Me një ceremoni madhështore, ashtu siç nisi por vetem se këtë herë në stadiumin ‘Stade De France’, u mbyllën në Paris Lojërat Olimpike të 33-at, që u mbajtën në kryeqytetin francez nga 26 korriku deri më 11 gusht. Në total morën pjesë 206 shtete, përfshirë vendin neutral që garonin sportistët rus, por edhe ekipin e refugjatëve, ndërsa mbi 10 mijë e 700 atletët garuan në 32 sporte dhe 48 disiplina gjithsej.
Në fund skenën në cerominë mbyllëse e rrëmbeu aktori Tom Cruise, i cili zbriti nga çatia e stadiumit për të mbledhur flamurin Olimpik, si pjesë e protokollit të dorëzimit të tij për qytetin amerikan të Los Anxhelosit ku do mbahen Lojërat Olimpike të 2028. Pjesë e performancës ishin edhe këngëtarët Red Hot Peppers, Billie Eilish, Snoop Dogg dhe Doctor Dre.
Amerika ishte gjithashtu shteti që u rendit i pari për numër medaljesh në Paris edhe pse të arta kishte 40, po aq sa Kina e vendit të dytë. Megjithatë Shtetet e Bashkuara të Amerikës fituan në total 126 medalje, 35 më shumë se Kina, ndërsa në podium u ngjit edhe Japonia me 20 të arta dhe 45 medalje gjithsej. Pjesë e këtyre Lojërave në Paris, për herë të 10 në histori, ishte edhe Shqipëria, që u rendit e 80 nga 206 vende edhe pse garoi me vetëm 8 sportistë.
Përveç garës së jashtëzakonshme sportive, Lojërat Olimpike në Paris do mbetet në memorie edhe për polemikat e mëdha, fillimisht me pastërtinë e lumit Sena, por edhe për pjesmarrjen e sportisteve transgjinore, të cilat u bënë temë diskutimi për shumë ditë. Megjithatë në fund shumë shtete kanë komplimentuar Francën për organizimin e shkëlqyer dhe nderimin që i bënë flakës olimpike.