Blendi Gonxhja me Valeria Vittimberga

Ekonomi

150 aplikime për njohjen e sigurimeve shoqërore me Italinë, Gonxhja: Mundëson përfitimin e pensioneve

17 Korrik, 16:22| Përditesimi: 17 Korrik, 16:33

  • Share

Prej datës 1 Korrik 2025 ka hyrë në fuqi marrëveshja Shqipëri-Itali për njohjen e sigurimeve shoqërore.

Që prej asaj date, deri më tani kanë aplikuar 150 qytetarë shqiptarë për njohjen e këtyre sigurimeve me Italinë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka pritur në një takim sot drejtoreshën e Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore në Itali, dhe së bashku me përfaqësues të ambasadës italiane në vendin tonë, panë nga afër punën për zbatimin e kësaj marrëveshje.

“Mbi 150 shtetas shqiptarë kanë nisur procedurat në zbatim të marrëveshjes për njohjen e sigurimeve shoqërore me shtetin italian, e cila ka hyrë në fuqi nga data 1 Korrik 2025. Së bashku me Znj. Valeria Vittimberga, Drejtoreshë e Përgjithshme e Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore në Itali dhe me përfaqësues të ambasadës Italiane në Shqipëri, zhvilluam një takim për të ndjekur nga afër hapat e parë të zbatimit të kësaj marrëveshjeje historike, që synon garantimin e të drejtave të punëmarrësve shqiptarë dhe italianë që kanë kontribuar në të dy vendet”.

Sipas ministrit Gonxhja, kërkesat e deritanishme janë kryesisht për bashkimin e periudhave të sigurimeve për qëllime pensioni në Itali.

“Marrëveshja i hap rrugë njohjes së ndërsjellë të periudhave të sigurimit dhe mundëson përfitimin e pensioneve sipas legjislacionit kombëtar të secilit shtet. Deri më tani, kërkesat e para janë kryesisht për bashkimin e periudhave të sigurimit për qëllime pensioni në Itali, si dhe nga individë që nuk plotësojnë minimumin prej 15 vite sigurim në Shqipëri”.

Për t’ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka krijuar kushtet e nevojshme për të përpiluar këto kërkesa, teksa shkëmbimi i formularëve me palën italiane do të bëhet në mënyrë elektronike.

“Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka ngritur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të pritur dhe përpunuar këto kërkesa, si dhe për të realizuar komunikimin e drejtpërdrejtë dhe efikas me palën italiane. Shkëmbimi i formularëve midis dy institucioneve do të kryhet në mënyrë elektronike, duke reduktuar ndjeshëm kohën e procedurës dhe duke lehtësuar ndjeshëm shërbimin për qytetarët. Në funksion të transparencës dhe udhëzimit të saktë për qytetarët, janë publikuar tashmë të gjitha udhëzimet dhe manualet që shpjegojnë hapat që duhen ndjekur për çdo kategori aplikuesi”.

Sipas ministrit Gonxhaj, “kjo marrëveshje përfaqëson një hap domethënës në drejtim të mbrojtjes sociale dhe është një model bashkëpunimi që synojmë ta zgjerojmë edhe me vende të tjera ku jetojnë dhe kontribuojnë shtetasit shqiptarë”.

 

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?