Kupa e Italisë për këtë sezon është e Interit. Zikaltërit kanë mposhtur në finale 4-2 Juventusin në 120 minuta që rezultuan spektakolare, por ndër të tjera edhe emocionuese. Në ‘Olimpico-n’ e mbushur me 70 mijë tifozë zhbllokoi rezulatin Barrela që në minutën e 7, por me fillimin e pjesës së dytë zikaltërit do kalonin nga parajsa në ferr.
Fillimisht Alex Sandro dhe më pas Vlahovic përmbysën në favor të Juventusit për 3 minuta, duke bërë që tifozët bardhezi të shpërthejnë në festë. Gjithsesi Interi gjeti forcë të reagonte dhe një panallti e fituar nga Martinez u kthye në gol nga Cahanoglu. Finalja më tej do i drejtohej shtesës aty ku Inter fitoi një tjetër penallti, që u kontestua shumë nga Juventus. Perisi u tregua i saktë para se në fund të vuloste shifrat përfundimtare me një perlë brenda zonës.
Në fund ka vend për festë, pasi Kupa është trofeu i dytë që Inter fiton kundër Juventusit pas Superkupës, ndërsa është edhe trofeu i tetë në histori për zikaltërit. Për rrjedhojë si trajneri Inzaghi ashtu dhe presidenti Zganh u shprehën të lumtur, ndërsa shtuan se tani ‘objektivi është edhe fitimi i kampionatit’, aty ku janë në garë me Milanin, që ka 2 pikë më shumë.
Nga ana tjetër një sezon komplet i dështuar për Juventusin dhe Allegrin që mbyllin sezonin me zero trofe. Për më tepër trajneri u ndëshkua me të kuq për shkak se nuk e mbajtën nervat ndaj një zyrtari të Interit.