Boston Celtics janë kampionët më të rinj në elitën e basketbollit amerikan, NBA. Celtics kanë marrë edhe fitoren e katërt ndaj Dallas Mavericks me rezultat 106-88 dhe kësisoj kanë fituar serinë finale me 4-1. Për skuadrën nga Bostoni, ky është titulli rekord i 18-të në përgjithësi në NBA dhe i pari që nga viti 2008.
Deri më tani, Celtics ishin të barabartë në numrin e titujve me Lakers, të cilët i fituan 17. Në ndeshjen e mëngjesit të sotëm, Jayson Tatum shënoi 31 pikë, tetë kërcime dhe 11 asistime, ndërsa Jaylen Brown shënoi 21, me tetë kërcime dhe gjashtë asistime.
Te skuadra humbëse më efikasi ishte Luka Donçic, i cili shënoi 28 pikë dhe pati 12 kërcime dhe pesë kërcime, ndërsa Kyrie Irving u ndal në 15 pikë.
Kujtojmë se Celtics e mbyllën sezonin e rregullt si ekipi me rekordin më të mirë dhe në play-off mposhtën Miami Heat (4:1), Cleveland Cavaliers (4:1), Indiana Pacers (4: 0) dhe Dallas Mavericks (4:1).