1278 invalidë në Bulqizë 2 muaj pa kemp! Reagon Bashkia për Report Tv: Sapo janë zhbllokuar fondet, nesër nis shpërndarja

15 Dhjetor 2020, 16:51| Përditesimi: 15 Dhjetor 2020, 17:01

  • Share

BULQIZË- Prej dy muajsh, 1 278 persona nuk kanë marrë pagesën e invaliditetit në bashkinë e Bulqizës dhe njësitë e saj vendore.

Familjarët që kanë persona të sëmurë në shtëpi po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike dhe shëndetësore.

 “Kam një vajzë të djalit tim, e kam invalide. Ka 2 muaj nuk më kanë dhënë kempin. Është një moshë 19 vjeç, a nuk është gjynah t’ia presin dhe atë kemp. Aq pak sa merr po të paktën t’ia japin në kohë.  Ne shkojmë nëpër spitale, duke bërë terapi, për terapi po nuk dhe lekë nuk të sheh kush. Jemi duke shitur kafshatën e bukës, që të shkojmë në Tiranë. Unë do shes gjakun tim dhe asaj duhet t’ia paguaj. Ky shtet të mendoj për këto njerëz, se jemi gjynah e nuk i kemi bërë keq askujt” shprehet banorja

“2 muaj kemi pa marrë lekët, burri invalid me një pension dhe cuni invalid ku të marrim në 2 muaj pa marrë lekët. Më ngushtë që jemi, ne do shkojmë edhe njëherë tek Bashkia dhe nuk kemi ç’a të bëjmë më. 10 ditë para komunës kemi ndenjur dhe asgjë” shprehte një banore tjetër.

Report Tv u interesua pranë Bashkisë së Bulqizës ku mësoi se fondet kanë qenë të bllokuara nga Ministria e Financave.

 “Kemi pasur një problem në çeljen e fondit nga Ministria, por fondi ështëçelur. Kanë kaluar urdhër-shpenzimet dhe besoj nesër nis shpërndarja e fondit të paaftësisë për të gjithë ata që nuk i kanë marrë”, tha Zhuljeta Deda, Drejtoreshë e Shërbimit Social.

Në Bashkinë Bulqizës trajtohen me pagesën e aftësisë së kufizuar rreth 706 persona ku përfshihen paraplegjik, tetraplegjik dhe të verber, ndërsa 572 persona trajtohen me pension invaliditeti.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kromi: 15/12/2020 17:32

    Turp e faqja e zeze. Qyteti me i pasur me burime natyrore, s'ka leke per innvalided. Po ky qytet duhet te ishte me i zhvilluari nga te gjithe. O kryetar bashkie, verju taksat e duhura hajduteve te kromit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?