Kronikë

11 tetor fillon viti i ri akademik, Kushi apel studentëve për vaksinimin: Zgjidhja më e mirë për rikthimin në auditorë, të tregojmë nivel të lartë përgjegjshmërie

17 Shtator 2021, 16:24| Përditesimi: 17 Shtator 2021, 16:38

  • Share

Teksa viti i ri akademik fillon më 11 tetor, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjete sociale, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, së bashku me studentë e pedagogë, kanë bërë një apel për rëndësinë e veçantë që i duhet kushtuar vaksinimit përgjatë këtij muaji me qëllim rikthimin sa më parë normalitetit dhe jetës akademike në auditorët e universiteteve.

Ndërsa ndalet tek sakrifica e madhe vitin e kaluar me mësimin “online”, njëlloj si në mbarë botën, Ministrja Kushi falënderon fillimisht të gjithë studentët e pedagogët për durimin dhe mirëkuptimin e treguar nga ana e tyre në të gjitha universitetet për bashkëpunimin dhe përshtatjen në një kohë rekord me kushtet e reja. Ndërkohë, ajo shprehet se sot kemi një situatë tjetër për shkak të procesit të vaksinimit.

“E ndërkohë sot, fatmirësisht kemi një situatë krejt tjetër. Edhe pse lufta me pandeminë vazhdon, procesi i vaksinimit masiv po na ndihmon të shkojmë drejt normalitetit në shumë fusha të jetës, përfshirë edhe arsimin, ku tashmë shumica e mësuesve, pedagogëve e studentëve në të gjithë vendin i janë bashkuar çdo ditë e më shumë kësaj fushate”.

Në video-mesazh, Kushi nënvizon rëndësinë e të qenurit të gjithë bashkë duke treguar nivel të lartë përgjegjshmërie dhe qytetarie përmes vaksinimit.

“Sepse koha kërkon që të jemi të gjithë bashkë, të tregojmë nivel më të lartë përgjegjshmërie e qytetarie. Nëse dje, mbyllja e auditorëve ishte një emergjencë shëndetësore, sot hapja e tyre është po aq e rëndësishme dhe e domosdoshme. Prandaj, për të arritur këtë, dua t’ju rikujtoj edhe njëherë vendimin e ekspertëve të shëndetësisë që të gjithë studentët dhe pedagogët do të jenë të mirëpritur të hyjnë në auditorë për të zhvilluar jetën universitare pasi të kenë dorëzuar certifikatën e vaksinimit. Dhe natyrisht, duke respektuar të gjitha protokollet e miratuara shëndetësore. Testi periodik i PCR mund të jetë një opsion i pranueshëm, por unë ju rekomandoj me shumë këmbëngulje vaksinimin si zgjidhjen më të mirë për të gjithë ne, duke u bazuar edhe në rezultatet e shkencës, por edhe në praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara”, tha Kushi.

Në fund të video-mesazhit, përsëritet apeli i studentëve dhe pedagogëve për t’u vaksinuar me qëllim mbrojtjen e vetes, bashkëmoshatarëve, kolegëve, familjarëve etj., teksa Ministrja Kushi shpreh besimin e saj se studentët e pedagogët ende të pavaksinuar do të përmbushin shumë shpejt e me sukses këtë përgjegjësi e  detyrë patriotike për një të ardhme më të mirë e më të sigurt. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?