Në kuadër të 1700-vjetorit të mbajtjes së Sinodit të Parë Ekumenik në Nikea (325–2025), Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Arqidioqeza Metropolitane Katolike Tiranë-Durrës organizojnë një simpozium ndërfetar më 24 maj 2025, në ambientet e Qendrës Kulturore të Katedrales Orthodhokse në Tiranë. Simpoziumi mbahet nesër në orën 9:00 në Qendrën Kulturore pranë Katedrales Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë:
Ky simpozium është shumë i rëndësishëm dhe historik për Krishterimin dhe unitetin e Krishterimit dhe kishave në mbarë botën dhe në vendin tonë.
Marrin pjesë:
-Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Joani.
-Kryeipeshkvi i Tiranës, Durrësit imzot Arjan Dodaj.
Gjithashtu dhe hierarkët e lartë të dy kishave si dhe personalitete të lartë të vendit.
Sinodi i Nikeas
Në vitin 2025 kremtojmë 1700-vjetorin e Sinodit të Nikeas (325 pas Krishtit): Ngjarja e parë ekumenike në historinë e krishterimit, nga e cila lindi Simboli i përbashkët i Besimit, që edhe sot e kësaj dite përfaqëson një element ku të krishterët mund të identifikohen dhe të gjejnë unitet.
Në të vërtetë, Sinodit i Nikeas ishte një ngjarje vendimtare për historinë e Kishës. Ai u mbajt në maj–qershor të vitit 325 pas Krishtit, në qytetin e Nikeas, në Bitini (sot Iznik, Turqi). Me kërkesën e perandorit romak Konstandinit, rreth 318 peshkopë nga të gjitha provincat e perandorisë u mblodhën për të trajtuar mosmarrëveshjet doktrinore dhe krijuan një bazë të përbashkët për besimin e krishterë.
Sinodi formuloi Simbolin e Besimit të Nikeas, në të cilin shpallet hyjnia e Jisu Krishtit dhe njëshmëria e tij me Atin Qiellor.
Zgjidhi skizmën e shkaktuar nga Meleti, peshkopi i Likoopolisë të Egjiptit.
Vendosi që Pashkët të kremtohen të dielën e parë pas hënës së plotë që bie pas ekuinoksit pranveror.
Njohu përparësinë tradicionale të tri qendrave patriarkale: Romës, Aleksandrisë dhe Antiokisë, sipas zakoneve të vjetra kishtare.
Vendosi rregulla disiplinore për klerikët, duke përcaktuar kufizime në bashkëjetesën familjare pas dorëzimit.
Krijoi një bazë të përbashkët teologjike për Kishën, që ndihmoi në përkufizimin e fesë së krishterë në shekujt që pasuan.
Simboli i Besimit i Nikeas, ashtu siç e themi sot ("Besoj në një Perëndi, Atë të Tërëfuqishëm..."), dëshmon për rëndësinë e atij çasti vendimtar.
Nikea përfaqëson një pikë kthese në historinë e krishterimit, pasi i bashkoi besimtarët rreth besimit në Krishtin dhe hyjninë e tij.
Komente
