Bimë narkotike dhe një sasi kanabisi e gatshme u zbulua në një banesë në fshatin Lazarat të Gjirokastrës.
Droga prej 1.4 kilogramë u gjet në banesën e një banori të zonës, me iniciale M.M., i cili u arrestua.
Po kështu, në oborrin e shtëpisë së tij u konstatuan disa bimë narkotike. Këto të fundit u zbuluan nga ajri përmes dronit të policisë.
Kujtojmë se dy ditë më parë, po në Lazarat droni i policisë zbuloi të tjera bimë narkotike në oborrin e një banese.
Njoftimi i Policisë Gjirokastër:
Gjirokastër/ Vijojnë kontrolle intensive, në zbatim të planit operacional anticannabis, të koduar “Koordinata”.
Në një banesë në Lazarat:
-sekuestrohen 1.4 kilogramë Cannabis Sativa, gati për shitje.
-asgjësohen disa bimë narkotike.
Arrestohet shtetasi që kishte kultivuar bimët dhe prodhuar lëndën narkotike.
Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër goditën një tjetër rast të kultivimit/prodhimit të narkotikëve, për të cilin u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi M. M..
Gjatë kontrolleve, në oborrin e banesës së këtij shtetasi, u gjetën të kultivuara, disa bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, ndërsa në banesë iu gjetën rreth 1.4 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, gati për shitje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Komente
