Në kuadër të ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, që është me 25 maj, dhe nën moton “Mos na harroni!”, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, organizoi një aktivitet simbolik përpara kryeministrisë
Që nga ‘91 e deri më sot, 12 fëmijë vazhdojnë të jenë të zhdukur, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të familjarëve dhe autoriteteve. Ndërsa sipas të dhënave të Qendrës, çdo vit në vendin tonë raportohen rreth 120 raste të fëmijëve të humbur, që përfshijnë nga largimet nga shtëpia, te rrëmbimet apo dhe zhdukje të paqartë.
“Fëmijët kane probleme serioze ose në familjen që jetojnë, ose ne mjedisin ku jetojnë. Ka një shkak pse një fëmijë humbet. Nëse largohet, familja ka probleme serioze. Statistikat tregojnë se ata largohen sepse ose ka na një dhune ekstreme ose ka prezencë te dhunës seksuale ndaj fëmijëve ose familje komplet te shkatërruar”, thotë Altin Hazizaj, themeluesi i CRCA, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri.
Hazizaj flet për mikrofonin e Report Tv edhe për dy rastet më të fundit, të fëmijëve shqiptarë jashtë vendit, që dyshohet të jenë rrëmbyer.
“Ne jo me larg se dje kemi patur dy raste qe i kemi ndjekur por edhe do vazhdojmë ti ndjekim si zyrë, ku fëmijët janë rrëmbyer. Nuk ndodhen ne Shqipëri, ndodhen jashtë Shqipërisë. Autoritetet shqiptare nuk janë duke kryer mision e tyre, qe te bëjnë edhe atë ndërlidhjen e autoriteteve te huaj edhe ato shqiptare”
Në Europë zbatohet ajo që njihet si Sinjali Amber, një sistem emergjent paralajmërimi që përdoret për të njoftuar institucionet përgjegjëse dhe median në rast të rrëmbimit të një fëmije.
“Është e pashpjegueshme se edhe pse e kemi 3 vite qe e kemi kërkuar nga policia e shtetit vazhdojnë të mos e kemi këtë platformë te instaluar”, thotë Hazizaj.
Ai përmendi edhe rastin tronditës të Bleona Mata, një nga zhdukjet më të njohura në vend.
“Kemi pas indicie qe mund te jetë ne Itali apo ne Francë jo mund te ketë qene ne Maqedonie e Veriut. Ne ndërkohë shohim nga autoritetet shqiptare ne këtë drejtim, nuk kemi pare një hap konkret për gjetjen”, tha kreu i CRCA.
Në Evropë çdo vit raportohen rreth 250,000 fëmijë të humbur – që do të thotë një fëmijë humb çdo dy minuta.
Komente
