'15 kilogramë eksploziv', ministri Sveçla jep detaje nga sulmi i kanalit të ujit Ibër-Lepenci: Akti më i madh terrorist ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë

30 Nëntor, 09:06| Përditesimi: 30 Nëntor, 10:09

  • Share

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar akt terrorist shpërthimin e sotëm në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Sveçla ka thënë se ky shpërthim është akti më i madh ndaj infrastrukturës jetike, që nga përfundimi i luftës në Kosovë.  Ai shtoi se është e qartë se këto grupe sponsorizohen nga ushtria dhe policia e Serbisë.

Para gazetarëve mbrëmjen e djeshme ai tha se flitet se janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv. Sipas tij, qëllimi i Serbisë tashmë është i qartë - pamundësimi i shërbimeve elementare për qytetarët dhe shkaktimi i frikës në masë.

Ai e ka quajtur incidentin e së premtes në mbrëmje, si aktin më të madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

"Si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit e cila është cilësuar si infrastrukturë kritike, është dëmtuar seriozisht. Nuk dihet ende sasia e saktë e eksplozivit, por sipas ekspertëve të policisë së Kosovës, të cilët pritet të ndihmohen edhe nga ekspertë të KFOR-it, flitet për rreth 15 kilogramë eksploziv... Momentalisht ka ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për KEK-un. Momentalisht janë duke u shfrytëzuar rezervat aktuale, por po punojmë që ekipet e angazhuara nga Ibër-Lepenci, KEK-u, ta sanojnë gjendjen, që do të mundësonte KEK-ut të furnizohet me ujë, që është e domosdoshme për funksionimin normal të turbinave të Kosovës A dhe B.

Po ashtu prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, Veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova. Qëllimi tashmë është i qartë, defunksionimit të jetës në këtë rajon, pamundësimi i shërbimeve elementare dhe shkaktimi i frikës në masë... Është mesazh për gjithë Kosovën, është mesazh shpresoj edhe për partnerët tanë, se elementet terroriste nuk dëshirojnë që paqja të sundojë në këtë pjesë të Republikës së Kosovës. Ata tashmë po deklarojnë se nuk do të ndalen... Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë", ka thënë Sveçla.

Sveçla ka thënë se shpërthimet e fundit në veri janë bërë me eksplozivë nga rezervat e Serbisë.

“Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë që s’është e lehtë të gjenden në tregun e zi. Kjo patjetër se vjen nga rezervat, nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, ka thënë Sveçla kuke shtuar se ky është një mesazh për qeverinë e Kosovës dhe partnerët e saj.

Ministri tha se ata nuk kanë vullnet të ketë paqe në Kosovë dhe po e shfrytëzojnë situatën e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ndryshimin e pushtetit në SHBA.

Kurse drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha para gazetarëve se masat e sigurisë nga Policia e Kosovës janë ndërmarrë  të premten para se të ndodhte shpërthimi në Zubin Potok.

“Për shkak të dy shpërthimeve në veri, në stacionin policor dhe në Komunën e Zveçanit, kemi shtuar masat e sigurisë gjatë ditës së sotme dhe se paralajmërimet dhe masat janë marrë para se të ndodhte ky rast në Zubin Potok", tha Hoxha.


Lajmi kryesor:

Hidhet në erë kanali i ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës! Policia bastis Zubin Potokun, ka të arrestuar! Kurti: Akt terrorist e dirigjoi Serbia! Reagon Beogradi: Po akuzon pa prova! (VIDEO)


G.K//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?