120 vjetori i lindjes së Mihal Cikos, liriku i parë shqiptar kujtohet në Korçë! Fraku i tij i dhurohet teatrit 'Andon Zako Çajupi'! I biri: Kishte karakter të fortë dhe vendosmëri

31 Gusht 2022, 11:30| Përditesimi: 31 Gusht 2022, 11:47

  • Share

I pari Lirik shqiptar, Mihal Ciko, nderohet në 120 vjetorin e lindjes. “Kori Lira” me këngët patriotike e Banda e Korçës, qytetit ku këngëtari e pedagogu lindi, interpretoi në nder të tij pranë Pallatit të Kulturës. Në të ashtuquajturin “Paris të vogël” ku Ciko vuri në skenë të parën operetë ...

“Protagonisti i kësaj mbrëmjeje është Mihal Ciko vetë. Është puna e tij, talenti i tij, përkushtimi, karakteri i tij i fortë dhe vendosmëria për të qenë një nga iniciatorët, nismëtari i artit lirik shqiptar”, thotë i biri, muzikanti Zhani Ciko.

Dashamirësit që i bashkohen mbrëmjes janë të shumtë. E i biri artist, Zhani Ciko i udhëheq drejt ekspozitës retrospektivë në hollin e Teatrit, duke u rrëfyer jo vetëm “Shkallët e jetës së artistit nismëtar”, por edhe kujtime nga të tjerë artistë të traditës.

“Koha nxjerr sërish të reja. Ne dëgjuam këtu këngë, këngë të Mihal Cikos, që janë një kapitull më vete dhe ato unë nuk i kam ditur. M’i ka zbuluar një muzikolog që është këtu, prof. Behar Arllati”, shprehet Ciko.

Viktor Gjika e Teodor Laço e kanë përjetësuar krijimtarinë e historinë përtej saj të Mihal Cikos, përmes dokumentarit “Rrënjët”, që u shfaq në sallën e teatrit.

Nga bankat e “Mësonjëtores së parë” tek studimet për kanto në Bukuresht, që u konsoliduan më tej në konservatorin “Giuseppe Verdi” të Milanos, Mihal Ciko talentin dhe edukimin e tij e investoi në vendlindje. Që në vitet ’20 bashkë me personalitete të artit e kulturës si Lasgush Poradeci, Vangjush Mio e të tjerë ai nisi të jap kontributin e tij në vend. Fillimisht si bashkëthemelues i “Shoqërisë së Arteve të Bukura” në Korçë, më pas si drejtor muzikor në “Radio Tirana” ku iu dedikua edhe ngritjes së orkestrës. Dha në mësim në Lice e më tej në Institutin e Arteve, ndërsa pas themelimit të “Operës” punoi aty si regjisor, pedagog e solist.

“Këto kohë është botuar një libër tjetër për bandën “Vatra”, dhe aty del dhe roli i rëndësishëm që ky djalë 18-vjeçar i ardhur nga Bukureshti kishte për bandën ‘Vatra”, thotë dirigjenti.

Fraku elegant i Mihal Cikos i qepur nga rrobaqepësit e Korçës, si pasuri sa shpirtërore aq edhe materiale, 36 vite larg ndarjes fizike të artistit i dhurohet në fund të mbrëmjes, teatrit “Andon Zako Çajupi” ...

“Jeta vetë do t’i vërë në vend meritat, sepse ka ardhur koha që historia të jetë histori dhe kontributet të mos harrohen”, shprehet Ciko.

1661932682_mihal.jpg

Foto nga homazhet dhe fraku i Mihal Cikos
 

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?