“Ngjitja e shkallëve” është ekspozita e parë personale që ka çelur liceistja 17-vjeçare Rabie Çollaku në galerinë e Liceut Artistik “Jordan Misja”. Emocionet që ka përjetuar pas mbylljes në karantinë për shkak të pandemisë covid 19, një pikë loti, ëndrrat e saj për të ardhmen si artiste apo autoportret e saj edhe ai Parashqevi Qiriazit janë vetëm disa nga 20 punimet e gdhendura në teknika të ndryshme, si mermer, metal edhe në dru.
“Pas stresit që përjetuam gjatë karantinës doja që të bëja diçka të bukur për vete dhe të ardhmen time. Në veprat e mia sjell emocionet që ndiej kur unë shikoj diçka”, shprehet artistja Rabie Çollaku.
Profesori i saj udhëheqësi,skulptori Emanuel Koko, e cilëson këtë ekspozitë, si ndër më të veçantat që janë realizuar nga një artiste e re në moshën e saj
“Nxënësja jonë ka dhënë shkëndijat që në vitin e parë që ka ardhur në lëndën e gdhendjes, bëri pak çudi në ambientin e liceut, që një femër mund të zgjidhte këtë profil, por kjo ishte sipërfaqësore. Brendia e saj është pranë materialeve të forta, përgjithësisht i pëlqen që të rrijë me metalin edhe mermerin”, shprehet skulptori Emanuel Koko.
Ekspozita “Ngjitja e shkallëve” shënon edhe 75 vjetorin e themelimit të Liceut Artistik, që do të pasohet në vijim nga shumë të tjera
“Çdo muaj do të bëjmë nga një aktivitet, kjo ekspozitë çel festimet dhe nga ana tjetër duhet që të themi se kjo është një indicie për nxënësit edhe profesorët që japin mësim në lice të ekspozojnë punët e tyre”, shprehet drejtori i Liceut Shkëlqim Sirika.
Ekspozita vazhdon që të qëndrojë hapur në galerinë e Liceut Artistik “Jordan Misja”.