Ira Zurbo, pianistja shqiptare

16-vjeçarja shqiptare Iva Zurbo, gjeni i pianos në Gjermani

4 Tetor 2018, 07:40| Përditesimi: 4 Tetor 2018, 11:19

  • Share

“Duket i pabesueshëm lajmi, që nxënësja jonë 16-vjeçare, fal përgatitjes së saj dhe e mbështetur nga mësuesja Valbona Shehu, dhe profesori gjerman Heribert Koch, që prej vitesh ndihmon talentet tona; të fitojë konkursin e pranimit në Akademinë Muzikore të Munsten, Gjermani, me mundësinë që i dha “Paragrafi i GJENIUT” për pjesëmarrjen në konkurs krahas 19-vjeçarëve, që kishin kryer shkollat e mesme”.  Kështu shprehet për “Shqiptarja.com” Takuina Truja Adami, presidente e EPTA-Albania, shoqatës së mësuesve pianistë shqiptarë që kanë arritur të realizojnë me sukses këtë garë pianistike, duke e sjellë këtë vit në edicionin e 24-të.

Takuina ka qenë njeriu i parë që e ka promovuar Iva Zurbon në Shqipëri që në moshën 7-vjeçare.  Që nga viti 1994, pasi u legalizua EPTA- Albania nga një grup i mësuesve të Liceut Artistik “Jordan Misja”, e drejtuar për 21 vite nga mësuesja Takuina Adami dhe aktualisht nga Klodi Zheji, shoqata ka krijuar ura bashkëpunimi me simotrat e saj në Angli, Itali, Kosovë, Serbi, Gjermani, Francë, Kroaci, Norvegji e Suedi.

Ishte kjo portë e hapur me botën, ku hyri gjithë droje vajza e vogël, por edhe me një trup shumë më të imët se moshatarët e saj, Iva Zurbo. “Ajo u promovua kur mori pjesë në duetet pianistike në dhjetor të 2010-s dhe ngaqë doli shumë mirë, unë e zgjodha të luaj si pianiste, për herë të parë e ftuar si talent i veçantë. Ishte shumë e vogël, 7 vjeç”, -rrëfen Takuina Adami në intervistën për “Shqiptarja.com”.

Intervista e plotë

Zonja Takuina, pianistja 16-vjeçare Iva Zurbo është një nga talenetet e promovuar nga shoqata e mësuesve të pianos EPTA Albania, si i kujton hapat e parë të saj?

- Ajo u promovua në duetet pianistike në dhjetor të 2010-s dhe ngaqë doli shumë mirë, unë e zgjodha të luaj si pianiste, për herë të parë e ftuar si talent i veçantë. Ishte shumë e vogël, 7 vjeç”. Dhe kështu shoqata i ka dhënë mundësinë që ajo të garojë e të shfaqet në çdo aktivitet, si dhe në aktivitetin “Pianisti i ri”. Në takimet me pedagogë të huaj, merita e saj u bë shumë e dukshme. Më pas me ardhjen e profesor Heribert Koch në juri, ndodhi që ai mori përsipër zhvillimin e saj, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Gjermani. Dhe ajo sfidoi, në një konkurs me 100 veta dhe fitoi të drejtën të ndjek që tani në moshën 16-vjeçare direkt studimet universitare me pëcaktimin si gjeni. Iva Zyrbo edhe më 11 nëntor 2015, u shqua për suksesin e jashtëzakonshëm të Koncertit për Piano dhe Orkestër në re-minor të Mozart, që e interpretoi nën drejtimin e dirigjentit H. J. Lovenich, në “Festivalin e Pianisteve të Rinj” në St. Anna.

Gazeta “Aacheren Zeitung” ka shkruar për të:“...loja e pianistes që nuk njeh limite teknike. Demonstroi një personalitet të fuqishëm në interpretimin e saj”. Kështu unë sot kam kënaqësinë të risjell në kujtesë dy foto nga suksesi i Iva Zurbos në koncertin e parë të saj, si e ftuar në Takimin e parë të “Dueteve pianistike”, që tashmë realizohet çdo dhjetor.

Çfarë të ka frymëzuar të kontribuosh me talentet e reja të pianos?

-Në fakt ideja më lindi gjatë kohës kur kisha time bijë që studionte në piano, në fillesat e saj në Shqipëri, ku unë ndjeja edhe mbështetje, edhe bërryla. Ishte fati i saj që ishin ca profesorë të huaj në një konkurs dhe ata e çmuan shumë. Kështu iu dha mundësia të lidhej me botën, me shkollat më të mira. Të huajve u ka bërë përshtypje që talentet e dala nga Liceu Artistik, luanin me program të plotë. Tani ime bijë është pianiste e suksesshme në Holandë. Këtë e mendova edhe për të ardhmen e sigurt të fëmijëve të tjerë. Kështu që në Epta Albania ka gjithmonë një juri me standarde ndërkombëtare dhe kjo tregon nivelin real të vlerësimit. Ata vijnë me dashuri e përkushtim dhe pjesëmarrja shkon deri në 140 veta. Ky ka qenë qëllimi, fryma për të përkrahur talentet dhe ajo ç’ka bëjmë për të zhvilluar dhe komunikimin me botën, që na ka munguar kaq shumë. I ideuar në dy etapa prezantimi: për vlerësimin e tyre nga profesorë të konservatorëve, kryesisht europianë, konkursi ynë stimulon çdo vit talentet tona në promovime koncertale, masterclase brenda e jashtë vendit, si dhe në koncerte me orkestrën tonë të RTSH-së, nën drejtimin e dirigjentit të njohur Oleg Arapi.

Çfarë karakteristikash speciale kishte pianistja e talentuar Iva Zurbo?

-Iva binte në sy për cilësitë, për nivelin shumë të lartë në krahasim me moshatarët e saj dhe vihej re për një studim serioz dhe qëndrim të jashtëzakonshëm. Ajo që e vogël, duket edhe po ta shohësh në fotografi që po bënte një klisandio, dhe pozicioni i dorës së saj ishte një gjë e madhe, po ashtu fytyra dhe përqendrimi i saj i jashtëzakonshëm tregonin dhunti të rralla të saj. Kështu që vitin e kaluar e çuan në Gjermani për një përgatitje shumë të mirë dhe i thanë se do ta fusnin për studime eksperimentale. Ndihem shumë e lumtur për arritjet e saj.

Nga festivali juaj kanë dalë dhjetëra talente, që kanë sot sukses në botë. Mund të na flisni për disa prej tyre që na nderojnë, ashtu si Iva Zurbo?

-Pavarësisht mungesës së mbështetjes nga institucionet, falë sakrificave që kemi bërë; shpesh duke i strehuar profesorët e huaj në shtëpitë tona dhe jo në hotele, meritojmë këtë kënaqësi të madhe, kur marrim lajme të tilla. Shkëlqimi i Iva Zurbos, nuk është një rast i shkëputur. Pas viteve 90', me ardhjen e Demokracisë, neve na u krijuan mundësitë e komunikimit me botën. E nëse shkolla jonë sapo merrte frymë për të korrigjuar programet, që ishin të cunguara dhe të dominuara nga dogma e “Trekëndëshit revolucionar”, atmosfera e bashkëpunimit midis shkollave jashtë vendit me pedagogjinë europiane, u bë gradualisht realitet. Në këtë aspekt, EPTA- Albania ka dhënë një kontribut të madh. Krijoi bashkëpunimin me European Piano Teachers Assotiation të krijuar më 1978-n në Londër, nga figura e shquar pedagogjike Carola Grindea, që mbolli farën e bashkëpunimit pedagogjik midis perëndimit e lindjes.

Më 1993-shin, ajo kontaktoi me mësuesen tonë të suksesshme Nadiezhda Porodin, dhe i dha idenë e formimit të EPTA- Albanias edhe në Shqipëri. E mbështetur nga Liceu Artistik dhe Universiteti i Arteve, shoqata ka nxitur motivimin e mësuesve e pedagogëve tanë, në përgatitjet e talenteve në 3 deri 4 Festivale Mbarëkombëtare e takime Kombëtare, kryesisht të degës piano, por dhe kanto, me pjesëmarrjen e moshave 6 deri 23 vjeç. Në Juri marrin pjesë profesorë të ftuar nga Konservatorët e ndryshëm europianë.  Si rrjedhim: shumë prej tyre janë në Itali, midis të cilëve pianisti Aredion Liçi, që u vlerësua për 3 vitet e fundit në Konservatorin e Venecias si pianisti më i mirë,duke i dhënë mundësinë për të interpretuar në Koncerte me orkestrën e Teatrit të njohur “La Fenice” çdo vit. Në konservatorin e Triestes shquhen studentët tanë; Kostandin Tashko, ish nxënës i Liceut Artistik, fitues ne 7 Konkurse Ndërkombëtare. Në Holandë është integruar tashmë pianistja Mariola Lishi, në Norvegji, pianistja Dorina Komani po mbron doktoraturen. Në Gjermani, nga vëmendja që tregoi prof. Till Engel, i ftuar nga Akademia e Arteve, që shumë shpejt u bë mbështetësi i të talentuarve të EPTA- Albanies, fillimisht, me pianistët Desar Sulejmani e Deniola Kuraja, që sot janë dirigjentë e pianistë profesionistë. Më pas, një numër i konsiderueshëm pianistësh, të mbështetur nga prof. Tomas Leander dhe Roberto Domingos, tashmë janë integruar në jetën artistike ose pedagogjike. Por, përkushtimin e plotë ndaj talenteve tona, e ka manifestuar që nga viti 2008, Prof. Heribert Koch, pedagog në shkollën e mesme Muzikore si dhe Akademinë Muzikore në Munsten, njëherësh ai është dhe President i EPTA-Gjermanisë. Më 2009-n, ai u bë drejtuesi kryesor i suksesit të motrave nga Vlora; Annarita dhe Lajda Hitaj në promovimin e tyre në Gjermani, ku janë dhe sot.

Çfarë roli ka luajtur Prof. Heribert Koch në promovimin e Iva Zurbos?

-Vëmendjen ndaj promovimit të aftësive të Iva Zurbos e ka nisur me 2015-n. Për rrjedhojë, ajo ka arritur suksese të njëpasnjëshme në skena të ndryshme europiane. Ai ka mbajtur në vëmendjen e tij dhe kujdesin për studenten e suksesshme Fatjona Maliqi nga Kosova, si dhe dhe Nikolin Tukën nga Shkodra e Orenc Gracen nga Elbasani, e shumë e shumë të tjerë. Prof. Koch sapo ka ftuar në “Festivalin Hugo-Staehle për Pianistë të Rinj Nikol Tukën dhe Orenc Gracen që realizohet 29 Shtator-5 Tetor. 15-vjeçarit Orenc Graca i është ofruar interpretimi i Koncertit për Piano dhe Orkestër i kompozitorit Robert Schman, që përbën një nga koncertet më të bukura dhe prestigjioze të literaturës pianistike, në fillim të janarit 2019.....

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Emigranti: 04/10/2018 18:19

    Bravo gazetes per keto lajme, per keto lajme ka nevoj kombi e jo kronik te zez e politikane legena. Suksese talenteve shqiptare kudo qe te jen, pasi jan ambasadoret e pjeses se shendosh te kombit. Tung

    Përgjigju
  • Edi: 04/10/2018 10:05

    Suksese Ivës

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?