1997

11 Janar 2021, 15:16| Përditesimi: 11 Janar 2021, 15:31

  • Share

Më doli gjumi nga një tronditje e krevatit. Tërmet mendova, por e mblodha veten menjëherë. Ishte viti 1997. Tërmetin ku ma gjeje! U ngrita e mbuluar përgjysëm dhe u përplasa me tavolinën e bukës. Më duhet të tregoj që në fillim se flija në kuzhinë, në një bicim divani që natën e ktheja në krevat. Divanletto e quanin për të mos rrëfyer të vërtetën, e cila ishte që ky objekt nuk ishte as divan për të qenë, dhe as krevat për të fjetur. Mirëpo meqë statusi familjar e donte të kishim një dhomë pritjeje, mua më kishte qëlluar të flija në divan, në kuzhinë. Kishte pasur raste që kisha fjetur edhe në dhomë të pritjes, në një divan nga ata me “kokë“, mbuluar me jorgan që rrëshikste gjatë gjithë natës, ndaj këtë divanletto e konsideroja progres të madh. Tavolina e bukës, e cila cdo mbrëmje shtyhej deri pranë bibliotekës për t’i hapur udhës shtrirjes ishte objekti me të cilin përplasesha sa herë ngrihesha.

Bashkë me mua u zgjuan njëkohësisht, gjyshi, gjyshja dhe ime më. Kishte nisur të gjuante me automatik vëllai i Lleshit, një punonjës i Gardës së Republikës, i cili nuk u morr vesh asnjëherë përse zgjohej, apo ishte zgjuar në atë orë ku nata bëhej gati t’i linte vendin mëngjesit. Gjuante me breshëri dhe ndonëse një fqinji ynë ushtarak na kishte thënë të mos hapnim drita, e të mos ngriheshim në këmbë, ne bënim ekzaktësisht të kundërtën. pra, përvec dritës së kuzhinës ku unë flija hapej si fillim drita e frigoriferit. Gjyshes i kujtohej se duhej të nxirrte mishin edhe atëherë kur kishte bërë tavë me peshk. Sime mëje të fuste kosin që e kishte zënë vetë.  Ndërsa gjyshi shante nëpër dhëmbë, duke hapur dritën e koridorit dhe të banjos, e cila edhe ajo gjendej në corridor: “Zorzopi, i zorzopëve, gjidi edepsëz”, pasur me fjalitë “u bë ai i vëllai i Leshit”. Ia kishim shpjeguar disa herë tim gjyshi që i vëllai nuk quhej Lesh, por gjyshi nuk donte që nuk donte t’i bënte dy “l” bashkë“. Ndoshta e ngatërronte me një Lush që dilte shpesh ato kohë në ekranet e televizorit.

Shkurt, kaos total. Ajo që bezdiste më shumë në netë të tilla, ku frikës ia kishim marrë dorën dhe nuk rrinim më poshtë dyerve, ishte se ky orar përkonte me atë ku në një nga kanalet e epokës përpara digj(xh)italizimit jepej një program pornografik, gjysma e të cilit ishte si dokumentar, por që gjithësesi ishte burim frymëzimi për djemtë e vajzat e moshës sime. Ajo që ishte e cuditshme ishte se të gjithë ata që e shihnin (e shihnin të themi) këtë program, betoheshin e përbetoheshin se nuk e kishin parë, ndërsa ata që nuk e kishin idenë as nga binte mund të të tregonin me detaje skena aq erotike, saqë dëgjuesi mezi priste puntatën e rradhës.

Nga kioska përballë shtëpisë sime u ndezën ca drita. C’bëhet kështu, mendova me vete? Nuk ka frikë ky milet? Sepse ndërkohë vëllai i Lleshit (me dy “l”) vazhdonte avazin. Mbështjellë me batanije mbylla derën e kuzhinës për t’i dhënë vetes mundësi të flija edhe pak, përpara se të më binte zilja që kisha vendosur mbi një karrike, për të më zgjuar në mëngjes që nuk do të vononte.

Sa herë më kishte shkuar ndër mend që të zija miqësi me punonjësin e Gardës, për të vetmen arësye që të ndërronte orarin.

Të nesërmen u ngrita me një surrat të buhavitur nga nata e kaluar me gjumë të prishur. Më ishte kthyer në shqetësim se mos gjumi më ikte fare. Kisha dëgjuar shumë njerëz që flisnin për këtë fenomen. I hodha një ujë fytyrës, duke i rënë disa herë me dorë rubinetit që pikonte pikë-pikë ujin që e paguanim të vinte. Shtyva pjesën letto në divan, tërhoqa tavolinën dhe u bëra gati të heq këmishën e natës, kur në kuzhinë u faneps gjyshi që kërkonte t’ia shtypte kokën vëllait të Leshit.

Gjyshja që ngrihej e para, por priste shenjë nga unë që të kalonte përmes kuzhinës niste të lëvizte aq shumë nëpër të sa herë herë më dukej se banoja në ndonjë zyrë të pritjes më popullin. Ja së të marr këtë, ja sa të heq atë, e plot e plot aktivitete, pa vajtur ende ora shtatë e mëngjesit.

Kioska ishte e mbushur me pijanecët e zakonshëm që ishin tapë që pa gdhirë. Më bënin përshtypje fytyrat e tyre të kuqe si te “Aventurat e Cipolinos”, sepse me ngjanin me ca domate gati për tu futur në një tavë me speca të mbushur. Ata e kishin në terezi. As që e canin kokën për diagacen që uturinte aty pranë tyre në cdo orë të ditës. Pranë tyre qëndronte, në këmbë, Vana. Ajo ishte pronarja e kioskës. Besoj, jo, nuk besoj, por kam bindjen që asaj i takon merita e rruajtjes së vetullave dhe lyerjes së tyre me tatuazhe. Kur e shihja atë, asnjëherë nuk e shihja në sy. Gjithmonë në vetull. Ajo ishte një ilustrim i saktë i shprehjes popullore “të merr gjak në vetull”. Epo fundja edhe ajo popull ishte.

Më ftonte gjithmonë për një kafe, por unë nxitoja të futesha në zyrën time buzë Lanës së mbushur me kioska. Aq shumë kioska kishte, sa disa herë kam ngatërruar derën e zyrës. sigurisht për një zyrë më të mirë.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?