Sali Berisha dhe Dritëro Agolli

14 shtator ’98 / Dritëro Agolli për Berishën: Po tmerron Tiranën me një grup vagabondësh, futeni brenda pa i hequr imunitetin

15 Shtator 2020, 21:24| Përditesimi: 15 Shtator 2020, 21:58

  • Share

Gushti i shtetit të 14 shtatorit të vitit 1998, ku grupe të armatosura nën komandën e Sali Berishës pushtuan shumicën e institucioneve, duke shfrytëzuar vrasjen e Azem Hajdarit, ka dominuar punimet e Kuvendit gjatë vjeshtës së atij viti. Pas mbledhjes në datën 15 shtator ’98, ku u miratua deklarata për dënimin e grushtit të shtetit si dhe u diskutuan hapat e kundërpërgjigjes, Parlamenti u mblodh sërish në datën 17 shtator, tre ditë pas ngjarjeve të rënda. Në këtë seancë ka mbajtur një qëndrim të fortë edhe deputeti, shkrimtari, akademiku, shkrimtari, mendimtari Dritëro Agolli, i cili është ndarë nga jeta tre vite më parë.

Agolli mban qëndrim pas raportimit të ministrit të Brendshëm, Perikli Teta, për situatën, ndërkohë që kishin nisur lëvizjet për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Agolli e krahason selinë se Partisë Demokratike me një kështjellë nga e cila dalin banda të armatosura që tmerrojnë Tiranën. Agolli shprehet në Parlament se në mitingjet e Berishës marrin pjesë vetëm disa vagabondë, ndërsa falënderon qytetarët e Tiranës për distancimin. Shkrimi pohon gjithashtu që prokuroria dhe policia nuk duhet të tallen me kërkesa për heqje imuniteti, por të shkojnë tek selia e PD dhe t’i arrestojnë në flagrancë krerët e grushtit të shtetit.

Në atë kohë, selia e PD ishte mbushur me armë. Në selinë e PD ishin strehuar gjithashtu grupe të armatosura, të cilat herë pas herë kryenin sulme për të plaçkitur bankat dhe komisariatet. Ministri i Brendshëm, Perikli Teta, raportin në Kuvend se PD-së i ishin dërguar një shkresë për dorëzimin e armëve, por rezistenca vijonte. Ndërkaq, në seancën e datës 18 shtator miratohet kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Sali Berishës me akuzën e organizimit të kryengritjes së armatosur.

Diskutimet në Parlament datë 17.09.1998 për grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998:

-Perikli Teta: I nderuar Kryetar, të nderuar zotërinj deputetë, deputetët Luan Rama, Dritëro Agolli, Arta Dade dhe Ermelinda Meksi më kanë kërkuar informim në një seancë pyetjesh urgjente për çfarë ka ndodhur nga momenti i vendimit të Qeverisë e deri tani për çarmatosjen e PD -së, sa është situata nën kontroll nga Qeveria? Ju raportoj se situata në momentin që po flas është nën kontroll të plotë nga forcat e rendit, janë marrë të gjitha masat në Tiranë dhe në gjithë territorin e Shqipërisë, duke organizuar të gjitha shërbimet e policisë për të mos lejuar përsëritjen e turpit të datës 14 shtator 1998. Dje dhe pardje të gjitha tentativat për të sulmuar e për të plaçkitur, në radhë të parë komisariatet, bankat dhe organet shtetërore, dështuan. Dështoi dhe tentativa e natës së kaluar për rrëmbimin e një anijeje të sekuestruar. Policia Ushtarake dhe brigada komando kanë kaluar në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik dhe janë vënë në ruajtje të objekteve të rëndësisë së veçantë. Në të gjithë vendin, në 24 orët e fundit, janë ushtruar kontrolle dhe janë ndaluar shumë shtetas me armë dhe municion. Është njoftuar shkresërisht PD-  të gjithë organizmat e tjerë shtetërorë dhe joshtetërorë për dorëzimin e armëve dhe municioneve që ata kanë. Morali i forcave të rendit është i lartë dhe janë të vendosur për kryerjen e detyrave konform ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Mendoj se është radha juaj tashmë, zotërinj deputetë, të zhvilloni përgjegjësitë politike për të shmangur destabilizimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

-Luan Rama: Z. Kryetar, përfitoj nga rasti i kësaj seance pyetjesh me Ministrin e Rendit për ta përshëndetur dhe për ta falënderuar përpara të gjithë kolegëve deputetë për qëndrimin dhe vendosmërinë e treguar në datën 14 shtator për të përballuar me sukses një sulm të armatosur të bandave, të cilin e përjetuam bashkërisht...

-Dritëro Agolli: Edhe unë e falënderoj zotin ministër për atë raport të shkurtër që dha këtu për gjendjen, por ne dhe shumë euforikë nuk duhet të jemi, sepse gjendja është tepër e rëndë. Po dëgjojmë se si sulmohen nga banda të veçanta ose individë komisariatet e rretheve, bllokohen rrugë, vidhen, si në Lundër, ndihmat, siç e thonë gazetat dhe të gjitha këto flasin se ai puç , ai grusht shteti nuk ka mbaruar, por vazhdon, sepse është edhe kështjella nga doli ky grusht shteti. Kështjella, si ato të lashtat, është atje me grupin e armatosur mu në mes të Tiranës. Ky është një rast i veçantë që nuk ka ndodhur në asnjë nga kryeqytetet e botës, vetëm te ne, se ne jemi tepër të veçantë. Që të kesh një bunker ose një kështjellë në mes të Tiranës, ku fshihet një bandë e tërë dhe herë pas here bën yxhyme në shesh, se këta nuk janë as të mbuluar, po të ishin të mbuluar ishte ndryshe, po këta bëjnë yxhym, dalin e futen përsëri brenda dhe ne bëjmë mbledhjen e Parlamentit. Kjo kështjellë është bërë tmerri i Tiranës, ditë për ditë bëhen yxhyme, siç thashë, sa dëgjojnë njerëzit mitingje, "Obobo", thonë dhe hyjnë nëpër shtëpitë.

Fëmijët tmerrohen, "Po vjen mitingu", thonë. Në vend që mitingjet të ishin një dialog me popullin, tani janë bërë më të tmerrshmit aq sa njeriu thotë "Amani ku të futem, se erdhi mitingu". Bravo i qoftë Tiranës, që nuk shkon asnjë nga qytetarët e Tiranës, përveç disa vagabondëve që shkojnë atje. Të gjithë, sa shikojnë mitingjet, mbyllin qepenat e dyqaneve dhe hyjnë brenda. Është krijuar një ankth, ankth të dalësh te dera kur troket, ankth se të shajnë në telefon, ankth të shkosh në rrugë, ankth të vish në Parlament se nuk dihet, të bëjnë atentat, ankth të jesh në mbledhje të Parlamentit, sepse sulmohesh, të kërkojnë koburen këta rojet, atyre që kanë kobure, unë nuk kam, u thonë “A je i armatosur?". Ai vetë nuk është i zoti të të mbrojë dhe i thotë dhe deputetit më jep armën. Se u provua si hynë këtu, ku i kishin koburet, t’ i marrin dhe t’ua japin atyre që do të vijnë këtu. Kështu nuk bëhet kjo punë, domethënë siç është një parregullsi në të gjitha, po këtu të marrin kokën, ne nuk jemi si deputetët evropianë. Në Evropë po, ta marrin koburen, po këtu të kërkojnë kokën kur i ke të armatosur të gjithë ata që thamë.

Prandaj, unë them që më mirë të mos jepni ultimatume që brenda kësaj ose asaj kohe do të bëjmë këtë e atë, në agim unë do ta marr kështjellën dhe pastaj sa agime kanë kaluar dhe kështjella nuk është marrë e të tjera çarmatime. Atëherë, në qoftë se ti merr kështjellën, nuk ka nevojë as të kërkosh heqje mandati, sepse atyre që kërkon t’u heqësh mandatin, i ke në kështjellë. Në bazë të ligjit, po e zure në flagrancë ti e fut brenda menjëherë, qoftë deputet, qoftë kryeministër të jetë ose ministër, prandaj nuk ka nevojë as të bëjmë heqje mandati, propozime ose nga vijnë ato nga gjykata. Gjykata të shkojë atje ta marrë brenda, pse na i sjellin neve, tallet dhe bota me Parlamentin, jo ia heq imunitetin, jo nuk ia heq, shko atje zëre dhe hiqja imunitetin. Kaq kisha.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gege Kosova: 17/09/2020 16:04

    Shqiptaret duhet degjuar zerin e arsyes dhe te ndergjegjes se paster e te pergjegjeshme kombetare,qe te eleminojne shkaktarin e varferisee shqetesimeve te popullit dhe trazirave ne Shqiperi.

    Përgjigju
  • Turi: 15/09/2020 22:32

    Per te bere drejtesi nuk eshte vone kurre futeni ne burg kete kriminel hajdut qe shkaterroj gjithe Shqiperine

    Përgjigju
  • Hinglateri: 15/09/2020 22:06

    Te kishin degjuar Driterone do kishim shpetuar nga nje hale

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?