2 prill 1991, foto: Anxhelin Nenshati

2 prilli i Shkodrës, rrëfimi i rrallë i Gjek Çelajt, ish-shefi i rendit i dënuar me 15 vjet burg

2 Prill, 12:29| Përditesimi: 2 Prill, 12:34

  • Share

Shenim: Intervista me Gjek Çelajn është zhvilluar në prill të vitit 2021 dhe është botuar në të përditshmen Dita.

Edhe pse kanë kaluar mbi 30 vite, ngjarja e 2 prillit në Shkodër ka ngelur ende e pazbardhur. Për ngjarjen ku u vranë katër protestues dhe u plagosën 20 policë është folur shumë. Dhe sa më shumë është diskutuar, aq më tepër janë shtuar dyshimet për një episod me prapaskena të errëta.

Ish zv.drejtori i Policisë së Shkodrës, Gjek Çelaj, sot me azil politik në Kanada, vjen me një rrëfim në lidhje me atë ngjarje që u kthye në një gjakderdhje për të cilën zyrtarisht pati 5 të dënuar, por me një proces gjyqësor tërësisht kaotik e joprofesional.

Çelaj rrëfen të vërtetën e tij për të vërtetat e 2 prillit. A kanë patur gisht shërbimet e huaja në të. Pse për rigjykimin e saj, gjasat janë minimale dhe kush janë të interesuar që ajo të qëndrojë përgjithmonë e mbyllur.

Pyetje: Z. Çelaj! Në vitin 1991 ju keni qenë shefi i rendit në Shkodër kur ka ndodhur ngjarja e 2 prillit. Tani që ka kaluar kaq kohë, a e kujtoni dhe si e kujtoni atë ngjarje?

GjekCelaj: Patjetër që e kujtoj, sikur të kishte ndodhur para disa ditësh. E ruaj në kujtesë, sa për shkak të pasojave tragjike që ndodhën atë ditë, aq edhe për shkak të pasojave që rrodhën prej saj më vonë dhe që ranë mbi disa njerëz të pafajshëm.

Pyetje: Çfarë mendoni se ishte ajo ngjarje dhe a mund të parandalohej?

Përgjigje: E thënë me pak fjalë, ajo ishte një artific politik kriminal, e sajuar teorikisht s’dihet saktë se ku dhe e vënë në jetë në Shkodër nga ata që nuk pajtoheshin dhe nuk pajtohen ende me asnjë proces zgjedhor, përveç atyre që i sjellin apo i mbajnë në pushtet. Pra, ngjarja vetë ishte një mjet antidemokratik, djallëzor dhe kriminal për t’iu kundërvënë vullnetit popullor shqiptar në një moment të caktuar historik dhe politik dhe, me marifete prapaskenike, të dhunshme dhe terrorizuese, të veshur me propagandë ndjellëse “demokratike”, të realizonin atë që nuk iu sollën votimet popullore.

Sa i përket parandalimit të saj, unë besoj fort edhe sot se kjo varej tërësisht nga ata që e sajuan dhe e vunë në skenë. Nëse nuk “shkruhej” drama diku dhe nuk sillej për t’u vënë në skenë në teatrin politik shqiptar, sigurisht që ngjarja në fjalë dhe as pasojat e saj nuk do të kishin ndodhur. Ata që e sajuan, së bashku me aktorët e etur për protagonizëm dhe pushtet, nuk kishin planifikuar thjesht një protestë apo demonstrim, pasi të tilla kishte pasur me dhjetëra më herët, por kishin menduar dhe synuar një të tillë që të sillte pasoja si ato që erdhën apo, ka shumë të ngjarë, disa herë më të mëdha. Ajo që ishte vendosur me vullnetin e lirë popullor mund të përmbysej vetëm me akte tragjike, të zhurmshme dhe mashtruese, duke shkaktuar tronditje të gjendjes emocionale popullore nëpërmjet akuzimit të kundërshtarit politik për veprimet që kryen vetë në prapaskenë, duke hedhur gurin dhe fshehur dorën. Atëherë ne nuk i dinim shumë gjëra dhe e konsideruam protestën thjesht si një “zemërim” dhe manipulim rastësor të kategorive të caktuara shoqërore. Ato çfarë kemi mësuar më vonë dhe sjelljet dhe qëndrimet e disa prej protagonistëve të ngjarjes, pas ngjarjes, na qartësojnë mjaft gjëra. Ata të huaj që, shumë kohë pas ngjarjes, shpreheshin nëpër kafenetë e Perëndimit se “Po të mos kishim organizuar ngjarjen e 2 prillit, komunistët nuk do të largoheshin nga pushteti”, dhe ushtarët e tyre vendas që ditën e ngjarjes na pohuan se protestuesit “s’janë tanët, nuk na dëgjojnë prandaj zbatoni ligjin dhe shpërndajini me forcë”, por më vonë e shpallën protestën si “luftë kundër diktaturës” dhe vrasjen e katër protestuesve si akt kriminal i diktaturës, i kryer nga policia në bashkëpunim me pushtetin politik në fuqi, sigurisht që në skenarin e tyre i kishin parashikuar vrasjet, i kishin dëshiruar dhe ishin përpjekur që ato të ndodhnin.

Pyetje: Pra, ju besoni se në ngjarje kishin dorë edhe të huajt dhe politikanë vendas, dhe kush mund të ishin ata?

Përgjigje: Ata të huaj që në vitin 1945 iu dërgonin fjalë kriminelëve të luftës, të fshehur nëpër shpella apo të grumbulluar në Shkodër, që “Merrni Shkodrën sepse ne do të ndërhyjmë për tri ditë”, në vitin 1991 vunë në lëvizje kontigjentin e tyre, të përbërë nga spiunë të shërbimeve të huaja apo thjesht njerëz të etur për pushtet me çdo mjet e mënyrë, të cilët ishin të gatshëm të bënin çka do që besonin se mund t’i sillte në pushtet.

Pyetje: A keni menduar ndonjëherë pse një ngjarje e tillë ndodhi në Shkodër dhe jo diku tjetër?

Përgjigje: Sigurisht që ka disa arsye pse ndodhi në Shkodër. Në 31 mars 1991 Shkodra i kishte të gjitha arsyet për të votuar në shumicë kundër partisë në pushtet, por në datat 1 dhe 2 prill 1991 Shkodra nuk kishte asnjë arsye politike, ligjore, faktike dhe as morale të protestonte kundër zgjedhjeve të para pluraliste. Në Shkodër opozita kishte marrë rreth 70 përqind të votave, çka do të thoshte se në këtë masë do ishte edhe numri i deputetëve të saj që do zinin vend në Parlament. Procesi zgjedhor, ashtu si në gjithë Shqipërinë, kishte kaluar pa asnjë problem. Nuk mund të pranohet nga asnjë mendje normale dhe nga asnjë arsye e shëndoshë, përveç mendjeve djallëzore dhe arsyes së banditëve politikë, që në Shkodër të protestohej pse kishte humbur PD-ja në Fier, Skrapar etj. ndërsa anëtarët dhe simpatizantët e saj në rrethet ku kishin humbur ta kalonin humbjen me qetësi dhe në mënyrë të arsyeshme, pa protesta dhe pa dhunë.

Mirëpo Shkodra ishte zgjedhur nga skenaristët për dy arsye: E para, sepse përqindja e popullsisë që ishte konfliktuar me regjimin e mëparshëm dhe e kishte pësuar prej tij ishte, ndoshta, më e lartë se gjetkë. E dyta, sepse në Shkodër ndodhej kontigjenti më i madh i njerëzve të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, sidomos atyre fqinje. Ky kontigjent ishte i gatshëm të përdorej dhe keqpërdorej në çdo kohë nga padronët e vet.

Pyetje: Pak a shumë, del se organizimin e ngjarjes e kishte bërë PD-ja dhe opozita shqiptare që humbi zgjedhjet në kuadrin e gjithë vendit?

Përgjigje: Kur flasim për PD-në duhet të kemi parasysh se ajo ishte një parti e madhe me dhjetëra mijëra anëtarë dhe, si e tillë, nuk mund të akuzohet për ngjarjen. Madje, as sot, mbi 99 përqind e anëtarëve të PD-së nuk e dinë çfarë ka ndodhur në 2 prill në Shkodër. Ata kanë dëgjuar propagandën dhe mashtrimet e drejtuesve partiakë dhe, me fanatizëm dhe mendjelehtësi i pranojnë ato si të vërteta të pakontestueshme. Ngjarjen e 2 prillit, dhe disa të tjera në vitet e mëvonshme, i kanë vënë në skenë një grup kriminal në kupolën e asaj partie. Këtë nuk e them thjesht unë por e kanë pohuar ata vetë me krenari disa vite më pas. Gjithë sjellja dhe veprimtaria tridhjetëvjeçare e kësaj klike kriminale e dëshmon qartë mentalitetin dhe moralin që kanë.

Pyetje: Ju, vetë si polici, a kishit ndonjë shkak të mbanit qëndrime kundër PD-së në atë kohë?

Përgjigje: Duke filluar nga data 12 dhjetor 1990, PD ishte një parti po aq e ligjshme sa çdo forcë tjetër politike dhe, si e tillë, kishte të njëjtat të drejta në zhvillimin e veprimtarive të saj politike, por kishte edhe të njëjtat detyrime ndaj ligjit dhe rendit si të gjithë qytetarët dhe forcat e tjera politike. Policia as ka pasur dhe as duhet të ketë asnjë paragjykim apo keqqëndrim ndaj individëve apo organizatave të ligjshme, politike ose jo politike. Ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me drejtuesit e PD-së në Shkodër, i kemi pritur në zyrat tona me kafe kur vinin të kërkonin leje për grumbullime apo demonstrime politike. Unë kam pasur thuajse gjysmën e të afëmve, miqve apo shokëve të mi me PD-në. Qënia e tyre me PD-në nuk i bënte ata as më të mirë dhe as më të këqinj. Daja im, së bashku me dy djemtë e tij, i manipuluar si pjesa tjetër e popullsisë, ka marrë pjesë në protestën e paligjshme të 2 prillit. Partia Demokratike, ashtu si partitë e tjera, ka pasur dhe ka njerëz me dinjitet dhe të përgjegjshëm, të cilët janë kundër dhunës, kaosit dhe shkeljes së normave demokratike në kuadrin e pluralizmit politik. Disa prej drejtuesve të seksioneve të saj në Shkodër, ma kanë pohuar qysh në datat 1 dhe 2 prill se “Me këto rrëmuja, partia jonë s’e ka filluar fare mirë…”. Ndërsa në gjyqin tonë, në dhjetor 1992, njëri prej tyre u paraqit si dëshmitar dhe pohoi se “Në mëngjesin e 2 prillit kam vajtur tek selia e PD-së në Shkodër dhe iu kam thënë Pjetër Arbnorit dhe AliSpahisë: Çfarë bëhet kështu? Mos i nxirrni njerëzit në protesta! Kështu e ka demokracia, një herë fiton njëri dhe një herë tjetri. Ata më panë me mospërfillje dhe më thanë të shihja punën time sepse ato punë i dinin ata më mirë”.

Konfrontimi i policisë me PD-në filloi kur drejtuesit e saj u konfrontuan me ligjin, filluan bashkëpunimin me llumin e shoqërisë dhe përdorimin e këtij llumi për destabilizimin e rendit publik, për dhunë dhe akte kriminale. Cila polici në botë nuk iu kundërvihet këtyre akteve? Për çfarë shërben dhe paguhet policia, në fund të fundit, nëse nuk vepron me të gjitha mjetet ligjore për rivendosjen e rendit?

Në datën 13 dhjetor 1990, një ditë pas lejimit të pluralizmit dhe miratimit të krijimit të PD-së, Shkodra u dogj dhe bastis nga lumpeni, nga njerëz që e kishin kaluar një pjesë të jetës së tyre në burgje si vjedhës, grabitës, përdhunues apo vrasës. Ne e konsideruam këtë akt si diçka spontane por, disa vjet më vonë, drejtuesit e PD-së së Shkodrës u mburrën në shtyp për rolin që kishin luajtur në organizimin e saj. Në 3 janar 1991, pas mitingut të ligjshëm që PD organizoi në Sheshin “Isa Boletini”, një grup prej rreth një mijë protestuesish mësynë komisariatin e policisë dhe tentuan të hynin me dhunë brenda tij. Ndërsa në datën 2 prill 1991, thirrjes tonë për ndihmë për largimin e protestuesve nga sheshi, Arbnori dhe Spahia iu përgjigjën duke thënë: Ata s’janë tanët dhe as nuk na binden prandaj ju jeni organet e rendit dhe zbatoni ligjin…”. Pas përfundimit të ngjarjes dolën me deklarata bombastike duke pretenduar se policia i kishte vrarë katër protestues për motive politike, për të goditur opozitën dhe të tjera përralla horro-politike. Ata arritën deri aty sa “zbulimin” e fajtorëve dhe burgosjen e tyre ta vinin si kusht për të marrë pjesë në Parlament dhe, më vonë, si kusht për zgjedhje të parakohshme. Deklaratat dhe sjelljet e tyre e dëshmonin qartë që ata nuk kërkonin zbulimin dhe ndëshkimin e fajtorëve realë por të “fajtorëve” të paracaktuar prej tyre, domethënë të “fajtorëve” të paracaktuar në skenar përpara se të ndodhte ngjarja.

Pyetje: PD-ja erdhi menjëherë në pushtet dhe, me sa dihet deri tani nuk është zbuluar e vërteta rreth ngjarjes.

Përgjigje: E vërteta rreth një ngjarjeje kriminale nuk iu intereson pikërisht atyre që e kanë sajuar dhe që kanë qenë aktorë të saj. Për t’ju treguar rolin në ngjarje dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës, po ju sjell pak fakte domethënës. Kur ndodhte konfrontimi midis policisë së ngarkuar nga ligji me detyrën e rivendosjes së rendit dhe mbrojtjes së institucioneve dhe një grupi protestuesish të dhunshëm dhe të paligjshëm, në spitalin kryesor të qytetit ndodheshin mjeku AliSpahia, më vonë nënkryetar dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, dhe nja dy mjekë të tjerë, aktivistë të asaj partie. Edhe infermieri më i thjeshtë, e jo më mjekët, e di se kur në spital paraqiten viktima apo vdesin njerëz të sjellë aty si të plagosur, të vdekurit vendosen në morg për arsye ekspertimi mjeko-ligjor, si pjesë e proceseve hetimore e gjyqësore. Spahia, dhe jo vetëm, i pritën viktimat në spital dhe nuk i vendosën në morg, por ua dhanë familjarëve duke u bërë pengesë për autopsitë si veprime mjeko-ligjore. Veprimi më domethënës është fakti se viktimën e parë, as e vendosën në morg dhe as ua dhanë të afërmve, por instruktuan disa protestues që shoqëruan viktimën në spital, ta fusnin në një makinë tip “Zuk” dhe ta sillnin në sheshin ku vazhdonte konfrontimi dhe, madje, të tentonin futjen e kufomës në institucionin që ruhej me roje të armatosur dhe që kishte rreth një orë që sulmohej me lëndë djegëse dhe dinamit nga një bërthamë kriminale që vepronte brenda turmës. Nuk do shumë mend për të kuptuar se një veprim i tillë synonte egërsimin e turmës, ashpërsimin e konfliktit dhe, rrjedhimisht, shtimin e pasojave. Gjatë procesit të hetimit dhe, po ashtu, edhe atij të gjykimit, Spahia dhe disa spahinj të tjerë bënë çmos të pengonin pyetjen e protestuesve rreth faktit nëse kishin vajtur vetë apo i kishte organizuar dikush për protestën e paligjshme dhe të dhunshme. Është e çuditshme, por edhe kuptimplotë fakti se drojen dhe pengesën për zbulimin e organizatorëve po i shfaqnin ata eksponentë politikë që, kur po fillonte demonstrimi me nxënës shkollash që parakalonin në rresht dhe me mësues në krye, na pohonin mua dhe shefit të policisë se “protestuesit nuk janë tanët dhe s’kanë asnjë lidhje me ne”. E vërteta është se zbulimi i organizatorëve të protestave të dhunshme, të paligjshme dhe me pasoja tragjike, si ajo e 2 prillit, çon në zbulimin e qëllimeve dhe, pastaj, në zbulimin e mjeteve për arritjen e qëllimit.

Kur ish-shefi i policisë, Dilaver Papare ndodhej i burgosur në burgun e Sarandës, një i dënuar ordiner nga veriu i pohon atij në mirëbesim se kishte dijeni për dy persona që kishin marrë pjesë në protestë, duke qenë të armatosur, dhe kishin qëlluar me armë kundër protestuesve. Meqenëse i dha edhe emrat e dy personave, Papare njoftoi drejtuesit e burgut dhe kërkoi të bënte kallëzim në prokurori.

Në vend që të fillonte një hetim, ku të pyeteshin me hollësi Papare dhe, sidomos, personi që kishte rrëfyer fakte domethënës që mund të çonin tek ekzekutorët, autoritetet shtetërore i izoluan në qeli Paparen dhe personin tjetër dhe, këtë të fundit, e transferuan shpejt në një burg larg Sarandës. Shtetit nuk i interesonte asnjë version tjetër i ngjarjes përveç gënjeshtrave me të cilat ua kishte paraqitur atë shqiptarëve.

Pyetje: Pak a shumë dihet versioni që dha PD rreth ngjarjes dhe pasojave. Si qëndron e vërteta e atij versioni kur ne, ende sot nuk dimë të vërtetën për ngjarjen?

Përgjigje: Një orë pas ngjarjes kupola e PD-së përcaktoi fajtorët, motivet dhe mekanizmin e krimit, pra i bëri hetimet dhe gjykimet e të gjitha shkallëve. Sigurisht që ishte një trillim dhe mashtrim i pastër por, me sa duket, ishte pjesë e skenarit të ngjarjes. Sipas saj, protestuesit po demonstronin kundër manipulimit të zgjedhjeve, protestuesit kishin qenë paqësorë, por ndërhyrja e policisë i kishte bërë agresivë dhe i kishte pajisur me gurë, shishe molotov dhe çanta me dinamit për rrëzimin e diktaturës. Versioni vazhdonte me fabulën se vrasjet i kishte bërë policia me qëllim dhe me urdhër nga lart etj. etj. Ata kërkonin urgjentisht arrestimin e drejtuesve të policisë dhe paralizimin e jetës politike derisa “të dënoheshin fajtorët”.

Pyetje: Si duket, ata po e shpallnin protestën legjitime dhe si luftë kundër diktaturës?

Përgjigje: Përralla e luftës kundër diktaturës vazhdon edhe sot të tregohet prej tyre. Në prill 1991 në Shqipëri nuk ekzistonte diktatura, ashtu si nuk ekzistonte as shteti demokratik, i cili nuk është as sot në nivelin e duhur. Diktatura pushoi së ekzistuari, de jure, në 12 dhjetor 1990, ditën kur shteti i kohës miratoi krijimin e PD-së, pasi vetë “diktatori” Alia i kishte këshilluar studentët dhe pedagogët protestues që “Për të mirën e Shqipërisë dhe demokracisë duhet të krijoni një parti politike”. Pra PD-ja ishte rezultat i lejimit të pluralizmit dhe jo sjellësja e pluralizmit, siç i kanë mashtruar shqiptarët prej disa dekadave. Shkrimtari, deputeti dhe ministri i PD-së, z. Preç Zogaj, protagonist i ngjarjeve të dhjetorit 1990, e thotë qartë në një libër të tij se “Ajo që mendohej si një epope e përgjakur për ndryshime ka zgjatur katër ditë dhe është kurorëzuar pa asnjë viktimë”.

Nga ana tjetër, kur Partia Demokratike ishte në pushtet, miratoi Ligjin Nr. 10242 datë 25.02.2010, në nenin 3 të të cilit thuhet se “Periudha e komunizmit është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29.11.1944 deri në 8 dhjetor 1990”. Tani, të gjithë ata që morën pjesë në protestat e paligjshme dhe të dhunshme pas kësaj date, me pretendimin se po luftonin kundër komunizmit dhe për demokraci, duhet ta lexojnë këtë ligj dhe të kuptojnë se kanë luftuar me mullinjtë e erës dhe thjesht për pushtetin e një bande politike.

Siç e kam pohuar edhe më lart, përrallën dhe mashtrimin e PD-së për manipulimin e zgjedhjeve e rrëzojnë lehtësisht faktet e brendshme dhe vlerësimet e gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë. Asnjë fakt nuk është paraqitur për manipulim apo falsifikim rezultatesh. Po të donte ta bënte këtë, pushteti i kohës do të kishte ndryshuar rezultatin e votimeve në zonën ku drejtuesi i partisë dhe i shtetit, Ramiz Alia humbi përballë një inxhinieri të panjohur të opozitës. Fatmirësisht, dhe fatkeqësisht zgjedhjet e përgjithshme politike pluraliste të 31 marsit 1991 kanë mbetur deri sot më të mirat dhe më të pranueshmet, sidomos nga bashkësia ndërkombëtare. Madje, edhe vetë PD i pranoi ato, megjithëse paraqiti disa vërejtje.

Kryetarja e Delegacionit dhe Nënkryetare e KE, Marsel Cornett u shpreh pas zgjedhjeve: “Unë isha në Shkodër dhe, me ato çka vërejtëm, mund të them se zgjedhjet u zhvilluan normalisht”. Kryetari i Delegacionit të parlamentarëve gjermanë, z. UlrichIrmer pohoi se “Në radhë të parë mendojmë se zgjedhjet nuk janë manipuluar. Ne mendojmë se zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të barabarta”. Një vëzhgues nga Anglia, ndoshta e teproi kur tha në TVSH se: “Do të dëshironim që edhe në Angli të bëheshin zgjedhje kaq të lira”. Shkrimtarja dhe studiuesja angleze Miranda Vickers konkludon se “Vëzhguesit e pavarur perëndimorë ishin të një mendimi se zgjedhjet (e 31 marsit 1991) përgjithësisht kishin qenë të rregullta”.

Zgjedhjet e 31 marsit 1991 i shpallin dhe i propagandojnë si të manipuluara vetëm autorët e zgjedhjeve të dhunuara të gushtit 1996 dhe atyre të falsifikuara të 2009 dhe 2011.

Pyetje: Megjithëse e vërteta nuk u zbulua, ju dhe kolegët tuaj u arrestuat dhe u dënuat me afate të gjata burgimi.

Përgjigje: Pavarësisht lehjeve të gjithfarëllojshme, deri më sot e vërteta e asaj ngjarjeje, flas për të vërtetën e provuar juridikisht, nuk është zbuluar ende. Ekspertimet balistike dhe ekspertimet e tjera nuk kanë arritur kurrë në përfundimin e gjetjes së ekzekutorëve dhe i kanë përjashtuar shkencërisht armët e policisë si mjete vrasëse. Arrestimi im dhe i të tjerëve u bë nën presione politike dhe me urdhrat e drejtuesve shtetërorë.

Ata që ju i quani kolegët e mi, në të vërtetë, kanë qenë eprorët e mi dhe unë, edhe sot, ndihem me fat që kam pasur si eprorë disa burra të mirarsimuar, me nga dy diploma universitare, jo nga ato të “Kristalit”, me dinjitet të lartë qytetar, të pakorruptuar me asgjë të keqe, punëtorë të palodhur dhe familjarë shembullorë.

Shefi i policisë, Dilaver Papare ishte një drejtues serioz, i qetë, i zgjuar dhe jashtëzakonisht tolerant. Vesi më i keq i tij ishte pirja e duhanit. Drejtuesi i Komisariatit, Çapajev Taçi ishte një njeri serioz, shumë punëtor, i pakomprometuar me allishverishe, sidomos nga ato që sot i gjen aty-këtu. Ndërsa ish-zëvendësministri i Brendshëm, Aredin Shyti ishte modeli më i mirë i oficerit të policisë. I diplomuar për drejtësi si dhe në Akademinë e Rendit, ai kishte mbi supe 25 vjet eksperiencë të një pune dinjitoze, mjaft cilësore, i papërlyer me asgjë të keqe, i papajtueshëm me asnjë shkelje ligji, guximtar për ta mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën deri në konfrontim edhe me ndonjë nga hierarkët më të lartë të sistemit komunist.

Në vitet ’80 z. Shyti ishte shembulli më i mirë për t’u ndjekur nga të gjithë ata oficerë të rinj policie që kishin vendosur të jetonin me nder si qytetarë, me dinjitet si zyrtarë dhe me përkushtim ndaj detyrave të vështira dhe të rrezikshme të policisë. Shyti ishte dhe mbeti një intelektual i plotësuar, studiues i pasionuar, mjaft i kulturuar, një njeri me të cilin mund të diskutosh për drejtësinë, historinë, letërsinë, filozofinë etj., dhe jo vetëm të diskutosh por edhe të mësosh prej tij. Ishte dhe mbetet modeli i intelektualit, praninë e të cilit në kabinete qeveritare duhej ta konsideronte si nder cilado qeverisje. Imagjinoni tani se çfarë i bënë njërit nga kuadrot më të vlefshëm të policisë shqiptare të të gjitha kohërave: Me urdhër të ish-Presidentit Sali Berisha e arrestuan një ditë përpara zgjedhjeve lokale të 26 korrikut 1992, me synimin e mashtrimit të elektoratit duke përforcuar propagandën mashtruese politike që thoshte se vrasjet në 2 prill i kishte bërë policia dhe, madje, me urdhër nga lart. Krijohej kështu iluzioni se, ja përgjegjësia po shkon gjithnjë e më lart në zinxhirin komandues, ashtu siç iu kemi treguar ne.

Dhe, për çfarë e akuzuan dhe e dënuan? Sepse në datën 1 prill 1991 iu kishte dërguar të gjitha Komisariateve të Policisë një radiogram ku thuhej se “Kundër veprimeve të dhunshme dhe të paligjshme duhet të zbatoni ligjin me vendosmëri”. Këtë ia konsideruan krim dhe, ndoshta është i vetmi zyrtar në botë që akuzohej dhe dënohej pse kërkonte zbatimin e ligjit. Edhe ky arrestim i paligjshëm nuk i bëri punë Berishës pasi në votimet lokale që u bënë të nesërmen humbi mbi 20 % të elektoratit që kishte pasur katër muaj më herët.

Me gjithë mungesën absolute të provave, ne na nxorën në gjyq dhe na dënuan. Përveç kësaj, llumin që dikur e kishin yshtur për dhunë, bastisje apo zjarrvënie të dyqaneve, librarive, bibliotekave dhe institucioneve, duke e konfrontuar kështu fizikisht me policinë, tani na e nxorën në TV për të na bërë “biografitë” tona dhe, madje, në bashkëpunim me disa ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit, edhe duke përcaktuar fajësinë tonë. Këtë llum e sollën edhe në sallat e gjyqit duke e lejuar të na fyente, të ngrihej nga vendi pa leje, të rrëmbente mikrofonët e vendosur në sallë për të na bërë pretencën dhe, madje, duke tentuar të godiste me këpucë ish-drejtuesit e policisë.

Në njërën nga seancat gjyqësore z. Shyti iu drejtua kryetarit të trupit gjykues, duke i kërkuar: “Z. gjyqtar! Këtu na keni thirrur ju, dhe ju duhet të mbroni dinjitetin tim sepse e kam vënë me shumë mundim!”. Mirëpo, dinjitetin e çmojnë vetëm ata që e kanë dhe jo veglat kriminale të politikës në sistemin pseudoligjor. Të jetosh me dinjitet është mjaft e vështirë dhe kërkon formim, karakter, moral, idealizëm dhe sakrifica të pafundme. Ne ndodheshim përballë një shteti që i mungonin të gjitha karakteristikat e lartpërmendura, ose përballë një shteti të cilin shtypi anglez i marsit 1997 e etiketoi si “regjim gangsterësh”.

Pyetje: Kush ishin ata që ju dënuan dhe si i argumentuan dënimet tuaja?

Përgjigje:Nuk kanë shumë rëndësi emrat, por gjyqtari i shkallës së parë ishte një vegël kriminale e Sali Berishës, një tropojan me emrin Qazim Gjonaj, të cilin, para dy muajve, për shërbimet ndaj partisë, ndonëse mbi 70 vjeç, në kuadrin e rinovimit të saj PD e ftoi në strukturat e saj elektorale, por u detyrua të tërhiqej pas protestës së një ish-të burgosuri politik të viteve ’80, të dënuar nga ky shërbëtor i të gjitha pushteteve. Pas dorëheqjes së trupit gjykues të Gjykatës së Apelit Shkodër, u caktua një trup tjetër gjykues i kryesuar nga një ish-spiun i S. SH. Shteti nuk na dënoi sepse kishte diçka, të vjetër apo të re, kundër nesh personalisht. Shteti do të dënonte cilindo që mund të ishte në vendin tonë pasi i interesonte që propagandës së vet politike mashtruese t’i jepte karakter juridik nëpërmjet çfarëdo vendimi që të tingëllonte bindës për opinionin e mashtruar.

Shteti e dinte shumë mirë që ne ishim të pafajshëm por nuk guxonte t’i thoshte popullit se e kishte mashtruar rreth ngjarjes dhe autorëve. Në korrik 1992 Prokurori i Përgjithshëm, i caktuar nga Sali Berisha i kishte treguar këtij të fundit se “Nuk ka asnjë provë për të fajësuar ata që ndodhen të arrestuar. Ata janë të pafajshëm prandaj duhet t’i nxjerrim jashtë dhe të gjejmë fajtorët realë”. Prokurori kishte ndeshur në kundërshtimin e drejtuesit të shtetit. Në tetor 1992 avokati i familjeve të viktimave të 2 prillit, i caktuar nga Sali Berisha, i kishte pohuar këtij të fundit se “Me provat që janë, gjyqi nuk mund të zhvillohet”.

Megjithëse i dinte këto, Kryetari i Shtetit, jo vetëm urdhëroi të bëhej gjyqi, por urdhëroi edhe ndryshimin e akuzës nga “shpërdorim detyre” në “vrasje”. Në datën 11.11.1992 neve na u komunikua vendimi i Grupit të Hetimit për pushimin e akuzës për krimin e vrasjes sepse “Nuk ka asnjë provë që të lidhë veprimet apo mosveprimet e të pandehurve me pasojat e vrasjes”. Tri ditë më vonë na u dha akuza e “Vrasjes me dashje indirekte”, e firmosur nga A. Qeleshi, po ai që e kishte pushuar një javë më parë. Çfarë kishte ndodhur? Berisha kishte thirrur në zyrë veglat e tij kriminale Alush Dragoshin dhe Prelë Martinin dhe i kishte urdhëruar të na akuzonin dhe dërgonin në gjyq për vrasje. Gjyqtari Gjonaj, i cili në 3 qershor 1992 kishte vendosur kthimin e çështjes hetuesisë “Për të zbuluar vrasësit sepse ndryshe të pandehurit nuk mund të gjykohen”, pesë muaj më pas, megjithëse vrasësit nuk ishin zbuluar, pranon gjykimin e çështjes dhe vendos dënimin me rreth 80 vjet burg të pesë njerëzve të pafajshëm. Kryetari i Shtetit arrin edhe më larg. Përpara vajtjes së dosjes në gjykatë pret në zyrë përfaqësuesit e familjeve të viktimave dhe, pasi iu tregon akuzën me të cilën do të gjykoheshim ne, arrin deri atje sa t’iu pohojë se “Fajin kryesor jua ka Gjek Celaj”. Një fakt të tillë e pohuan familjarët në sallën e gjyqit. Kuptohet qartë që hetues, prokuror dhe gjykatës suprem ishte vetëm një njeri me emrin S. Berisha. Faktet e mësipërme nuk janë pjellë e fantazisë time por janë pohime me shkrim dhe me zë të njerëzve më të afërt të Sali Berishës, dhe të ruajtura nga unë deri sot.

Pyetje: Duket sikur Berisha ishte i paskrupullt dhe i papërgjegjshëm në postet që mbante?

Përgjigje: Politika shqiptare ka shumë njerëz të padenjë, majtas dhe djathtas, por kur vjen puna tek Sali Berisha nuk mund të diskutohet nëse kemi të bëjmë me një politikan të aftë apo të paaftë, të ditur apo injorant, të ndershëm apo të pandershëm. Në rastin e tij kemi të bëjmë thjesht me një bandit politik, i cili, në sajë të intelektit, arsimimit dhe mungesës tërësore të skrupujve moralë, ia ka arritur që, të paktën tek një e treta e popullsisë të krijojë bindjen e një luftëtari të lirisë, komandantit të luftës kundër komunizmit dhe sjellësit të demokracisë. Disa për shkak të mendjelehtësisë apo zbrazëtisë mendore, të tjerë për shkak të pasioneve njerëzore të shkaktuara nga persekutimi i mëparshëm dhe disa të tjerë për shkak të interesave meskine dhe përfitimeve kryesisht të paligjshme që kanë siguruar, nuk kanë arritur të kuptojnë apo nuk duan të pohojnë se pas fasadës zhurmëmadhe të “luftës për demokraci” të S. Berishës ndodhet thjesht dhe vetëm etja e tij për pushtet dhe pasurim familjar. Megjithatë, ai mbetet kryesisht idhulli i pjesës më të pakultivuar të popullit shqiptar.

Sali Berishën e lidhin me demokracinë dhe drejtësinë po aq gjëra sa lidhin ujkun me punën e bariut. Qysh kur çështje kaq të mëdha dhe jetike si demokracia u bënë çështje dhe “profesion” i njerëzve të rrugës, u krijua ambienti dhe kushtet kur “demokrat” të vetëshpallet dhe etiketohet cilido sharlatan, horr apo gangster që mban dy gishtat lart dhe thërret “Liri- Demokraci!”. Mirëpo, ajo që sot konsiderohet si demokraci në botën perëndimore ka disa parime dhe rregulla dhe qenia ose jo e dikujt demokrat nuk përcaktohet nga fjalët dhe parullat që përsërit pa pushim por matet me faktin se sa sjelljet dhe veprimet e tij përputhen me parimet demokratike.

Nuk mund të jesh demokrat kur parimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme e zëvendëson me manipulimin apo dhunimin e tyre, siç ka bërë shumë herë personazhi i lartpërmendur. Nuk përputhet me konceptin e pluralizmit politik burgosja e kryetarit të opozitës politike, të shpallur pastaj si “i burgosur politik” nga institucionet ndërkombëtare. Po ashtu, rrahja e deputetëve opozitarë dhe vrasja e protestuesve të pafajshëm dhe kërcënimet për të marrë rolin e “snajperit të pestë” kur të protestohet herë tjetër, nuk kanë asgjë të përbashkët me qenien demokrat. Të shpallësh se je “dashnor i fjalës së lirë” dhe, nga ana tjetër, të rrahësh e burgosësh gazetarë dhe të djegësh redaksi gazetash, duke u shpallur kështu “armik i shtypit të lirë” nga institucionet ndërkombëtare të shtypit, nuk përputhen me njëra-tjetrën. Ndërsa parimi i marrjes së pushtetit në këtë sistem politik njeh vetëm rrugën e zgjedhjeve të lira, sulmi mbi institucione dhe marrja e pushtetit me dhunë (shtator 1998) ta heqin në mënyrë të pakthyeshme maskën e demokratit. Thirrja në zyrë e prokurorëve e gjyqtarëve dhe urdhërimet për dënimin e njerëzve të pafajshëm nuk përputhet askund me parimin demokratik të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit juridik. Të organizosh forca ushtarake dhe paraushtarake nga veriu i Shqipërisë për të shtypur protestat e jugut të vendit dhe të aktivizosh artilerinë, aviacionin dhe përdorimin e LHL kundër popullsisë civile, jo vetëm nuk ke asnjë lidhje me demokracinë por, madje, as me kombin dhe popullin. Në fund të fundit, për të gjykuar mbi motivet dhe qëllimet e “betejave” të Berishës dhe të tjerëve, duhet të shikojmë sot raportet e familjeve të tyre milionere me gjendjen ekonomike në zgrip të popullsisë shqiptare. Nuk mund të kesh synime idealiste e humanitare në shërbim të popullit kur, në fund të betejës ti bëhesh milioner dhe populli mbetet i varfër. Nuk mund të jesh i krishterë i vërtetë kur i shkel të dhjetë Urdhërimet e Biblës dhe as musliman i denjë kur nuk i zbaton në jetë porositë e Kuranit. Pavarësisht çfarë thonë borizanët e lavdive të rreme dhe luftëtarët e kuletave, Sali Berisha do të mbetet në histori si një aksident politik, një artificializëm i pasuksesshëm dhe i rremë i transvestizmit politik dhe moral.

Pyetje: Ju keni botuar një libër për 2 prillin dhe jeni prononcuar shpesh rreth kësaj ngjarjeje, megjithatë ka mbetur ende ndonjë individ që nuk beson në pafajësinë tuaj.

Përgjigje: I nderuar zotëri! Botimi i librit dhe prononcimet e mija nuk kanë asnjë lidhje me fajësinë apo pafajësinë. Fajësia apo pafajësia janë prerogativa të sistemit gjyqësor të pavarur dhe mua nuk mund të më bëjnë fajtor as gangsterët politikë me larot e tyre në drejtësi, as pijanecët e pazarit dhe as barinjtë që ndodheshin duke kullotur tufat e bagëtive kur ka ndodhur ngjarja dhe më vonë hiqen si dijetarë të gjithçkaje. Njeriu është moralisht dhe juridikisht fajtor vetëm kur shkel normat e Kodit Moral të shoqërisë dhe ligjet e shtetit. Fatmirësisht, unë nuk i kam shkelur asnjërin prej tyre dhe në këtë aspekt jam i qetë dhe në paqe me veten time. Unë kam shkruar dhe shkruaj për të bërë të njohur të vërtetën e ngjarjes dhe pas ngjarjes dhe për të treguar fytyrën e vërtetë të sajuesve, manipuluesve dhe keqpërdoruesve të saj. Pra, siç thoshte At ZefPllumbi, “Rrno për me tregue, dhe “për me kallxue” ka pasur, ka dhe do të ketë vend gjithmonë. Unë nuk shkruaj dhe nuk prononcohem as për budallenjtë dhe as për maskarenjtë. Për kategorinë e parë kam parasysh thënien e Shilerit se “Përballë budallallëkut janë të pafuqishme edhe Perënditë”, ndërsa për kategorinë e dytë mbaj parasysh këshillën e Biblës: “Mos ua hidh derrave gurët e çmuar”.

Ata që janë të interesuar për fajësinë apo pafajësinë tonë mund të lexojnë vendimet e gjykatave të të tri shkallëve, të cilat, të ndodhura para mungesës absolute të çdo prove kundër nesh, ndonëse zbatuan urdhrin presidencial për dënimin tonë, u detyruan të pohojnë se “Të akuzuarit as kanë vrarë dhe as kanë dëshiruar ardhjen e pasojave por i lejuan ato të vinin…”. Ndërsa avokati i familjeve të viktimave, i ndjeri N. Bezhani pohonte në vitin 1998 se “Pesë të dënuarit për ngjarjen e 2 prillit nuk kishin kurrfarë lidhjeje me krimin”. Militantët kokëbosh dhe kokëndezur partiakë, krahas versionit të kryetarit dhe ish-kryetarit të partisë, nuk bëjnë keq të lexojnë edhe pohimin e ish-nënkryetarit të PD-së, z. Neritan Ceka i cili në vitin 1997 thoshte se “Nuk ka asnjë dyshim që dy prilli dhe të tëra vrasjet politike të ndodhura gjatë kohëve të fundit… janë vepra direkte të provokatorëve të Sali Berishës”. Njeriu ka gjithmonë kohë për t’u kthjelluar. Të ecësh tridhjetë vjet me këmbët e tua dhe me mendjen e Sali Berishës është diçka e tepërt dhe vetëposhtëruese.

Pyetje: Edhe pse e vërteta e 2 prillit ka mbetur enigmë dhe, madje, ka ndodhur një ngjarje e ngjashme në 21 janar 2011, PD vazhdon ende ta keqpërdorë atë, apo jo?

Përgjigje: Incidenti kriminal i 2 prillit 1991 ishte sajuar si mjet njëpërdorimsh, ashtu si pjatat prej letre, por njerëzit që e kanë ngritur karrierën politike mbi krimin besojnë se mund të përdoret sa herë kanë nevojë. A e keni parë një Balash, të cilit ia lëpin lopa flokët çdo mëngjes para se të dalë nga shtëpia, i cili ka disa vjet rresht që vete në Shkodër në 2 prill dhe jep leksione mbi demokracinë dhe “luftën kundër diktaturës” dhe përcakton fajësinë e asaj ngjarjeje? Gjithkush e di për kë e kam fjalën, për atë karagjozin që na gajasi kohët e fundit me pohimin e tij se kishte menduar të rrëzonte komunizmin qysh kur ishte dhjetë vjeç. Ky është pikërisht personi që, në ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011 në Tiranë ishte, jo vetëm Ministër i Brendshëm por edhe drejtues në vend i forcave të sigurimit të institucionit, të cilave më vonë iu vërtetua fajësia në ekzekutimin e protestuesve paqësorë. Duhet të jesh plotësisht i zhveshur nga skrupujt moralë dhe nga çdo përgjegjësi qytetare e politike të guxosh të bësh ato që bën ai, pasi në Shkodër paraqitet me maskën e humanistit dhe shpëtimtarit, ndërkohë që në Tiranë ka barrën e mëkatarit dhe përgjegjësisë së pasojave të 21 janarit.

Pyetje: Si i shini ju të dy ngjarjet dhe ngjashmëritë midis tyre?

Përgjigje: Duket sikur një dorë e mbinatyrshme ka ndërhyrë që, fatkeqësisht, të ndodhte ngjarja e 21 janarit 2011, kur në pushtet dhe në vendngjarje ndodheshin protagonistët e mashtrimit dhe keqpërdorimit të 2 prillit. Ngjarja e ndodhur dhe ato që pasuan më vonë ishin një mësim për të gjithë kopukët e këtij vendi, sepse iu tregonte atyre dhe gjithë popullit se kush ishin dhe cilët janë në fakt provokatorët dhe mashtruesit rreth ngjarjes së 2 prillit 1991, se këta janë jo vetëm vrasës, por edhe manipulues, fshehës të provave (filmimeve të godinës qeveritare) dhe tipa që për fajet e veta akuzojnë të tjerët (vetë protestuesit). Tipari më i rëndësishëm i përbashkët i dy ngjarjeve tragjike është vrasja e tetë protestuesve të pafajshëm (nga katër në secilën). Nuk ka gjykatë të ndershme dhe të pavarur në botë që mund t’i klasifikojë si të ligjshme asnjërën nga vrasjet. Ndërsa dallimi më i rëndësishëm midis tyre është fakti se, ndërsa autorësia e pasojave të 21 janarit është provuar ligjërisht, ajo e 2 prillit nuk u provua asnjëherë.

Menaxhues i të dyja proceseve gjyqësore ka qenë i njëjti njeri, me emrin Sali Berisha. Ndërsa viktimat e 2 prillit shteti i kohës i shpalli dëshmorë pas tri javësh, viktimat e 21 janarit u shpallën “kokëpalarë” pas tri ditësh nga qeverisësit. Ndërsa dy ditë pas ngjarjes së 2 prillit drejtuesit e MPB na e bënë të qartë se “Nga aq sa dimë deri tani, vrasjet janë të paligjshme, por i takon drejtësisë të zbardhë të vërtetën”, Kryeministri i vitit 2011, një orë pas ngjarjes i shpalli vrasjet si të kryera nga vetë protestuesit e pajisur me thika me helm dhe çadra-pistoletë, ndërsa më vonë e deri sot pretendojnë se “kemi zbatuar vetëm ligjin dhe personat janë vrarë brenda perimetrit…”.

Drejtuesit e forcave të policisë në ngjarjen e 2 prillit 1991, megjithëse s’u vërtetua kurrë autorësia e policisë në pasojat e ardhura, u dënuan me nga 15 vjet burg, ndërsa drejtuesi në vendngjarje i forcave të Gardës, Lulzim Basha, fajësia e të cilave u provua në ngjarjen e 21 janarit 2011, jo vetëm nuk u pyet në hetuesi dhe as gjykatë, por u shpall “yll në ngjitje”, u bë kryetar partie dhe pretendon të bëhet Kryeministër i Shqipërisë. Ndërsa kryetarin rajonal të partisë në pushtet, Xhemal Dymylen, institucioni i të cilit u sulmua në 2 prill, e dënuan me 16 vjet burg, Kryetari i gjithë partisë në pushtet dhe Kryeministër i vendit, godina e të cilit u rrethua në 21 janar, jo vetëm s’u pyet dhe as u dënua, por vazhdoi të ishte kryetar qeverie dhe sot mëton të ribëhet Kryeministër në hije. Ndërsa Zëvendësministri i Brendshëm i vitit 1991, z. Aredin Shyti ndodhej mbi 100 kilometër larg vendngjarjes së 2 prillit, u dënua me 17 vjet burg, Ministri i Brendshëm në ngjarjen e 21 janarit, Lulzim Basha, i cili ndodhej 20 metra lart (vertikalisht-në tarracë) forcave të Gardës, duke i komanduar ato, jep ende leksione për drejtësinë, demokracinë dhe moralin. Ky është standardi dhe këto janë kriteret e peshores morale dhe juridike të Sali Berishës.

Pyetje: Kohët e fundit ka botuar një libër ish-Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme të asaj kohe, z.Qemal Lame. Aty flet edhe për 2 prillin. A e keni lexuar ende librin?

Përgjigje: Librin nuk e kam lexuar por kam lexuar disa pjesë që ka botuar shtypi. Bindja ime është se oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit duhet të jenë, figurativisht, në rolin e zagarit që nuhat, ndjek dhe kap gjahun, domethënë fajtorin në një krim, dhe jo në rolin e qenit të tërbuar që leh pa pushim dhe pa shkak.

Ashtu si Sali Berisha, dhe jo pak të tjerë, Q. Lame i përket kategorisë së “komunistëve” të cilët, kur e panë se anija e tyre po fundosej dhe ajo kapitaliste priste në radë për ankorim, vrapuan të vetëshpallen luftëtarë të shquar kundër atyre që kishin drejtuar anijen që po mbytej. Këtë kategori njerëzish të paskrupullt, ish-Presidenti çek VaclavHavel, një ish i dënuar politik i sistemit komunist, i konsideronte si njerëzit më të ligj të shoqërisë. I konsideronte të tillë pasi i shihte se ata ishin njerëz pa ideale, pa karakter, por me interesa vetjake të larta e të shumta, që nuk lanë mjet e rrugë pa përdorur për t’u shitur tjetër nga ç’kishin qenë dhe për të marrë pamjen e disidentit ndaj sistemit në ikje dhe të shpëtimtarit të vendit e të popullit. Kultivuesit vullnetarë të komunizmit po shiteshin si varrmihës të tij, megjithëse sistemi politik kishte pësuar “vdekje natyrale”. Do të ishte fatkeq cilido që, qoftë edhe rastësisht, mund të ndodhej në rrugën ku ata vraponin me zhurmën e bajlozit në gojë dhe me shpatën e Don Kishotit në dorë.

Qemal Lame ka shkruar në gazetën RD qysh në korrik 1991, por nuk ka shkruar si jurist dhe as si “zagar” por si politikan dhe si “qen i tërbuar”. Për këtë arsye, i pata kërkuar gjykatës që ai dhe 4-5 laro të tjerë të thirreshin në gjyq si dëshmitarë në mënyrë që të provonin deklarimet e tyre. Synoja thjesht dhe vetëm t’i demaskoja për mashtrimet dhe trillimet e tyre. Asnjëri prej tyre nuk u pa në gjyq.

Qemal Lame, ish-prokuror ushtarak dhe Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme për një dekadë, madje edhe anëtar i KQ të PPSH-së, si atëherë edhe tani e paraqet veten e tij si një disident që, për dhjetë vjet rresht vetëm kundërshtonte udhëheqjen më të lartë të shtetit, deri tek E. Hoxha; si një superman që kishte shpëtuar nga burgu Ismail Kadarenë, gjeneralët e ushtrisë, “pesë mijë të arrestuar në ngjarjen e ambasadave” (vini re: pesë mijë ka qenë krejt numri i atyre që hynë në ambasada); që urdhëronte MPB (!) të mos përdoreshin armët kur u rrëzua shtatorja e Hoxhës (sikur ky kishte në varësi këtë ministri) dhe harron se në një libër të mëparshëm ka shkruar se rrinte në korridor si një nëpunës i rëndomtë në pritje që të takonte ministrin Hekuran Isai, kur ai të dilte nga zyra e zëvendësministrit Aredin Shyti; se ishte i pari shqiptar që kishte kërkuar lejimin e pluralizmit politik; se e kishin akuzuar si tradhtar dhe sabotator, se donin ta arrestonin dhe ta vrisnin në tre raste, por s’kishin mundur etj. etj. dhe se, me gjithë këto s’i ndodhi asgjë e, madje, kërkoi edhe dorëheqjen por shteti monist nuk ia pranoi. Këto flasin shumë për personalitetin e tij dhe mungesën e dinjitetit. Po të ishin të vërteta pohimet e tij, na rezulton që ai sistem dhe udhëheqja e tij ishin njëqind herë më tolerantë se drejtuesit politikë të pas 1990 të cilët i kanë përjashtuar dhe vazhdojnë ende sot t’i largojnë figurat politikë për një kundërshtim të vogël.

Lidhur me ngjarjen e 2 prillit 1991 Lame bën tellallin politik duke folur për urdhra nga lart për përdorimin e armëve nga policia, akuzon ish-Presidentin e ish-Kryeministrin e kohës “që kanë urdhëruar policinë të qëllojë mbi demonstruesit”, se ishte ai që propozoi shpalljen dëshmorë të viktimave të ngjarjes etj. Mirëpo, megjithëse pretendon se mban katër diploma të shkollave të larta, inteligjenca e tradhton dhe bën vetëvrasje duke pohuar se “gjithë veprimtarinë time e kordinoja me Partinë Demokratike”. Nga ky moment ai tregohet i sinqertë dhe na bën me dije se nuk sillej dhe as vepronte i udhëhequr nga ligjet e shtetit dhe dëshira për drejtësi, por udhëhiqej nga interesat politike të një grupi politik, pikërisht atij që kishte sajuar dhe organizuar ngjarjen, dhe synonte përkrahjen e versionit politik dhe jo zbulimin e së vërtetës. Për juristët e mirëfilltë, trajtimi dhe lehjet e Lames për ngjarjen e 2 prillit 1991 janë një lajthitje juridike dhe një mjerim i madh moral. Ai nuk ka zënë mend as sot, mbas kaq vitesh, kur kanë ndodhur kaq shumë ngjarje dhe sidomos ngjarja e 21 janarit 2011, që tregojnë fytyrën e vërtetë të atyre me të cilët ai “koordinohej”. Lame mbetet thjesht një mitoman dhe njeri i paskrupullt që i bën me turp edhe ata që pretendon se i ka shpëtuar nga burgu se paskëshin qenë desidentë të diktaturës. Ndiej keqardhje për të që, me gjithë shërbimet politike kundër së vërtetës, që i bëri Berishës, meqë s’e ftuan në asnjë post të dëshiruar prej tij pas 1992, ai u largua nga vendi në shtator 1992, kur kishte fituar “demokracia”, por atij ende “i rrezikohej” jeta”. Mjerimin e tij edhe si gënjeshtar edhe si atdhetar mund ta gjej kushdo në faqen e Presidencës së Republikës tek dekretet për marrje dhe lënie shtetësie. Qemali e ka lënë, marrë dhe përsëri lënë shtetësinë shqiptare sa askush tjetër.

 

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arben: 03/04/2024 02:23

    Mendoj se ngjarja e 2 Prillit 91 ne Shkoder, ishte nje produkt aksidental, i nxitur nga njerez karrieriste te paskrupullt (b/p te ish PPSH),luftetare klanesh qe i njohnin shum mire metodat e funksionokit te berrylave te pushtetit, dhe e dirigjuar me shume kujdes nga R.Alija. Ka patur mungese pervoje edhe deri vone,me menaxhimin e turmave te nxitura nga fije te "pa dukshme", por megjithese nuk kam prova,por keto fije mendoj se nuk kishin te benin me agjentura te huaja,siç mundohen disa ta paraqesin,sipas mendimit tim politikisht.Degjohen edhe tani ben ze propaganda te tilla kunder vendeve demokratike. Me tragjike ishte denimi i drejtuesve te policise dhe servirja politikisht sikur ata kishin faj ne ngjarjen e 2 prillit,nderkohe qe situata ishte shume me teper se nje menaxhim tubimi policor ne kushte normale. Fakti qe nuk ju eshte bere autopsia viktimave tregon se ajo ngjarje me ose pa dashje eshte mbuluar, dhe kjo jo nga policia nwf eshte e vertete ajo qe thote i mrekullueshmi Gjeke Çela, pasi qe ne kohen e gjyqit ne 92 e cila jepej direkt ne radio fitoi mjaft simpati me argumenta e fakte te besueshme,por per mafien dhe diktatoret nuk ka rendesi mirqenia,vusjtja dhe pasoja ndaj qytetareve,por pushteti dhe paraja.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?