Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ekspozoi jetën e 2 poetëve martir, Vilson Blloshmi e Genc Lekës, në 45-vjetorin e pushkatimit nga regjimi komunist. Ndërsa të afërm e familjarë u bëjnë homazh në Bërzhitë ku lindën
Është një nga plumbat që i ka marrë jetën poetit Vilson Blloshmi në moshën 29-vjeçare... bashkë me trupin është gjendur nga i vëllai Bedriu, pas ndërrimit të sistemeve...
“U është dashur një periudhë e gjatë për të gjendur trupin, derisa në prill të vitit 1994, Bedri Blloshmi arriti ta lokalizojë vendin, pranë përroit të Firarit, në një vend shumë të vështirë për t’u arritur”, thotë studiuesja Armanda Hysa.
Ishte 17 korriku i vitit 1977, kur u pushkatua bashkë me poetin Genc Leka, 36-vjeç në periferi të Librazhdit... Të dy mësues e me një historik familjar, të cilësuar si armiqësor... po aq sa vargjet heretike që kishin shqetësuar regjimin komunist.
Jeta e shkurtër e tyre mes fotografive, dorëshkrimeve, korrespodencës, sendeve personale e deri tek vendimet që i çuan drejt vdekjes u ekspozuan në hollin e Institutit të Krimeve të Komunizmit.
“Pjesë e dosjes formularë të poetit Blloshmi është ditari në frëngjisht, të cilin kur e arrestuan ia sekuestruan bashkë me sendet personale dhe literaturën, për të vërtetëtuar që mbante literaturë të huaj të ndaluar. Kjo ishte pjesë e akuzës për propagandë. Edhe për poetin Genc Leka është lista e librave të ndaluar që i kanë gjetur. Ndërsa dokumentet e procesit janë bashkë, sepse ishin pjesë e të njëjtit grup”, shton më tej.
Sot, të afërm e miq, kujtojnë poetët në shtëpitë e tyre në Bërzhitë, ndërsa skulptura e Sadik Spahisë ka jetësuar tragjedinë e tyre, e fton prej sheshit kryesor të Librazhdit për një moment reflektimi për krimet e sistemit komunist në vend..