Në Shqipëri polic, në Itali ‘skifter’, përjashtohet efektivi i arrestuar për vjedhje! Ishte djalë dëshmori, iku jashtë ‘për arsye shëndetësore’

22 Nëntor 2022, 18:16| Përditesimi: 22 Nëntor 2022, 22:09

  • Share

ITALI- Në Shqipëri polic, në Itali bënte namin me vjedhje! Klisman Nikolli, 27-vjeç, me detyrë efektiv policie në Shëngjin, është arrestuar nga policia italiane për vjedhje, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, Viktor Bilani, 30-vjeç dhe Flor Koca, 35-vjeç.

Ata akuzohen për një serë grabitjesh të kryera për nga data 30 tetor deri më 15 nëntor në dy rajone të Italisë, Veneto dhe Friuli. Nikolli u arrestua nga policia teksa po bëheshin gati të ktheheshin në Shqipëri, ndërsa mësohet se u tregoi autoriteteve se ai ishte efektiv policie në Shqipëri.

Në dhomën e "Bed & Breakfast" në San Stino di Livenza, ku ai qëndronte së bashku me 2 shqiptarët e tjerë, Viktor Bilani, 30 vjeç dhe Flor Koca, 35 vjeç, valixhet tashmë ishin të mbushura me sendet e vjedhura. Të tre ata po prisnin një grua e cila do t'i merrte dhe do t'i shoqëronte deri në aeroport, por në atë moment ata janë kapur nga autoritetet italiane.

Të tre dyshohen për 18 vjedhje dhe tentativa vjedhjesh në Portogruaro, Concordia Sagittaria, Musile di Piave dhe San Michele al Tagliamento. Gjatë bastisjeve ka pasur dy bastisje në Azzano (dy tentativa) dhe po aq në dy shtëpi në Chions, ku janë vjedhur 2000 euro dhe në një shtëpi tjetër 9000 euro dhe disa orë.

Ndërkohë pas arrestimit të 27-vjeçarit në Itali, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, e ka përjashtuar nga radhët e policisë së Shtetit.

Sipas policisë ai kishte marrë leje pa të drejtë page, nga data 1 nëntor deri më 31 dhjetor. Kjo leje, sipas policisë i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore. Ndërkohë sqaron policia, pranimi i tij në Akademinë e Sigurisë, është bërë konform procedurave ligjore, megjithëse ishte djali i një dëshmori të policisë Mark Nikollit.

Nga ana tjetër burime për Report Tv bëjnë me dije se Nikolli ndodhej nën vëzhgim prej kohësh në Shqipëri, pasi dyshohet për shpërdorim detyre dhe i implikuar në kultivimin e bimëve narkotike.

Ora 20:15
U arrestua në Itali për vjedhje, përjashtohet nga policia efektivi Klisman Nikoll: Mori leje të ikte jashtë vendit për arsye shëndetësore

1669140066_dfgd.jpeg

Policia e Shtetit ka përjashtuar nga radhët e policisë së Shtetit efektivin Klisman Nikolli, i cili u arrestua nga policia Italiane pasi ishte përfshirë në vjedhje. Sipas policisë ai kishte marrë leje pa të drejtë page, nga data 1 nëntor deri më 31 dhjetor. Kjo leje, sipas policisë i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore.

‘Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me homologët, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve dhe të paligjshmërive në përgjithësi, ka marrë njoftim se shtetasi K. N., 27 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Postën e Policisë Shëngjin, në Komisariatin e Policisë Lezhë, ishte arrestuar nga organet ligjzbatuese italiane, për veprën penale "Vjedhja". 

Menjëherë pas njoftimit të marrë nga homologët italianë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin  nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Policisë K. N.

Punonjësi i Policisë K. N., konform procedurave ligjore, ka marrë leje pa të drejtë page, nga data 01.11.2022 deri më datë 31.12.2022. Kjo leje i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore.

Sqarojmë opinionin publik se rekrutimet në Kolegjin e Policisë, të Akademisë së Sigurisë,  për Patrullë të Përgjithshme, bëhen në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe në zbatim të kritereve të përcaktuara me VKM. Aplikantët kalojnë disa faza testimi dhe verifikimi, të cilat përjashtojnë kategorikisht mundësinë e hyrjes në Akademi, të aplikantëve me të kaluar kriminale.

Përsa i përket shtetasit K. N., të arrestuar nga autoritetet policore italiane, tashmë ish-punonjës i Policisë, sqarojmë se pranimi i tij në Akademinë e Sigurisë, është bërë konform procedurave ligjore dhe se 27-vjeçari është djali i një dëshmori të Policisë. 

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik ne në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në drejtoritë vendore të Policisë, janë ngritur dhe funksionojnë këshillat e emërtesës, për emërimin e drejtuesve të strukturave të Policisë, bazuar në rezultatet e punës, profesionalizmin, integritetin dhe pastërtinë e figurës.

Shprehim keqardhje për deklaratat dashakeqe që synojnë të përbaltin punën, mundin dhe sakrificën e mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, të Policisë së Shtetit, që punojnë 24/7 për të garantuar rendin e sigurinë, dhe që përballen e luftojnë çdo ditë, me krimin në përgjithësi dhe me krimin e organizuar në veçanti.’- njofton policia.

Ora 18:55
Arrestimi i efektivit për vjedhje, Salianji: Polic në Shqipëri, skifter në Itali

1668701033_Screenshot5.jpg

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me arrestimit e 27-vjeçarit shqiptar, Klisman Nikolli, në Itali për vjedhje, i cili tha par autoriteteve atje se është efektiv policie në Shqipëri.

‘Polic në Shqipëri, skifter në Itali! Ditên punon në patrullën e përgjithshme të policisë, natën kapet në Itali duke vjedhur banesa. Rasti skandaloz nuk është i vetmi, qeveria përzgjedh, rekruton dhe sugjerohet nga bandat kriminale në emërimet në polici. Këta i ka të ngjashëm, me këta kryen paligjshmëritë, lejon kultivimin dhe trafikun e drogës, lejon kontrabandën dhe ndërtimet, këta maskarenj i ka vendosur në shpinë popullit! Dita po u vjen! Protesto!’- shkruan Salianji.

Ora 18:52
Në Shqipëri polic, në Itali pjesë e bandës së grabitësve, ky është 27-vjeçari nga Lezha i arrestuar

Klisman Nikolli

Ky është 27-vjeçari shqiptar Klisman Nikolli i arrestuar në Itali, i cili së bashku me 2 të rinj të tjerë, po shqiptarë, akuzohen se janë autorë të 18 grabitjeve në disa banesa në Itali.

Nikolli është oficer i patrullës së përgjithshme në Policinë e Shëngjinit. Mësohet po ashtu se ai ka qenë në përgjim prej 1 viti në Shqipëri pasi dyshohej për shpërdorim detyre dhe i përfshirë në veprimtari të kultivimit të kanabisit.

S.C//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 23/11/2022 03:37

    /Morri leje pa te drejte page/.Duket qe //pagen// e nxirrte ne Itali,ndoshta dhe me te larte se ajo e ligjshme qe merrte ne Shqiperi.Sa here te tjera ka //shkuar// jashte ky?

    Përgjigju
  • Ora: 23/11/2022 02:30

    Tre faqe sqarim per nje vjedhje, ndersa per krime me te renda as dy rreshta. Dhe nuk ka me turp kur keqperdor statusin deshmor pa vend.

    Përgjigju
  • Nando: 22/11/2022 23:35

    Ca merreni me nje hajdud te rendomte...Shikoni SPAK, marrin 5,000 euro ne muaj per te mbrojtur te korruptuarit. Ky polici mund te merrte ne shqiperi me kete rritjen e fundit 50,000 leke,ndersa nje oficer ekuivalent ne prokurori merr 120,000 leke,rreth dyfishin e tij, edhe keto si te Spakut per te mbyllur dosje. Ja denuan per nje arke peshk ate fakiren Zv.Ministren gjithe ai SPAK, ky ishte suksesi i tyre. Eshte shume veshtire te behet drejtesi me magjistrate shqiptare, edhe tua besh rrogen 100.000 euro. Ky mendoj eshte vemja e shqiptareve qe do vuajne nese nuk nderhyhet nga aleatet tane te fuqishem,qofte edhe duke ndryshuar perseri emrat. Ky polici i kapur ne itali eshte pasqyra reale (bejne edhe me keq zyrtaret e nivelit me te larte) e sistemit te drejtesise dhe zbatimit te ligjit kçk ne vendin tone.

    Përgjigju
  • Loni: 22/11/2022 20:23

    A e keni idene e postave policore apo Jo!? Hajde hajde sikur cna that... 90% e profesioneve ne shqiperi informalitet edhe jashte profilit perkates! Degjova diku hipoteka elbasanit ishin me ushqimore... Ne durres ne kadaster ishte me cikel te ulet... Cuditerisht kjo eshte shqiperia jone e dashur...ky polici eshte ne profesionin e vet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?