Josoue Ngankam dhe Zinedine Nkeh nga Kameruni janë dënuar me nga 9 vite burg nga Gjykata e Tiranës pasi janë gjetur fajtor për falsifikim monedhash dhe mashtrim. Ata do të vuajnë nga 6 vite për shkak të gjykimit të shkurturar ndërkohë që është shpallur e pafajshme zvicerania Jeniffer Chollet, që akuzohet si bashkëpunëtore e tyre.
53-vjeçarit nga Kameruni Josoua Ngankam, iu gjetën 1.2 milionë euro false në Rinas. Zinedine Nkeh, 45 vjeç, rezulton të ishte Toni, personi që Ngankam kishte deklaruar më herët se ishte shqiptari që i kishte dhënë çantën ku u gjetën paratë në Tiranë. Mësohet se Nkeh, që sipas burimeve nga policia ishte autor kryesor në sjelljen e parave false, i kishte dhënë një adresë të një hoteli më Laprakë ku do të takoheshin për të marrë çantën. Zinedine Nkeh kishte mbërritur në Shqipëri disa ditë para Ngangam me një linjë tranziti. Gjatë kontrollit në banesën e Chollet, 39-vjeçare, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, lastra dhe produkte të tjera që shërbejnë për përgatitjen e kartëmonedhave të falsifikuara.
279 mijë euro të printuara, të ndara në prerje 500, 200 dhe 100, si dhe lastra prodhimi parash false me vlerë shumë më të madhe që gjithsej bëjnë rreth 1.2 mln euro, janë gjetur në valixhen që kishte me vete kamerunasi Josoue Ngankam, i cili vinte nga Parisi, me tranzit në aeroportin e Stambollit.
Kamerunasi Josoue Ngankam ka qenë dy herë në Shqipëpëri dhe luante rolin e korrierit. Pas ndalimit nga policia, kamerunasi tha se është nisur nga Franca me transit Stambollin drejt Tiranës dhe në aeroport do ta priste një bashkëkombës i tij me emrin Toni. Toni i ka dhënë valixhen në Francë dhe i ka thënë se kur të mbërrinte në Rinas duhet ta priste në një kafe brenda aeroportit.