Të gjithë ata individë që gjatë vitit që lamë pas kanë pasur pagë bruto mbi 100 mijë lekë në muaj, për herë të parë do të dorëzojnë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale për vitin 2024. Janë rreth 144 mijë individë sipas Tatimeve që duhet të dorëzojnë deklaratën e të ardhurave deri në 31 mars 2025.
Kush nuk e dorëzon deklaratën gjobitet me 3 mijë lekë, të cilës i bashkëngjitet edhe interesi dhe kamatëvonesa. Plotësimi i kësaj deklarate i shërben Administratës Tatimore për të bërë kontrolle për evazion fiskal si dhe për të hetuar pasurinë.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve
31 marsi është afati i fundit për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2024.
Administrata Tatimore rikujton individët rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2024:
· kanë pagë bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë;
· janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit;
· realizojnë të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim,
të plotësojnë “Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale”, si detyrim ligjor i individit, subjekt i deklarimit.
Parashikohet që numri i deklaruesve të DIVA 2024 të jetë mbi 144 mijë individë, duke pasur parasysh që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, me uljen e kufirit nga 2 milion në 1.2 milion, numri i deklaruesve pritet të jetë shumë më i lartë se vitet e mëparshme.
Administrata Tatimore njofton se deklarata DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Rubrikat e sipërpërmendura, megjithëse gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato. Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit përsa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Komente
