Në 130-vjetorin e lindjes së orientalistit, studiuesit, historianit, gjuhëtarit dhe etnologut Osman Myderrizi Akademia e Shkencave organizoi një veprimtari për të vlerësuar kontributin e tij në këto fusha. Akademiku dhe historiani Pëllumb Xhufi përpos vlerësimit që i bëri në këto fusha, ndali veçanërisht tek dy sprovat më interesante të Myderrizit në fushën e historisë së Shqipërisë, atë mbi kryengritjen e Shqipërisë së Mesme të viteve 1914-1915 dhe studimin mbi etnonimet “shqiptar” dhe “Shqipëri”.
“Osman Myderrizi është shquar për idetë e tij novatore, për çështje fondamentale edhe të debatuara në historinë e Shqipërisë, siç është kryengritja fshatare në 1914-‘15, që ka sjellë ide të reja, që binin ndesh me historiografinë zyrtarë të atyre viteve. Ai ka dhënë një tezë shumë interesante mbi përhampjen emrin e shqiptarëve dhe të vendit, që u afirmua pas shek. XVII, që lidhen edhe me islamizimin masiv të vendit, pra të shoqërisë shqiptare”, shprehet Xhufi.
Etnikoni “shqiptar” në dukje i ri, sipas shpjegimit të Osman Myderrizit, vinte nga thellësia e shekujve, të paktën nga shek. XIV, kur në Drisht përmendet një familje me mbiemrin “Skupidari”. Gjuhëtari Seit Mansaku studimin e dokumentacionit historik nga Myderrizi, që ka pas në qendër dëshmitë për emrin etnik shqiptar, e cilëson shumë të rëndësishëm
“Kontributi i tij është për të vlerësuar për punën këmbëngulëse në gjurmimin e dokumentacionit historik edhe për një intuitë të mprehtë shkencore në interpretimin e tij, dëshmojnë edhe disa artikuj të tij për emrin e lashtë etnik të shqiptarëve në mesjetë dhe për rrethanat që u përhap emri i ri etnik shqiptar”, thotë Mancaku.
Osman Myderrizi lindi në Tiranë. Studimet i kreu në shkollën pedagogjike. Nga 1913 deri në 1922 punoi si mësues e drejtor shkolle. Gjatë viteve 20 të shek.XIX ka drejtuar gazetën “Zani i ri” në Tiranë dhe ka qenë deputet i qarkut të Durrësit. Ndërsa më 1924-n ka përfaqësuari Tiranën në Asamblenë Kushtetuese. Përpos hartimit të tekstit të “Gramatikës së re të shqipes: – fonetikë e morfologji” (1944) ka edhe meritën e zbulimit të disa autorëve bejtexhinj dhe të transkriptimit e të studimit të teksteve të tyre. Studimet e tij në këtë fushë u përgjithësuan në monografinë “Letërsia shqipe me alfabet arab”. Ka përgatit botimin kritik të fjalorit të Hafiz Ali Ulqinakut (1965). Ai ka dhënë ndihmesë edhe në diskutimet për çështje të veçanta të historisë së Shqipërisë.