Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal ka shkruar historinë të premten në mbrëmje, duke debutuar me kombëtaren spanjolle të futbollit. Sulmuesi u hodh në fushë nga stoli në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024 dhe u bë lojtari më i ri që vesh fanellën e "Furisë së Kuqe" me 16 vjet e 57 ditë mbi supe.
Ai ka kaluar shokut të tij te Barcelona, Gavi, i cili debutoi me Spanjën në moshën 17 vjeç dhe 62 ditë. Për ta bërë edhe më të paharrueshëm debutimin e tij me Spanjën, Lamine Yamal e ka kurorëzuar me një gol të mrekullueshëm në minutën e 74-t që vulosi dhe fitoren 1-7 të Spanjës në Tbilis.
"Po jetoj një ëndërr tani, jam shumë i lumtur dhe falenderoj shokët e skuadrës dhe trajnerin që më dhanë besimin dhe të gjithë ata që më kanë ndihmuar në rrugën time", tha talenti spanjoll i dalë nga "La Masia".