Nën tingujt e muzikës së përzgjedhur, e zërin e Bojken Lakos, ‘Travel Fest Albania’, nisi mbrëmjen e së hënës në Amfiteatrin e Tiranës, misionin e tij për të promovuar vendin përmes kinematografisë e për t’i sjellë shqiptarëve magjinë e filmave ‘travel’.
“Është një ide fantastike! U gëzova shumë kur mësova se miqtë e mi Luljeta Progni dhe Altini kanë ndërmarrë një nismë të tillë, këtë e them duke pasur parasysh potencialin e saj, për dokumentarët e punët e realizuara në kohë. Mendoj se do t’i shërbejë promovimit të kulturës, kinematografisë, vendit!”, thotë këngëtari Bojken Lako
I pari film që çeli maratonën kinematografike, ishte “Mirëdita Shqipëri” një produksion izraelit që i dedikohet vendit tonë. Të përzgjedhur mes 1000 filmash, 128 produksione nga 42 vende të botës do të shpalosin në 4 kinema të kryeqytetit një sërë tematikash për zhvillimin, turizmin natyror e padyshim eksperiencën e udhëtimit e xhirimit nëpër botë. Hyrja do të jetë e lirë e filmat të titruar në shqip, ndaj dashamirësve të kinematografisë, s’u ngelet veç të shijojnë një larmi produksionesh të ekranizuara.
“Ka larmishmëri, filma për mjedisin, për aventurën, për shpirtin njerëzor të sakrificës. Kemi dhe filma nga Shqipëria, e filma nga produksione të huaja për Shqipërinë, kështu që mendoj se publiku do të ketë se çfarë të shikoj gjatë kësaj jave”, thotë drejtori i Festivalit, Pandeli Çeço.
Kjo alternativë e turizmit kulturor që zgjat deri në 24 korrik, do të afrojë si të ftuar edhe dhjetëra autorë, që do të shkëmbejnë përvoja filmike, e pse jo ta shohin vendin tonë si një destinacion për produksionin e ardhshëm.
“Pavarësisht se është një vend i vogël, Shqipëria është një shesh xhirim i madh për mendimin tim, sidomos për filmat ‘travel’ sepse i ka shumë afër. Po ashtu ka njerëz që mund të kontribuojnë për këtë tipologji filmash, kështu që mendoj se është një vend i shkëlqyer për të xhiruar një film travel”, shton më tej Çeço.
“Ky edicion i parë i ‘Travel Fest’ do të thotë shumë për Tiranën, pasi do të sjellë kineastë të shumtë nga jashtë, emra të njohur, edhe pse jo të shndërrohet në një vend ku bashkëpunimet e kinematografisë së huaj me shqiptarët të zhvillohen”, thotë Gentian Kurti, drejtori artistik i Festivalit.
Me një juri të përfaqësuar nga shqiptarë e të huaj, me emra si Ema Andrea, Lindita Zeqiraj e të tjerë, nata e fundit do të përmbyllet me një ceremoni të veçantë, ku fituesit do të mund të shijojnë një udhëtim tre ditor në destinacionet më të bukura shqiptare.