127 qytetarë nga Kosova morën pasaportën shqiptare në 2022, Hoxha: Fluks i madh aplikimesh në Kukës e Has

18 Shkurt 2023, 15:36| Përditesimi: 18 Shkurt 2023, 15:42

  • Share

Lebibe Kosova jeton në Prizren, por tashmë gëzon shtetësinë shqiptare. Arsyeja është e thjeshtë, me pasaportë shqiptare mund të udhëtojë lirshëm në Europë. Gruaja nga Prizreni edhe pse nuk ka jetuar asnjë ditë në vendin tonë, ka mund të marrë pasaportën, pasi ka mundur të vërtetojë origjinën e saj nga Kruma e Kukësit.

"Jam nga Prizreni, kam apliku për shtetësi shqiptare një vit më parë. Gjyshen e kam pas prej Krume. Kam aplikuar unë, nana dhe dy motrat. Është krenari për mua, por edhe përparësi e madhe, se mund të lëvizësh lirshëm. Unë dhe nana kemi pasur fatin që e kemi pas pozitive përgjigjen, tani po presim që ta marrin dhe dy motrat", tha Lebibe Kosova.

Me ndryshimet që iu bënë Ligjit për Shtetësinë në vitin 2020, çdo shtetas i huaj përfiton pasaportë shqiptare duke vertetuar se paraardhësit i ka nga Shqipëria. Ky ligj favorizon shumë kosovarët të cilët çdo ditë e më shumë aplikojnë në zyrat e gjendjes civile të Kukësit.

“Ka lehtësira në përfitimin e shtetësisë. Aplikojnë qytetarët që kanë lidhje gjaku deri në tre breza, sidomos ata që jetojnë në zonat kufitare të Kukësit Hasit e Tropojës. Dikush ka gjyshin e gjyshen nga Shqipëria, pra kanë lidhje gjaku”, tha Rezart Hoxha, specialist i Zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë e Kukësit.

127 qytetarë të Kosovës, më së shumti të zonave kufitare me Kukësin, Hasin dhe Tropojën që kanë vërtetuar origjinën e tyre shqiptare me lidhje gjaku deri në tre brezë dhe kanë fituar shtetësinë shqiptare gjatë vitit 2022, ndërkohë që numri aplikuesve është gjithnjë në rritje.

“Kemi 127 fitim shtetësie në bashkinë Kukës për vitin 2022. Është rritur ndjeshëm numri i aplikimeve në masë si në Kukës ashtu dhe në Has. Krahasuar me vitin e kaluar ka rritje të madhe të aplikimieve dhe të fitimit të shtetësise dhe për vitin 2023. Pas bëjnë aplikimet e dorëzojnë dokumentet, shtetësia vendoset me dekret të Persidentit”, vijoi ai.

Fitimi i shtetësisë me origjinë parashikohet nga neni 6 i Ligjit Nr. 113/2020 “Për shtetësinë shqiptare”.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • erza: 19/02/2023 11:16

    si e ke ber aplikimin per pasaport te shqiperis a mund te me tregosh

    Përgjigju
    • Blerim Bytyqi: 19/02/2023 15:05

      Dua te aplikoj per shtete si shqiptare mbasi qe gjyshi I babes tim ka lindur ne trupoje

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?