Kultura

115 vjetori i Nënë Terezës, çelet ekspozita filatelike! 120 vende të botës emetuan një pullë poste me shenjtoren! Librat studimorë e biografikë i dhurohen Bibliotekës

26 Gusht, 13:25| Përditesimi: 26 Gusht, 15:52

  • Share

Është shqiptarja që e bëri emrin e kombit të saj të ndihej në çdo cep të botës, mes njerëzve të thjeshtë e deri te liderët globalë. Ish presidenti amerikan Bill Klinton do të shprehej në një intervistë, se emri i Nënë Terezës ishte i pari që e bëri të njihte kombin shqiptar, njohje që më pas ndikoi në vendimin për të ndërhyrë në luftën e Kosovës, për çlirimin e shqiptarëve.

Këto të dhëna të veçanta, por edhe të tjera detaje lidhur me figurën dhe jetën e saj janë përmendur në aktivitetin e mbajtur në sallën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare këtë të martë në 115-vjetorin e lindjes së shenjtores.

Të pranishmit kanë mundur të vizitojnë edhe një ekspozitë pullash postare dhe librash biografikë historikë kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës nga koleksioni i Hysen Dizdarit, i cili është edhe autor i librit “Nënë Tereza në pullat shqiptare”.

“Nënë Tereza është një personalitet kaq i madh sa 120 shtete në gjithë botën e kanë vendosur si simbol në pullën e tyre postare, si në Ballkan, si në Evropë, në Amerikë, në Australi.”, - thotë koleksionisti Hysen Dizdari.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe studiuesi nga Kosova, Anton Nikë Berisha, autor i 150 veprave për letërsinë shqipe dhe 27 veprave për Nënë Terezën.

“Ne flasim për Nënë Terezën por nuk e njohim mirëfilli. Nënë Tereza nuk ka të bëjë fare me bamirësinë. Atë nuk e ka pyetyr kurrë njeru çfarë emri ke apo cilës racë i përket. Janë me qindra mijëra motra tëkishës, që nuk i njeh askush, qindra mijëra priftërinj që kanë punuar me dinjitetin më të madh të mundshëm, por nuk kanë qenë Nënë Tereza. Ajo hapi dy shtëpi në Kalkutë: një shtëpi për pleq dhe një shtëpi për fëmijë, që gjente rrugës dhe Papa Pali VI bën një vizitë dhe kur futet sheh copa njerëzish, jo njerëz të plotë dhe thotë: Këtu qenka Krishti gjallë! Po për Nënë Terezën ishin më të rëndësishmit që ekzistonin në rruzullin tokësor.”, - shprehet Berisha. 

Anton Nikë Berisha i dhuroi Bibliotekës Kombëtare një kolanë me vepra të zgjedhura të të tij, si dhe 10 libra për Nënë Terezën ia dhuroi koleksionistit Hysen Dizdari.

 

B.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?