Prej më shumë se një jave në Shqipëri, numri i të shëruarve është më i lartë se ai i personave aktivë të infektuar me koronavirus. Aktualisht janë 314 të shëruar në total, dhe vetëm 222 raste aktivë, nga 562 që është numri në total i të gjithë të infektuarve në vendin tonë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar me COVID-19 14 raste të reja nga 231 persona të dyshuar që u testuan. Nga këto teste, 35 ishin personel mjekësor, ku vetëm një bluzë e bardhë në Shkodër doli pozitiv. Nga 14 rastet e reja, 7 janë në Krujë, 5 në Tiranë dhe 2 në Shkodër.
Deri më tani në Shqipëri janë kryer 5542 teste, nga të cilat vetëm 10% e të testuarve kanë dalë pozitiv, pra shifra 562 të prekur. Sipas Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik, kjo shifër tregon "për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm testimesh për të vlerësuar situatën".
Deri më tani, Shqipëria shënon 26 viktima të prekur me koronavirus. shumica prej të cilëve kanë pasur edhe sëmundje bashkëshoqëruese.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavion.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 42 pacientë.
"Pavarësisht luhatjeve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. Në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat e distancimit fizik, si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit. Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", tha Dervishi.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive:
- Tiranë 251 raste
- Durrës 42 raste
- Lushnje 6 raste
- Elbasan 16 raste
- Fier 36 raste
- Kavajë 9 raste
- Rrogozhinë 4 raste
- Korçë 19 raste
- Vlorë 5 raste
- Shkodër 96 raste
- Lezhë 14 raste
- Berat 2 raste
- Has 13 raste
- Krujë 18 raste
-Tropojë 4 raste
- Pukë 5 raste
- Mirditë 3 raste
- Kukës 11 rast
-Mallakastër 1 raste
- Kurbin 7 raste
Report Tv mëson së në rezultatet e testeve të bëra në 24 orët e fundit për 12 persona të dyshuar si raste kontakti me të infektuarit në qytetin e Kukësit, të gjithë kanë dalë negativë.
Që prej rastit të parë me koronavirus janë bërë testime për 137 qytetarë të dyshuar dhe nga testet rezulton se deri më tani në qytetin e Kukësit janë 11 raste të prekur me COVID -19. Në Kukës janë 11 raste, në Has 13 raste dhe Tropojë 4 raste dhe vetëm një vdekje në Has. Betejën me koronavirusin e ka fituar nëna 90-vjeçare nga Hasi ndërsa të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Sot u konfirmuan dy raste të reja me koronavirus në Shkodër, duke e çuar numrin e të prekurve në këtë qytet në 96, që e konfirmon kështu edhe njëherë si vatër infeksioni. Burime bëjnë me dije se dy të prekurit e sotëm janë një infermier që punon në reaminacion dhe një efektiv i FNSH-së