122 vjet nga lindja e princit të poezisë, Lasgush Poradeci! Rrëfehet e bija e poetit: Babai për kohën që jetoi nuk u vlerësua! Një vend bëhet kur mendon për kulturë

27 Dhjetor 2021, 17:04| Përditesimi: 27 Dhjetor 2021, 17:14

  • Share

122 vite më parë në 27 dhjetor lindi një ndër pionerët e romantizmit shqiptar, poeti Lasgush Poradeci. 34 vite pas ndarjes nga jeta e tij, e bija Maria në një rrëfim të veçantë për Report Tv, sjell një tablo të jetës së shkrimtarit, plot kujtime e nostalgji për një poet që në kohën kur jetoi e shkroi figura e tij, nuk u vlerësua sa duhej. Ajo zbulon për herë të parë sesi ditëlindjet nuk ishin festuar ndonjëherë në shtëpinë e familjes së poetit.  

Poezia për të ishte liria absolute e shpirtit shprehës të një krijuesi...

Me vargjet e tij e rreshtat e tij ai arritit të depërtoi aq thellë në shpirtin njerëzor sa një qytet I  tërë mori emrin e tij “Pogradeci i Lasgushit”.

Ishte Llazar Sotir Gusho apo siç njihet ndryshe Lasgush Poradeci, gjeniu i lirikës shqiptare ai i cili arriti kulmin e krijimtarisë në mesin e viteve ‘30, të shekullit të shkuar, duke firmosur poezi nga ato që shkruhen vetëm njëherë.

Në ditëlindjen e 122 të Gjeniut të letrave shqipe, e bija e tij, Maria Gusho në një rrëfim të veçantë për Report Tv tregoi për jetën, e dëshirat e hershme të poetit që ndonëse jetoi shekullin e kaluar la një pasuri me arkivin e lirikave të tij.

 ‘Kur ishte babi gjallë ne nuk festonim ditëlindjet, por ditën e emrit. Edhe Vitin e ri, nuk e kemi festuar, kemi festuar vetëm Krishtlindjet. Herë-herë them me vete fati e caktoi që unë të jem vajza e Lasgush Poradecit dhe kjo është për mua si të kapësh qiellin me dorë. Por nga ana tjetër është një dhimbje e pamatë, referuar kohës kur jetoi im atë, pasi ai jetoi në një kohë që nuk i përmendej emri dhe mendo një poeti të mos i botohej vepra, një njeriu poliglot siç ishte babi im dhe me një kulturë të jashtëzakonshme’- tha Gusho.

Për të bijën Maria Gusho, poezia për Lasgush Poradecin ishte një pjesë e pandashme në jetën e tij pa të cilën poeti nuk mund ta kuptonte qënien e vet.  Në pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij, nuk transmeton vetëm emocionin estetik por vetë fuqinë e jetës .

‘Procesi i krijimit është një magji, dhe me këtë magji ishte i mbarsur babai im. Procesi i krijimit është një gjë shumëpalëshe, shumëdimensionale dhe duhet ta kuptosh sepse nuk kam dëgjuar deri më sot asnjë artist të flasë kush është procesi i krijimit pasi babai im thoshte gjithmonë asnjë ditë pa lexuar një faqe. Nga ana tjetër, dashuria është çmenduri. Që të futet poeti në procesin e krijimit duhet të shmanget nga arsyeja njerëzore. Poezia është forma më e lartë e artit dhe e para nga të gjithë të tjerat. Një libër me poezi thoshte babi është një libër formimi, ndërsa një roman është një libër bashkëbisedimi’- tha e bija e Poradecit, Maria Gusho.

I konsideruar, princ i poezisë së dashurisë Lasgush Poradeci shkroi lirika deri në përfundim të Luftës së II-të Botërore, ndërsa ajo që nuk diti të ndante kurrë nga vetja, ishte dhe dashuria e tij për familjen.

‘Babai im duke u rritur në një familje të madhe në Pogradec, ai e dashuronte familjen, e donte shumë. Për mamin tim pas vdekjes, thoshte ishte kaq e mirë sa nuk ma prishi kurrë. Mami ishte një grua që e kuptonte çfarë ishte procesi krijues. Njeriu nuk realizohet vetëm me familjen. Kur ti realizon vokacionin tënd është lumturia.’- u shpreh Gusho.

Një pjesë e rëndësishme që vijon ruan e bija Maria, nga kujtimet dhe biblioteka e pasur e poetit janë ditaret e vegjël, korrespondencat intime dhe letërkëmbimet e shkrimtarit që ka pasur ndër vite me shokun e tij të Bukureshtit Mitrush Kutelin.

‘Është vetëm një ditar, që ne e bëmë me rastin e 100 vjetorit të lindjes së babait tim. Dhe ai është një ditar i letrave të dashurisë të mamit dhe babit. Po, ai ishte korrespodenca dhe ditar dhe të shoqëruara bashkë me datë sepse babi ka mbajtur ditar gjatë gjithë kohës. Madje, babi kishte një veçori mbante kopje të letrës, që niste. Korrespondencën e Mitrush Kutelit dhe me Asdreni kështu i kam botuar. Ai nuk ishte  një person, ishte një personalitet.

Pas kësaj që i thonë se erdhi Demokraci, që se besoj se është demokraci.  Babit nuk i është dhënë ajo që i takon deri më sot. Nuk bëhen kështu gjërat. Këta njerëz të mëdhenj, në çdo vend të kulturuar të botës, po ne mesa duket nuk bëjmë pjesë në këto kombe, i institucionalizon personat e veçantë që ka, në kuptimin që i trajton si një institucion. Sepse ai vazhdimisht thoshte kur ishte gjallë, kujdestarja e dokumentave të mia të jetë Nëna Shqipëri’- tha vajza e poetit.

Janë mbi 25 mijë fletë dokumente dhe objekte nga trashëgimia e pasur e tij dhuruar nga familja e poetit që ruhen sot në fondin e Arkivës Qëndrore të Shtetit mes tyre letërkëmbime, 8562 fletëshkrimi, 3662 fletë gazeta, 14 harta, ftesa, telegrame, kartmonedha, kartolina e dekorata të aksesueshme për studiuesit.

Filolog, përkthyes, shkrimtar dhe pioner i Letërsisë Moderne shqipe të shek të XX,  Lasgush Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” botuar në 1933 dhe “Ylli i zemrës” i 1937 në Bukuresht. Ai lindi në 27 Dhjetor  1899 në Pogradec dhe u nda nga jeta në 12 nëntor të vitit 1987 në Tiranë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Raqi: 27/12/2021 22:49

    Po kjo bela e madhe. Edhe kjo ankohet? Me shume sec beri Enveri per te vleresuar shkrimtaret (pershire dhe kete zoterine) ska bere dhe sdo te beje asnje tjeter.

    Përgjigju
  • epo kjo pune: 27/12/2021 22:21

    moj zonje, babai ishte me emer por boll me gjepurat e mosvleresimit se sot te jesh poet nuk ta var torben kush... atehere babane e njihte I madh e I Vogel, ate kohe ishte stimuli moral sot eshte qesja parave

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?