Zv.presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, ka ngritur shqetësimin se janë rreth 150 mijë dosje të cilat presin që të shqyrtohen nga gjykatat e vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan se, janë mijëra qytetarë që presin drejtësi për çështjet e tyre.
‘A e dini se sa kohë ju duhet të merrni drejtësinë në gjykatat shqiptare? Plot 15 vite nëse kaloni të tre shkallët e gjyqësorit! A e dini se cilat dosje shqyrtohen ende sot që flasim? Ato të vitit 2016! Në vitin 2016, atëherë kur reforma u miratua, qëllimi i saj ishte të garantohej drejtësi brenda një afati të arsyeshëm, cilësor dhe të shpejtë për qytetarët. Sot pas 9 vitesh, janë plot 150 mijë dosje që presin të shqyrtohen në gjykatat e vendit, duke mbajtur pezull me mijëra qytetarë që më kot presin drejtësi për çështjet e tyre. Rreth 80% e çështjeve gjyqësore janë përtej afateve të procesit të rregullt ligjor. Një gjyqtar në gjykatën civile të shkallës së parë ka 800-1000 dosje në pritje. Gjyqësori shqiptar nuk ofron dot shërbimin e drejtësisë për 90% të qytetarëve të vet’, tha ajo.
Xhixhos u ndal edhe tek harta e re gjyqësore, e cila sipas saj i ka dhënë goditjen përfundimatare reformës në drejtësi.
‘Pjesa dërrmuese e çështjeve të mbetura stok nëpër gjykata janë çështje civile, halle dhe probleme njerëzish që presin zgjidhje. Qindra pensionistë ndërrojnë jetë në pritje për të marrë drejtësi, qindra të tjerë, nëse çështja u kthehet për rishqyrtim, drejtësinë duhet t’ua lënë amanet fëmijëve. Harta e re gjyqësore i dha goditjen përfundimtare reformës në drejtësi duke e çuar në kolaps sistemin. Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar, ndaj sistemi duhet të kthehet sa më parë në shinat ligjorë dhe kushtetues', tha ajo.
Komente
