Kjo fundjavë shënon premierën absolute të shfaqjes “15 ditë prilli” me regji të Driada Dervishit, që do të vijë për publikun në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Shfaqja është një dramatizim i romanit me të njëjtin titull nga Anisa Markarian.
“Romani im i parë ‘15 ditë prilli’, të cilin e dramatizova me kërkesën e regjisores Driada Dervishi, e cila menjëherë sapo lexoi librin më shkruajti dhe më tha: sa keq që nuk jam regjisore filmi, se ky libër është film dhe i thashë: mund të jetë edhe pjesë teatri. Dhe kështu lindi ky bashkëpunim, që po kurorëzohet më në fund pas gjashtë vitesh të gjata, por projektet e mëdha duan kohë të piqen dhe të ngjiten në skenë.”, - thotë Markarian.
Teksti është një gërshetim i situatave sa dramatike, aq groteske e me nota humori. Autorja, e konsideron “15 ditë prilli” si një detyrim moral për të transmetuar kujtimet dhe përvojat e saj.
“15 ditë prilli ka trysninë e madhe të 15 ditëve të fundit të regjimit që kemi jetuar. Personazhe të ndryshme të të gjitha sferave, të të gjithë shtresave të shoqërisë, se si i përjetojnë këto 15 ditë: dikujt i rrëshqet toka nën këmbë, sepse është shumë i lidhur me regjimin, dikush tjetër mezi pret lirinë e të realizojë ëndrrat për një jetë më të bukur e më të lirë.”, - vijon Markarian.
Në shfaqje interpretojnë 12 aktorë, mes të cilëve: Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Adelina Muça etj. Shfaqja do të vijë për publikun në datat 1, 2, 3 dhe 4 mars.
Autorja Markarian, e njohur nga publiku i gjerë si aktore, me profesion mjeke, prej vitesh tashmë i është kushtuar shkrimit, duke botuar një sërë librash, më i fundit prej të cilëve është “Fshesarja e Republikës”.
Komente
