TIRANË- Gushti u mbyll me një bilanc të frikshëm të ngjarjeve kriminale. 13 të tilla u regjistruan në vend, me 16 të vrarë. Muaji i tetë i vitit 2022 shënon rekord të viteve të fundit për vrasjet, dhe krahasuar prej 2017-ës, krimet janë trefishuar.
Nga 2017-a deri në 2021-shin në gusht u regjistruan respektivisht katër, tre, shtatë, gjashtë dhe katër vrasje. Pra gushti që lamë pas mban rekordin e pesë viteve të fundit krahasuar edhe me çdo muaj tjetër të vitit.
Të 16 viktimat janë vrarë për motive të dobëta dhe krim brenda familjes. Për këtë arsye policia e pati me të lehtë për identifikimin e autorëve, por disa prej tyre nuk janë arrestuar.
Më e rënda ishte vdekja e Jonada Avdiajt, e cila u godit nga ish-efektivi i policisë Arian Tase me gomone, në bregdetin e Himarës në jug. Gushti u mbyll me dy vrasje të dyfishta, krim brenda familjes, në një hark kohor 24 orë.
E para në Lezhë, ku ish-dhëndri ekzekutoi në pragun e shtëpisë Pjetër dhe Gent Perjakun, për shkak të konflikteve me ish-bashkëshorten, dhe pak orë më vonë burrë e grua u vranë ne ambientet e agjencisë së tyre në Tiranë. Arsen Muskurti qëlloi me pesë plumba vëllanë Albanin dhe kunatën Norën, për shkak të konflikteve të hershme për pronat.
Atentatet u rikthyen në shtator. Në datën 2 në Shkodër u ekzekutua në hyrje të shtëpisë Ismet Çekorja. Autori ishte i maskuar dhe me motoçikletë, kurse hetimet po përqendrohen tek e kaluara e viktimës dhe djalit. Prej tre ditësh RENEA është dislokuar në këtë qytet, por nuk ka ende rezultate.
17...
Përgjigju