Sociale

1700 vjet nga Sinodi i Nikeas, të shtunën Simpozium në Tiranë! Kisha Ortodokse dhe Katolike bashkojnë besimtarët e krishterë

22 Maj, 19:44| Përditesimi: 22 Maj, 20:08

  • Share

Në kuadër të 1700-vjetorit të mbajtjes së Sinodit të Parë Ekumenik në Nikea (325–2025), Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Arqidioqeza Metropolitane Katolike Tiranë-Durrës organizojnë një simpozium ndërfetar më 24 maj 2025, në ambientet e Qendrës Kulturore të Katedrales Orthodhokse në Tiranë.

Simpoziumi do të zhvillohet nga ora 09:00 deri në 15:00 për të gjithë besimtarët e krishterë, nën moton:

“Ne besojmë në Jisu Krishtin që ka të qenë një me Atin”, një citim nga Simboli i Besimit i formuluar pikërisht në atë sinod historik.

Ky aktivitet përkujton ngjarjen e parë ekumenike në historinë e krishterimit, ku në vitin 325 pas Krishtit, mbi 300 peshkopë nga mbarë Perandoria Romake u mblodhën në qytetin e Nikeas (sot Iznik, Turqi), me thirrjen e Perandorit Konstandini i Madh. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në një njoftim përmbledh rëndësinë historike dhe fetare të Sinodit të Parë të Nikeas, si më poshtë:

Në vitin 2025 kremtojmë 1700-vjetorin e Sinodit të Nikeas (325 pas Krishtit): Ngjarja e parë ekumenike në historinë e krishterimit, nga e cila lindi Simboli i përbashkët i Besimit, që edhe sot e kësaj dite përfaqëson një element ku të krishterët mund të identifikohen dhe të gjejnë unitet.

Në të vërtetë, Sinodit i Nikeas ishte një ngjarje vendimtare për historinë e Kishës. Ai u mbajt në maj–qershor të vitit 325 pas Krishtit, në qytetin e Nikeas, në Bitini (sot Iznik, Turqi). Me kërkesën e perandorit romak Konstandinit, rreth 318 peshkopë nga të gjitha provincat e perandorisë u mblodhën për të trajtuar mosmarrëveshjet doktrinore dhe krijuan një bazë të përbashkët për besimin e krishterë.

Sinodi formuloi Simbolin e Besimit të Nikeas, në të cilin shpallet hyjnia e Jisu Krishtit dhe njëshmëria e tij me Atin Qiellor.

Zgjidhi skizmën e shkaktuar nga Meleti, peshkopi i Likoopolisë të Egjiptit.

Vendosi që Pashkët të kremtohen të dielën e parë pas hënës së plotë që bie pas ekuinoksit pranveror.

Njohu përparësinë tradicionale të tri qendrave patriarkale: Romës, Aleksandrisë dhe Antiokisë, sipas zakoneve të vjetra kishtare.

Vendosi rregulla disiplinore për klerikët, duke përcaktuar kufizime në bashkëjetesën familjare pas dorëzimit.

Krijoi një bazë të përbashkët teologjike për Kishën, që ndihmoi në përkufizimin e fesë së krishterë në shekujt që pasuan.

Simboli i Besimit i Nikeas, ashtu siç e themi sot ("Besoj në një Perëndi, Atë të Tërëfuqishëm..."), dëshmon për rëndësinë e atij çasti vendimtar.

Nikea përfaqëson një pikë kthese në historinë e krishterimit, pasi i bashkoi besimtarët rreth besimit në Krishtin dhe hyjninë e tij.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?