TIRANË - Përmes një reagimi në rrjetet sociale, deputetja e PL-së Erisa Xhixho shprehet se reforma në drejtësi ka dështuar në arritjen e qëllimit të saj kryesor: ofrimin e drejtësisë brenda një afati të arsyeshëm dhe të shpejtë për qytetarët.
Aktualisht, ka rreth 150 mijë dosje të bllokuara që presin shqyrtim, duke çuar në një sistem gjyqësor të ngadalshëm dhe të mbingarkuar. Rreth 80% e çështjeve janë jashtë afatit të parashikuar ligjor, dhe koha për shqyrtimin e një dosjeje është katërfishuar që nga implementimi i reformës.
'150 mijë dosje të bllokuara, në pritje të shqyrtimit. Ky është “suksesi” i madh i hartës së re gjyqësore, që ka cenuar të drejtën e qytetarëve për të marrë drejtësi.
Ky stok kaq i madh dosjesh tregon se reforma në drejtësi ka dështuar në qëllimin e saj kryesor: drejtësi brenda një afati të arsyeshëm, cilësore dhe të shpejtë për qytetarët.
Rreth 80% e çështjeve gjyqësore janë përtej afatit të procesit të rregullt ligjor, ndërsa për të shqyrtuar një dosje, duhet katërfishi i kohës që kërkohej para implementimit të kësaj reforme', shkruan Xhixho.
Më tej zv.presidentja e PL-së shkruan se gjykatat janë ende duke shqyrtuar çështje të vitit 2016, dhe shumë qytetarë vdesin pa marrë drejtësinë që presin. Në gjykatat e shkallës së parë, qytetarët duhen të presin të paktën dy vjet për të marrë një vendim, ndërsa në Apel dhe në Gjykatën e Lartë procesi mund të zgjasë nga pesë deri në nëntë vjet. Kjo do të thotë se një proces gjyqësor që kalon në të tre shkallët mund të zgjasë deri në 12 vjet.
'Gjykatat janë ende te çështjet e vitit 2016, ndërkohë që shumë qytetarë ndërrojnë jetë pa e marrë kurrë drejtësinë që presin.
Sot gjyqësori shqiptar nuk ofron dot shërbimin e drejtësisë për 90% të qytetarëve të vet. Në vend që të shkurtohej, koha për shqyrtimin e një dosjeje është katërfishuar. Në gjykatat e shkallës së parë për të marrë drejtësi, një qytetari i duhen të paktën 2 vite. Në Apelin e juridiksionit të zakonshëm i duhen 5-7 vite Në Gjykatën e Lartë duhen 8-9 vite. Pra, janë minimumi rreth 12 vite për një proces që kalon në të tre shkallët e gjyqësorit', thekson Xhixho.
Problemi është veçanërisht i theksuar në çështjet civile, që përbëjnë shumicën e dosjeve të bllokuara. Ky sistem gjyqësor ka kthyer drejtësinë në një kosto të jashtëzakonshme për qytetarët dhe bizneset, duke përforcuar idenë se drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar.
'Pjesa më e madhe e dosjeve që ngecin në rrjetën e vështirë të sistemit gjyqësor janë çështje civile. Kjo drejtësi që ecën me ritmin e breshkës, duke u bërë kosto e jashtëzakonshme për qytetarët dhe bizneset. Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar!', përfundon Xhixho.