Sali Berisha

12 nëntori nuk është 'nata e Shën Bartolemeut'!

10 Nëntor 2022, 20:19| Përditesimi: 10 Nëntor 2022, 20:24

  • Share

Pasi kisha lexuar prononcimin fluturak me krahë të këputur megalomanie në mes të metropolit, të një ish Ambasadori që nuk kishte punuar hic në Diplomaci(sot zv.kryetar Partie i thëncin!), më saktë një prototip i lerë e rritur në puplat e grazhdit vezullues të kupolës sipërore të monizmit, një gjuhëshpëlarë që nuk e dëgjojnë dot as banorët e pallatit a të mëhallës, rashë në të thella. Fliste e brockulliste në ekran për pagëzimin pa prift e temjanë të 12 nëntorit 2022, me emrin tronditës e qiellgërvishtës “Protestë Kombëtare”! Dhe as që i shkonte mendja te mencuria popullore që na thotë se “Tani bëhet dasma me violi, jo me daulle, njerëzia e mban kalemin në vesh e kartën në xhep…”. Ashtu me zjarr e shkumë neveritëse, e lante dhe e lyente gati si një datë të shënuar historike. Dhe kur ? Mbrëmjen e 8 Nëntorit !

Datë që ai e kish lakuar gjithë jetën më shumë se emrat e babës leskoviqar e të nënës zagorite, nga familjet e nderuara në ato vise hijerënda. Dhe konkludoi prerë, tamam si një dhelpër bishtprerë:”…Vendi është në një katastrofë, nëse nuk reagojmë sot e nesërmja jonë është pa demokraci, në një vend që sundohet nga një diktator i ri…Janë njerëz që po i ndryshojnë ADN-në Shqipërisë demokratike(?!)”. E tha bukur një kolegu im i vjetër:-Ore babam, ky nuk paska cipë fare ose ka roitur dhe bilbilos për popullin(të cilin, deri sa u poq e u bë burrë, e shikonte me dylbi jo nga maja e Melesinit, por nga maja e “Olimpit” të pushtetit të djeshëm monist). Na ka zënë frika e tartakuti se mos na sjell në miting ndonjë detashment nga OKB-ja ku livadhisi lumturisht e djallëzisht  për ca kohë me kokën strukur nën sqetullat e PS-së dhe qokabërësve drejtues të saj. Dhe pastaj, duke u shtrirë e lëpirë plot jargë liderët  e kalanderët pronarë të medias në “Rogner” e gjetkë, vuri pa cak pa bam spaletat farfuritëse të Analistit(pa hequr asnjëherë inicialet sugjestionuese OKB, qoftë te Fevziu pasanik tepër i dyshimtë e kudo ku i hapet ndonjë derickë propagande e ndryshkur).

Të kuptohemi mirë, nuk mund të them kurrsesi se në Shqipëri nuk ka korrupsion, nuk ka krime të rënda e të lehta, nuk ka mungesë Drejtësie të pavarur etj. Përndryshe do të isha cyryk a i verbër! Por të dëgjosh zërat e cjerrë të kukuvajkave e të kacakëve pas ferrave, duke deklaruar haxhiqamilce se “Do të marrim Kryeministrinë në 12 nëntor !”, njeriut të thjeshtë e të ndershëm mund t’i dridhen leqet e këmbëve, por ama i vjen edhe për të qeshur e për të qarë me thes në kokë. Dhe pyet veten e të tjerët: Po si, qysh, me c’farë mjetesh “demokratike”, mos vallë me tanket e flakëhedhësat e shtatorit të ’98-ës ? Shtator që i rinxiu faqen mëmëdheut nëpër botën e qytetëruar demokratike ! Mirëpo balta vazhdon. Duke e kthyer në llucë e të pëgëra Polit(h)ike, që cërklat e tyre i vërvitin mbi trupin e brishtë e të drobitur të Republikës sonë pluraliste. E më vjen pranë rënkimi therës i poetit të pushkatuar:”-E shkreta ti, moj Republikë, në emrin tënd të marrin jetën !”. Me sa duket, nuk janë ngopur ende me të djegurit e të pjekurit përsëgjalli  të dhjetra njerëzve hallexhinj të Gërdecit ku (C)Drejtësia mercenare e paremadhe ngrohu duart e pista pranë flakëve të pashuara vullkanike në një nga portat e Kryeqytetit?! Zoti i gjykoftë ! Apo ca të rrjedhur nga trutë ëndërrojnë shkallët dhe trotuaret e përgjakura të selisë Qeveritare, realizuar poshtërsisht nga armët e shtetit rrumpallë e të handakosur !...

-12 Nëntori i tanishëm do të jetë me diell, si jorgan për fukaranë,-më thoshte pardje një astrolog i moshuar, i persekutuar dhe bir veterani që kish nbetur përjetë invalid gjatë ditëve të paharruara për Clirimin e Tiranës nga pushtuesit nazistë gjermanë dhe sahanlëpirësit e tyre.-Unë do dal herët të shtunën. E bëj kështu gati cdo vit. Shëtis e meditoj kryesisht te sheshi “Skënderbej” dhe te rruga e Kavajës ku u plagos rëndë babai në mbrojtje të Radio-Tiranës. Në cilin miting e “parking” hipokrit partiak të shkoj, të jargosem para atyre sojsëzëve që e bënë trokë Shqipërinë gjatë 30 viteve të fundit ? Të përkulem e squllem para fjalimeve në tribunën erërëndë të vilave e të jetës së tyre luksoze, që nuk u iku kurrë oreksi për pushtet e bereqet në kurriz të fukarenjve ?!... Jo, miku im, jo ! Edhe ti do ikësh një ditë e me faqe të bardhë drejt parajsës, por po vazhdon të paguash cdo muaj catinë ku ke vënë kokën familjarisht. Se nuk dite të vidhje, të mashtroje e abuzoje me detyrën. Ky është i vetmi “faj” që ke bërë…

Të jem i sinqertë me ty, unë kujtoj jo pa respekt cdo 12 nëntor edhe një ish kolegun tuaj gazetar e publicist i shquar, përkthyes e ekorrespondent i “Rojters” e “Neë Jork Times”. Pushkatimi i tij 78 vite më parë nëpër errësirën e bodrumit gjakmpiksur te hotel “Bristol”, për mua ka mbetur ende në errësirë. Dëshiroj të vërtetën lakuriq, pa ngarkesa patetike e poltike. Ishte diplomuar për Letërsi në Itali, bashkë me motrën e shtrenjtë Ikbale. Bashkë me shoqen e jetës Elsën fatkeqe me rrënjë arbëreshe, që u burgos 2 vjet. Dhe u riatdhesua shpejt, me një gur të rëndë në zemër. Drama rrënqethëse njerëzore ! Iku përfundimisht, pa patur në krah djaloshin simpatik e të talentuar nga Preveza, Nebil Cika. Kush e rrëmbeu me dorë natën nga shtëpia dhe e coi drejt e në gijotinën e papritur të atij hoteli gjakmbuluar, një nga kritikët  e kundërshtarët dinjitozë të regjimit zogollian që u internua përtej detit plot dallgë dëshpërimi e zhgënjimi ? Ti, besoj e ke lexuar atë përkushtimin ekskluziv të ish kolegëve të tij, kur Nebili lidhi martesën me Elsën…” Nebil Cika, gazetar i vuar dhe trim, shkrimtar i mprehtë dhe i dinjitetshëm, nacionalist dhe përparimdashës…Në cdo shkrim të tij, në cdo mendim të tij, shihet impulsi i fortë i idealistit që s’lë rast pa shkelmuar traditën e ndryshkur skllavëronjëse dhe pa treguar me gisht ngultas dhe me instikt të sigurt udhët e qytetërimit dhe të lartësimit. Mbasandaj, nga pikpamja profesionale, nuk besojmë të dyshojë ndokush se Nebili është më i zoti gazetar që ka vendi ynë sot për sot…”.

Vecse theksojmë, nuk ishte thjesht “nata e Shën Bartolemeut”. Dhe as ajo lufta e dikurshme midis katolikëve dhe huguenotëve, ku sipas disa historianëve rreth 3 mijë vetë vdiqën vetëm në Paris, ndërsa rreth 30 mijë huguenotë u masakruan në tërë Francën. Shkurt, në nëntor 1940 e degdisën dhe e internuan si antizogist në Itali, ndërsa në 12 nëtntor 1944 ia morën jetën mizorisht në Shqipëri !... Vite më parë, artistja e njohur italiane, Alba Parieti, do të deklaronte publikisht: “Edhe Krishti po të ishte gjallë gjatë Luftës së Dytë Botërore, do ishte Partizan !”. Medet, c’farë synojnë sot pinjollët e kolaboracionistëve të djeshëm !...Në një kohë kur në 7 Prillin e zi të ‘39-ës, një grua 81 vjecare, “doli në një rrugë të Londrës pranë Parlamentit Anglez dhe mbante në duar një pankartë ku shkruhej me shkronja të mëdha kapitale: LARG DUART NGA SHQIPËRIA !”. Ishte e famshmja Edit Durham, që do të mbyllte sytë përgjithmonë në 12 Nëntor 1944, me dashurinë e madhe në zemër për Kombin tonë…

Por tani do të dëgjojmë si 78 vite më parë Radiostacionin e vetëm shqiptar, me ato dy fjalët që nuk mund të harrohen kurrë: “Tirana u clirua !”, e shoqëruar krenarisht nga Himni i Flamurit Kombëtar. Një zë i fuqishëm që nuk dithëroi vetëm rrugën e Kavajës. Vonë mësova se paska qenë edhe Kompania e parë e Batalionit të parë të Brigadës së Parë Sulmuese Partizane , e drejtuar nga djaloshi sypatrembur Dalan Memush Kallarati. Është ish Komisari e miku im i paharruar, ish partizani që pas 26 viteve do më ndihmonte menjëherë mua nga Gryka e Mezhgoranit për të sosur shkollën e mesme me korrespodencë, ndërprerë ditën, dhunshëm e harbutërisht në Gjirokastër… Ja, aty pranë u plagos rëndë Haki Kapaj, borizani legjendar nga Mallakastra. Ashtu me fytin tej e tej të shpuar, nuk e la borien të heshtëte. Mbeti në histori e këngë: Tingujt e saj luftarakë ranë përsëri, bashkë me pikat e gjakut të kulluar ! Do zbatohej patjetër Urdhri i Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha: “Duhet sulmuar Tirana dhe të merret me cdo kusht !”. 19 ditë e netë të zjarrta. Ballë për ballë me pushtuesit nazistë. 19 ditë e netë lavdimëdha për Lirinë e një Kryeqyteti ! Por nuk mund të mos përmendet drejtuesi kryesor i luftimeve, trimi i mencur Mehmet Shehu :-Më 12 Nëntor, pas mësymjes vendimtare, Tirana buciste nga zjarri i armëve partizane…Për këtë qytet të dashur ranë gati 200 Dëshmorë të Atdheut. Lule nga lule djemtë e nënave ! Nga disa Brigada të Ushtrisë Nacionalclirimtare Shqiptare. Ranë edhe disa komandantë e komisarë. Ranë Shefit Hekali, Alush Grepcka, Kadri Abdihoxha, Fetah Selca, Haki Sevrani, Braho Sako, Estref Caka (Osoja) etj. Theksojmë: Dhjetra dëshmorë ishin komunistë, idealistë të mëdhenj ! Ata as erdhën nga bulevardet e as fituan vetëm me dy gishtat lart. Erdhën me gjakun dhe jetën e tyre në themelet e Shqipërisë sonë hallemadhe…

Duke mbyllur këto shënime, nga ekrani me kamerën te pragu i derës së Parlamentit, po derdhej zëri tashmë bezdisës i një plaku të njohur që nuk ka pushuar mbi 3 dekada pluralizëm : -Protesta do të jetë “më e madhja që ka parë vendi ndonjëherë”, kundër një regjimi që qytetarëve “ua ka tjetërsuar flamur, atdhe dhe cdo gjë”(??). Mos u dhjas kaq shumë, Doktooor ! 12 Nëntori nuk mund të jetë kurrë si “nata e Shën Bartolemeut”….

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?