120-vjetori i vdekjes, përkujtohet figura e Sami Frashërit. Studiues shqiptarë dhe turq, panel për veprën e rilindasit

18 Nëntor, 15:57| Përditesimi: 18 Nëntor, 20:40

  • Share

I njohur si gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg dhe përkthyes, Sami Frashëri është ndër filologët më të shquar dhe ndër ideologët e Rilindjes Kombëtare. Autori i fjalorit të parë shpjegues të turqishtes, Fjalorit Frëngjisht-Turqisht, Fjalorit të vogël Frëngjisht- Turqisht, hartues dhe botues i Fjalorit Arabisht-Turqisht, hartues i Fjalorit Enciklopedik, por edhe autori i romanit të parë turk “Dashuria e Talatit me Fitneten” etj., vepra dhe figura e Sami Frashërit janë kujtuar këtë të hënë në një panel shkencor në qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare. Aktiviteti i mbajtur me rastin e 120-vjetorit të vdekjes së tij bëri bashkë studiues shqiptarë dhe turq. Prof. Dr. Şükrü Halûk Akalın nga Universiteti Hacettepe analizoi figurën e Frashërit në dy dimensione: si leksikograf dhe si botues.

“Shemshedin Samiu, figura më e shquar e leksikografisë turke, shënoi fillimin e një epoke të re në leksikografinë tonë me veprën e tij monumentale Fjalor Turqishtes. Vendosja e emërtimit “turk” në fjalorët tanë, filloi me Shemshedin Samiun. Një risi tjetër që Shemshedin Samiu solli në leksikografinë tonë, është se gjatë hartimit të fjalorit ai pati si parim themelor përfshirjen në fjalor, të të gjithë fjalësit që ishte në përdorim në atë periudhë. Duke i dhënë rëndësinë e duhur këtij fjalori dhe duke respektuar parimet e leksikografisë, ai i përpunoi elementet e fjalorit në përputhje me strukturën e turqishtes dhe bazuar në metodat që zhvilloi ai vetë.”, -  u shpreh ai.

Sipas Halûk Akalın, Sami Frashëri është një figurë e jashtëzakonshme që i ka shërbyer gjuhës, letërsisë dhe historisë turke si të ishte një institucion kulturor më vete, duke qenë njëkohësisht autor dhe përkthyes i afro pesëdhjetë veprave të letërsisë turke. Ai ishte njëkohësisht edhe themelues i Bibliotekës së Xhepit më 1879.

Me gjithë këtë kontribut për kulturën turke, Sami Frashëri e lidh ngushtësisht identietin e tij me të qenit shqiptar.


“Përveç këtyre, sipas mendimit tonë, artikujt dhe shkrimet kryesore që reflektojnë marrëdhënien e Samiut me identitetin e tij etnik janë tekstet "dijetare" që ai ka përfshirë në Kamusu'l-A'lam, ku përmend identitetin dhe origjinën e tij kulturore dhe etnike. Artikujt e lidhur me identitetin etnik, si "shqiptar", "Shqipëri", "Albania", "Arbania", dhe "Skënderbeu", që hasen në Kamusü'l-A'lâm, janë të denjë për shqyrtim dhe analizë serioze. Në to Samiu diskuton, përshkruan dhe madje krijon një përshkrim të detajuar të gjeografisë së tij etnike, identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, letërsisë dhe aktualitetit. Gjatë vështrimit të këtyre shpjegimeve, është e domosdoshme të bëhet një krahasim edhe me shpjegimet që përshkruajnë identitetin kulturor turk si "Turqisht", "Turkistan", "Turkistan-ı Lindor", dhe "Osman". Kjo qasje mund të na ndihmojë të arrijmë në përfundime të rëndësishme.", - tha  Prof. Dr. YÜKSEL Topaloğlu.

Sipas tij, kur shohim shpjegimet nga ky këndvështrim, na tërheq vëmendjen një pikë interesante. Kjo pikë është disproporcioni sasior ndërmjet fjalëve që trajtojnë identitetin etnik dhe identitetin kulturor. Me fjalë të tjera, Samiu i trajton fjalët "Shqip", "Shqipëri", "Arbania", "Shqipëri" dhe "Turk", "Turkistan", "Turkistan-ı Şarki", dhe "Osman" në Kamusü'l-A'lâm në një mënyrë tejet disproporcionale.

Një krahasim i vogël e bën të dukshme këtë disproporcion. Për shembull, Samiu përmend fjalën “Shqip” në 6 faqe, “Shqipëri” në 5 faqe dhe “Arbania” në një faqe; ndërsa fjalën “turk” e diskuton në 2 faqe, fjalën “turkestan” në 1 faqe dhe fjalën “osman” në më pak se gjysmë faqe. Për ta thënë në mënyrë të përgjithshme, ai ndan 12 faqe për fjalët që lidhen me identitetin e tij etnik dhe vetëm tre deri në tre faqe e gjysmë për fjalët që lidhen me identitetin e tij kulturor. Duke parë këtë disproporcion, kuptohet se në Kamusü'l-A'lâm, ku përshkruhet e gjithë bota, origjina etnike, pra Shqipëria, zë një vend shumë më të rëndësishëm se identiteti kulturor, turqizmi. Ky disproporcion, padyshim, i jep hapësirë leximeve të ndryshme. Nuk mund të mendohet se kjo nuk lidhet me krenarinë kombëtare, ndërgjegjen dhe përkatësinë etnike.”, - vijon ai.

Ndërsa Shezai Rrokaj vëren kontributin e Frashërit në ruajtjen dhe konsolidimin e gjuhës shqipe, duke filluar që me hartimin e Alfabetit të Stambollit.

“Lidhur me autorësinë e Alfabetit të Stambollit shumë studiues janë të mendimit se ai është fryt i punës së Sami Frashërit. Duke mos dashur aspak të zbehim kontributin vetjak, sikundër edhe rolin e tij si kryetar i komisionit, mbështesim mendimin  se ky alphabet ishte vepër e gjithë Komisionit të gjerë, e në veçanti e gjithë punës së pakursyer të Sami Frashërit, Pashko Vasës, Hoxha Tasinit dhe Jani Vretos. Një alfabet, një gjuhë pa thyrje të mëdha dialektore, një shoqëri shqiptare e emancipuar, që duhej të zgjohej dhe të bashkohej nëpërmjet shkollimit dhe kulturimit, si për gjithë Rilindësit edhe për Samiun, ishin rruga si duhet të bëheshin dhe do të bëhen Shqipëria dhe shqiptarët.”, - tha Rrokaj.

Dr. Kastriot Gjika nga ana e tij bëri edhe një analizë të dramave të Sami Frashërit, ndërsa studiuesja Lindita Latifi vërejeti se me veprën e tij, ai gjurmë të thella në letërsinë dhe kulturën shqiptare e turke, duke përhapur idealet e lirisë dhe përparimit.

Ndërsa prof. asoc. Lindita Latifi (Xhanari), studiuese dhe drejtuese e panelit u shpreh se vepra e Sami Frashërit duhet të studiohet më tej.

“Samiu punoi me shpirt për të dy filologjitë tona. Prandaj do të ishte në nderin e të dy filologjive tona të bashkëpunonim për të nxjerrë të plotë kontributin e tij dhe studimet për to.”, - tha ajo.

Aktiviteti për nder të Sami Frashërit u organizua nga Qendra e Studimeve Ballkanike të UNYT në bashkëpunim me Fakultetin Histori-Filologji të UT dhe Bibliotekën Kombëtare.

 

 

 

 

 

 

 

B.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?