115 libra me emrin e Ardian Klosit! Ekspozohet vepra në 10-vjetorin e vdekjes, mes titujve edhe ‘Refleksione’ që shkroi me Ramën

17 Maj 2022, 18:53| Përditesimi: 17 Maj 2022, 19:01

  • Share

Publicist, albanolog, shkrimtar, përkthyes e një nga zërat intelektualë më aktiv në të gjallë, Adrian Klosi mungon prej 10 vitesh fizikisht. Në Bibliotekën Kombëtare, në praninë e kryeministrit Edi Rama e familjarëve, përkujtohet këtë të hënë përmes ekspozimit të veprës së tij, ku çdo botim a editorial është një kontribut në përparimin intelektual të vendit.

Një kontribut që ka nisur herët, e studiuesi Aurel Plasari i dhuron Bibliotekës vetëm një copëz në letër  të kësaj dëshmie, siç është përkthimi që Klosi i pat bërë gjatë diktaturës “Përpjekja për të jetuar me të vërtetën” të Havel. Një libër që siç rrëfen Misha në atë kohë shpërndahej dorë më dorë...

“Ne në koleksionet tona gjetëm 115 libra që mbajnë emrin e Ardianit si autor, përkthyes, redaktor. Prej tyre në 25 tituj, është autor, 47 janë përkthime dhe mbi 400 shkrime të botuara në gazeta. Ekspozita nis me dy vepra shumë të rëndësishme për vlerat historike.  Krahas Havel, është edhe “Refleksionet” me bashkëautor Edi Ramën, një libër që mban njëkohësisht autografet e tyre, të nënshkruara në atë vit kur ia dhuruan  Bibliotekës  ”, thotë Misha.

Nga Vepra e plotë e Kafkës, e konsideruar si përkthimi më i mirë në shqip, tek “Kështjella” e “Me syrin e një klouni” Klosi krijoi një standard, një model të përkthimit..

“Ai e shikonte përkthimin në kontekstin shqiptar në një punë prej misionari. Duke e konceptuar veten në  rolin e ndërmjetësit kulturor, midis Shqipërisë dhe Evropës, sidomos botës gjermanike. Ai bëri një revolucion me mënyrën e përkthimit!”, shton Misha.

Problemet e vendit nuk e linin indiferentë, Klosi shkroi për ngjarjet më të bujshme si “Shqipëria zgjim i dhunshëm”,  “Katastrofa e Gërdecit”, por edhe botime si  "Robert Schëartz ose dritaret e qytetit tim".

Mendimi i tij si antikomformist në mediet lokale, prekte problematika të shumanshme, kulturore, politike, sociale etj. , por edhe shkaktonte debate, tek ata që nuk e kishin të lehtë të pranonin të vërtetën.

“Duke shfletuar shkrimet e tij, mendova se ka ardhur koha që të botohen të përmbledhura”, thotë Misha.

“Një disident si Klosi iu kundërvu sistematikisht diskursit mbizotërues të kohës, jo vetëm për t’ia çmontuar argumentet dhe mitologjitë, por edhe ngaqë ky ishte mbizotërues dhe intolerant”, thotë ndër të tjera, akademiku, shkrimtari e publicisti Ardian Vehbiu.

Miqtë e kolegët e konsiderojnë si një nga zërat disidentë, që nuk pranoi të heshtte e të bënte kompromis me padrejtësitë që ndodhnin përreth e që e çonin vendin e tij në regres... Ndoshta i tillë, rebel e kritik, do të kishte qenë edhe sot, por Klosi zgjodhi të ikte, sepse nuk mund të bëhej palë i një realiteti të papranueshëm...

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ora: 17/05/2022 21:28

    Dallimi mes z. Klosi dhe ketij zhullapit, eshte morali. Qe i pari e kishte tipar te panegociueshem kurse i dyti monedhe kembimi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?