Kronikë

11 vatra aktive zjarri në vend, ende problematike situata në Majën e Rrunës! Flakët janë përhapur edhe në fshatin Lundre në Ulëz, ndërhyhet nga ajri me helikopter

24 Gusht 2021, 09:55| Përditesimi: 24 Gusht 2021, 16:07

  • Share

11 vatra zjarri janë ende aktive në vend, ndërsa më problematike situata paraqitet në Majën e Rrunës dhe në fshatin Lundre në Ulëz. Maja e Rrunës ndodhet prej gati 3 javësh nën 'pushtetin' e flakëve, ndërsa Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata më problematike është në Majën e Zezë. Në zonë për shuarjen e flakëve po punon një helikopter holandez si dhe janë angazhuar 30 trupa te Forcave te Armatosura.

Në qarkun e Dibrës, zjarri po përhapet në fshatin Lundre, njësia administrative Ulëz. Era ka ndihmuar në përhapjen e flakëve, ndërsa për neutralizimin e situatës po punon një helikopter holandez, zjarrfikësit e bashkisë dhe punonjësit e shërbimit pyjor. Zjarri nuk paraqet rrezik për banesa.

Në fshatin Mengël në Kavajë është aktivizuar një vatër zjarri, por fatmirësisht nuk paraqet problem për zonat e banuara. Në terren, krahas 40 trupave të FA, janë angazhuar edhe zjarrfikësit e Kavajës, Rrogozhinës dhe Tiranës.

Në 8 vatrat e tjera ende aktive në vend, situata duket se është nën kontroll dhe po punohet për shuarjen totale të flakëve.

Në Shkodër janë tre vatra aktive zjarri, në fshatin Flet, Srriqe  dhe vendin e quajtur Qershizë-Fushë Kumulli në Malin e Tërbunit, ku flakët janë vënë nën kontroll dhe p punohet për shuarjen totale të tyre.

Në Vlorë, zjarri në Malin Çipin të fshatit Mesaplik, njësia administrative Brataj, po monitorohet nga punonjës të njësisë administrative dhe nuk ka rrezik per banesat.

Në Lezhë, zjarret në fshatrat shatin Domgjon dhe Munellë, Kodër Thirrë dhe Katund i Vjetër janë vënë nën kontroll dhe po vijon puna për shuarjen totale të flakëve.

Në Dibër, vijon djegia e brendshme e vatrave të zjarrit në fshatin Kacni, ndërsa situata po monitorohet nga forcat e bashkisë Dibër.

Ora 16:04
Vatër zjarri në fshatin Zhulat të Gjirokastrës, terreni i vështirë për të ndërhyrë

Shpërthen një vatër zjarri në fshatin Zhulat në njësinë Administrative Cepo në Bashkinë Gjirokastër. Vatra e zjarrit ka filluar të bëhet aktive në vendin e quajtur Hone. Menjëherë njësitë e PMNZH me në krye komandant Pëllumb Shalarin kanë shkuar në vendngjarje për të bërë të mundur shuarjen e flakëve. Si pasojë e terrenit të vështirë për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe banorët. Zjarri po përhapet me shpejtësi nga era.

Ora 10:57
Zjarri në Majën e Rrunës, prefekti i Kukësit: Vijon prej 24 ditësh, aktualisht 3 vatra aktive! Rrezik ardhja e një vatre nga Puka!

 

Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana, thotë se zjarret në Majën e Rrunës vijojnë prej 24 ditësh tashmë. Kuçana shprehet se momentalisht janë 3 vatra aktive që po monitorohen. Sipas tij, rrezik është ardhja e një vatre zjarri nga Puka, në drejtim të fshatit Çam të njësisë administrative Malzi.  

"Kemi 24 ditë punë nga toka dhe ajri, aktualisht janë tre vatra zjarri në Majën e Rrunës që po minitorohen. Me rrezik është ardhja e një vatre zjarri nga Puka, në drejtim të fshatit Çam, të njësisë administrative Malzi. Kjo vatër është nën monitorim dhe vrojtim nga forcat operacionale, ende nuk ka përllogaritje të saktë, por dëmi nga zjarret është i madh te Maja e Rrunës. Duhet të modernizohet më shume shërbimi zjarrëfikës duke iu përshtatur kushteve konkrete dhe sipërfaqeve pyjore", tha ai.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?