TIRANË- Me rastin e 143-vjetorit të lindjes së atdhetarit të shquar Luigj Gurakuqi, salla kryesore në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ka marrë emrin e tij.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi gjatë fjalës së saj tha se figura e Luigj Gurakuqit në këtë sallë do të shërbejë si një frymëzim për të gjithë. Ajo tha se vendimet e rëndësishme që merren në këtë sallë, duhet të jenë jo vetëm të drejta, por edhe me shumë dashuri, pikërisht siç ishte dashuria e Luigj Gurakuqit për atdheun, shqiptarët dhe arsimin.
Historiani Pëllumb Xhufi, duke bërë një vlerësim historik të figurës së Gurakuqit, u shreh se nuk ka nder më të madh për këtë ministri se të mbajë emrin e tij në këtë sallë.
I ftuar i veçantë ishte edhe poeti dhe regjisori Nikolin Gurakuqi, pasardhësi i Luigj Gurakuqit, i cili shprehu falënderime që një nga sallat më të rëndësishme në Ministrinë e Arsimit do të mbajë emrin e stërgjyshit të tij.
Ndërkohë Ditmir Bushati në fjalën e tij u shreh se veprat e atyre që kontribuan për Shqipërinë dhe brezat e ardhshëm duhen nderuar sa më shumë.
Përurimi i bustit u bë nga Ministrja Kushi dhe skulptori i talentuar Benard Lekgegaj, mësues në Liceun Artistik në Tiranë, i cili e punoi këtë bust enkas për këtë përvjetor të Gurakuqit për t'ia dhuruar kësaj ministrie.
Aktori Kastriot Çaushi, njëherazi edhe rektor i Universitetit të Arteve, dhuroi emocione me interpretimin e Elegjisë së Nolit për Luigj Gurakuqin "SYRGJYN VDEKUR".
Siç njofton zyra e shtypit, të pranishëm në këtë aktivitet ishin rektorë të universiteteve publike, drejtues të institucioneve arsimore parauniversitare, si dhe drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.