Situata në qarkun e Shkodrës paraqitet problematike ku në total qarku janë përmbytur 1630 ha tokë, shumë rrugë janë të bllokuara ose nga dëbora ose nga rrëshqitja e dherave si dhe disa zona kanë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike për shkak të motit të keq.
Ndërsa në prurjet e liqenit dhe lumenjve Drin-Bunë, kuota aktuale është pranë kuotës kritike, por ende nuk ka probleme, konkretisht:
Nivelet e Liqenit: kuota kritike 9.50 m kuota aktuale 8.25 m.
Lumi Drin, Bahcallek: kuota kritike 7.50, kuota aktuale 7.00 m.
Dajç i Bregut të Bunës: kuota kritike 6.30, kuota aktuale 6.18 m.
Në Bashkinë Shkodër aksi rrugor Bogë-Theth, në Qaf -Thore, i bllokuar ka mbi 1 metër dëborë.
Më problematike situata paraqitet në Velipojë ku rreth 300 ha tokë bujqësore dhe kullota janë të përmbytura. Prezencë uji ka në 15 banesa, disa lokale dhe kabina plazhi si dhe në shëtitoren e zonës. Niveli i ujit në disa pika arrin deri në 50 cm.
Në fshatin Shirq, Njësia Administrative Dajç, lumi ka filluar të dalë nga shtrati dhe është prezent në rrugën e fshatit. Në fshatin Obot, Njësia Administrative Ana e Malit, në rrugë ka rreth 60 cm ujë dhe është e pakalueshme me përjashtim të mjeteve të larta.
Ndërsa akse rrugore në Malësinë e Madhe janë të bllokuar nga dëbora. Në aksin rrugor Gropat e Selcës-Vermosh (Qafa Bordolecit) është i pakalueshëm për shkak të reshjeve të dëborës dhe orteqeve. Edhe aksi rrugor Bogë - Qaf Thore është i bllokuar, i pakalueshëm, pasi ka rreth 35 cm dëborë.
Në Pukë problem mbetet aksi rrugor Hadroj – Mirditë ku ka rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në shumë pjesë të rrugës dhe rrezikohet që rruga të bllokohet pasi deri tani nuk është ndërhyrë nga strukturat përkatëse.
Në Bashkinë Fushë Arrëz, rruga e fshatit Dardhë është shembur rreth 60-70 metra duke e bërë rrugën të pakalueshme. Ndërsa në Vaun e Dejës pavarësisht prezencës së ujit, rrugët janë të kalueshme.
Lajmi kryesor:
Përmbytjet/4430 ha tokë nën ujë në Lezhë e Shkodër! Rrëshqitje dherash e bora bllokojnë rrugët! Shembet ura në Kalivaç, dëmtohet ujësjellësi në Bogovë, 3 qytete pa ujë
//ReportTv.al