi për opozitën!

26 Maj 2021, 11:08| Përditesimi: 26 Maj 2021, 11:15

  • Share

Për shumë arsye, rezultatet e zgjedhjeve në 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit mund të shërbejnë si një letër lakmusi për zgjedhjet që mbaruan e ato që do të vijnë. Disa nga arësyet më të rëndësishmet janë të renditura në vijim:

Problemet që kanë konstatuar vëzhguesit e OSBE/ODHIR-it në mënyrë periodike në zgjedhjet shqiptare kanë qenë të lokalizuara në provinca të ndryshme apo në bashki/fshatra të tjera të qarkut Tiranë, por asnjëherë në kryeqytet (përjashtim bën vetëm viti 1996).

Rezultati elektoral në 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit ka qenë gjithnjë barometër politik i zgjedhjeve të rradhës dhe atyre pasardhëse, ngaqë kryeqyteti përbën një konglomerat demografik të krahinave të Shqipërisë.

Vetëm 10 vjet më parë, gara elektorale në kryeqytet përfundoi me fotofinish (ku edhe ambasadori amerikan përveshi mëngët në numërimin e votave…). Në atë garë, PD, LSI, PDIU etj përkrahën Bashën për kryebashkiak, ndërsa PS, PSD, etj. përkrahën Ramën.

Historikisht, në 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit, është regjistruar përqindja më e ulët e votave të pavlefshme (përjashtim bën vetëm viti 2019, kur opozita i bojkotoi zgjedhjet lokale). Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, vetëm 2.2% e votave në 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit dolën të pavlefshme (në rang republike, dolën 5.1% të pavlefshme).

Pavarsisht ndryshimeve e lëvizjeve demografike në 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit, nuk ka ndryshuar shumë numri i pjesëmarrësve në zgjedhjet gjatë dekadës së fundit – rreth 253 mijë vota të vlefshme ishin më 2011; rreth 285 mijë ishin më 2021.

Duke mbajtur parasysh faktorët e mësipërm, vlen të analizojmë rezultatet e 25 prillit 2021 për 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit.

Si kudo në Shqipëri, PD-ja pati një rritje të ndjeshme të peshës elektorale në kryeqytet – mori 38.2% të votave, nga 28.2% që kishte marrë para 4 vjetësh. Por kjo rritje 10-pikëshe erdhi kryesisht në kurriz të LSI-së, së cilës iu përgjysmua pesha e saj elektorale (si dhe pjesërisht në sajë të PDIU-së, që u shkri me listat e PD-së kësaj here). Nga ana tjetër, PS-ja mori 49.2% të votave (nga 51.2% para 4 vjetësh), sepse në kurriz të saj u rrit aleatja e vogël PSD.

Sidoqoftë, nqs bëjmë një krahasim me zgjedhjet e 2011-ës, kur partitë politike ishin të rreshtuara në mbështetje të Ramës apo Bashës njësoj si sot, vëmë re se PS+PSD morën më 25 prill 51.7% të votave dhe PD+LSI 44.3% (partitë e vogla në mes morën 4%).

Vetëm në tre minibashki, PS+PSD nuk arritën ta kalojnë 50-përqindëshin e votave të vlefshme (në minibashkitë 8, 9 dhe 11), ndërkohë që rezultatin më të lartë e arritën në minibashkinë 1, me 55.5% të votave. Nga ana tjetër, PD+LSI arritën ta kalojnë 50-përqindëshin vetëm në minibashkinë 8, me 51.5% të votave.

E detajuar analiza e mësipërme është ilustruar në grafikun dhe tabelën e mëposhtme, të cilat duhen analizuar me vemndje nga kushdo që don të jetë kryetari apo kryetarja e PD-së më 13 qershor…

Grafiku 1

Tabela 1. Peshat elektorale në 11 minibashkitë e kryeqytetit më 25 prill

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?