TIRANË- Një ditë pasi Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dënuar me 186 vite burg 17 të pandehurit për dosjen 339/3 të laboratorit të drogës në Has, Report Tv mëson se është vendosur edhe konfiskimi i pasurive të tyre. Ndërkohë, ia vlen të theksohet se GJKKO ka aplikuar për herë të parë dënimin për pastrim parash, për Admir Hoxhën, Hekuran Hoxhën dhe Shkëlqim Avdylin, pas kërkesës së SPAK.
Kjo pasuri kap vlerën e rreth 5 mln euro dhe do t’i kalojë në favor të shtetit. Bëhet fjalë për një resort 4 katësh në Rinas, truall ndërtimi dhe automjete luksoze. Më konkretisht i është konfiskuar resorti "Ador” me sipërfaqe 3320 m2, me katër kate bar restorant, parking dhe hotel, në Rinas Tiranë, në pronësi të Admir Hoxhës. Gjithashtu Hoxhës i është bllokuar edhe automjeti tip Audi me targë AA 485 SN.
Resorti i konfiskuar në pronësi të Admir Hoxhës
Pasuritë e Admir Hoxhës dyshohet se janë vendosur nga të ardhurat e krijuara nga aktiviteti kriminal. Sipas prokurorisë Admir Hoxha së bashku me kushëririn e tij Hekuran Hoxha (lexo këtu) janë dy drejtuesit e grupit kriminal, dhe personat përgjegjës që kishin organizuar futjen në Shqipëri nga Kosova të 161 pakove me heroinë, që më pas përpunohej në laboratorin e Hasit që u zbulua në 19 tetor të vitit të kaluar (lexo këtu). Sasia e drogës, ishte fshehur në një shtëpi në një nga fshatrat e Hasit, dhe prej këndej po planifikohej të transportohej në Durrës, më pas në Itali. Admir Hoxha, që njihet si ideatori i krijimit të laboratorit të zbuluar në Brenog të Hasit bashkëpunonte me grupin e Avdylajve të Shijakut, por edhe të tjerë në Lezhë, Fier dhe Sarandë.
Mes të dënuarve janë vëllai ish-deputetit socialist Arben Ndoka, Gjevi Ndoka i cili u dënua me 8.8 vite dhe Ronin e Shijakut, Hekuran Hoxhën ndaj të cilit u vendos 10 vite e 8 muaj burg. Ndërkohë janë dënuar dhe pjesëtarë të grupit Avdylaj të Shijakut, Altin Avdylaj dhe Shkëlqim Avdylaj me nga 6.8 vite dhe 4.8 vite burg. Me 12 vite burg është dënuar dhe Admir Hoxha i cili tashmë ndodhet ende në arrati.
Pasuritë e konfiskuara
-Bar-Restorant, Hotel “ADOR” 1,2,3,4 kat +Podrum, në Rinas, Krujë, me sipërfaqe 3320 m2, sipërfaqe ndërtimi 638 m2, katër kat mbi tokë, një kat nën tokë, me sipërfaqe podrumi 630 m2, kati përdhe 550 m2, kati i dytë 180m2, kati i tretë 30m2, në pronësi të të pandehurit Admir Hoxha, të konfiskohet dhe të kalojë në favor të shtetit.
-Automjeti tip Audi, me targë AA 485 SN, në pronësi të të pandehurit Admir Hoxha, të konfiskohet dhe të kalojë në favor të shtetit.
-Automjeti tip “Porche Cajen” me targa AA323 PE, në pronësi të të pandehurit Esat Mehmeti, të konfiskohet dhe të kalojë në favor të shtetit.
-Automjeti me targa AA 462 AD, “MITSUBISHI”, në pronësi të të pandehurit Xhevit Shuti, të konfiskohet dhe të kalojë në favor të shtetit.
-Automjeti me targa DR 328 A, të konfiskohet dhe të kalojë në favor të shtetit.
-Automjeti me targa AA 643 UP, në pronësi të të pandehurit Flamur Çelaj, të konfiskohet dhe të kalojë në favor të shtetit.
-Automjeti me targa AA 870 UP, në pronësi të të pandehurit Shkëlqim Avdyli, të konfiskohet dhe të kalojë në favor të shtetit.
-Automjeti Audi A6, me targa AA 593 RN, në pronësi të të pandehurit Saimir Sulejmani, të konfiskohet dhe të kalojë në favor të shtetit.
Dënimet e GJKKO
Gjevi Ndoka me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim
Esat Mehmeti me 10 (dhjetë) vjet burgim
Petrit Sulejmani me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim
Saimir Sulejmani me 8 (tetë) vjet burgim
Altin Avdyli me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim
Hajri Seferi me 10 (dhjetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim
Orges Jahelezi me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim
Mario (alias Edinjo) Zeqiri me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim
Elton Shehaj me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim
Ardit Gjyriqi me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim
Admir Hoxha me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim
Hekuran Hoxha me 10 (dhjetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim
Xhevit Shuti me 8 (tetë) vjet burgim
Flamur Çelaj me 8 (tetë) vjet burgim
Vehbi Berushi me 8 (tetë) vjet burgim
Shkëlqim Avdyli me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim
Anila Shuti për një afat 24 (njëzet e katër) muaj, me kusht që të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe gjatë kohës së provës të mos kryejë asnjë vepër penale tjetër