SHBA - Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Erik Adams mbajti një fjalim për shqiptarët e Amerikës, gjatë një ceremonie dedikuar festave të 28-29 Nëntorit.
Adams e nisi fjalën e tij duke sjellë në shembull shqiptarë të mrekullueshëm të Amerikës, të cilët ai i cilësoi pionierë të lëvizjes për të integruar shqiptarët në një botë aq të madhe sa Amerika.
“Komisioneri Manuel Kastro erdhi në Amerikë si ëndërrimtar dhe tani ai është në krye të zyrës së kryetarit të bashkisë sonë për çështjet e emigrantëve, duke i ndihmuar të tjerët që të realizojnë ëndrrën e tyre si ai”.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut u tha shqiptarëve në Amerikë, që të mos e harrojnë kurrë vendin nga ata vijnë.
“Bukuria e vendit tonë, Amerikës, është që pranon këdo nga cili do vend që vjen, ndaj unë ju them që kurrë nuk duhet ta harroni kush jeni. Kurrë mos e braktisni kulturën tuaj. Vendi ku keni ardhur nuk e zëvendëson kurrë atdheun tuaj.
Ne jemi krenarë që sot ngremë flamurin tuaj krah për krah. Edhe pse për të arritur në këtë moment u deshën 110 kryetarë bashkish. Por ajo që na bën të mrekullueshëm është diversiteti. Kjo është arma jonë sekrete që na bën të jemi ata që jemi.
Ju besoni në atë që unë gjithashtu besoj. Në familje, në biznes, në sigurinë publike. Dhe treguesi për këtë janë gratë dhe burrat në të majtën time, shqiptarë që janë anëtarë të Departamentit të Policisë së qytetit të Nju Jorkut. Ata shërbejnë, mbrojnë, sigurojnë që qyteti ynë të jetë një vend i sigurt për të rritur fëmijë dhe familje të shëndetshme.
28 Nëntori është pavarësia juaj, por ne jemi gjithmonë krah njëri-tjetrit sepse kemi ne kemi nevojë për njëri-tjetrin.
Djali im ishte në Shqipëri vitin e kaluar ku mori pjesë në një konkurs muzikor dhe fitoi. Ai më mori në telefon dhe më tha: Babi, nuk e di nëse do të kthehem në shtëpi.
Unë e dua Shqipërinë dhe atë që ajo përfaqëson. Sa herë ai më shikon ma kujton këtë duke më treguar flamurin shqiptar. Faleminderit shqiptarë! Faleminderit!”, tha në fjalën e tij kryebashkiaku i Nju Jorkut.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Erik Adams mbajti një fjalim për shqiptarët e Amerikës, gjatë një ceremonie dedikuar festave të 28-29 Nëntorit.
Në fund të fjalës së tij, pasi bëri simbolin e shqiponjës dykrenore me duar, kryebashkiaku Adams ishte i pranishëm dhe në ngritjen e flamurit shqiptar, pas atij amerikan.