Në Komisionin e Ekonomisë janë zhvilluar 7 seanca dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Anastas Angjeli pasi nuk kandidoi për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, është vetë-ofruar për këtë pozicion ku mori mbështetjen edhe të opozitës gjatë prezantimit të objektivave në komision.
“Synimi kryesor i ndryshimit të ligjeve është rritja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë. Duhet të mbetet në qendër të vëmendjes inflacioni sepse mund të dalë situata jashtë kontrollit tek inflacionit. Banka e Shqipërisë të ketë vigjilencë tek kriptomonedhat pasi preket edhe sistemi financiar dhe të mos e ketë në dorë AMF”, tha Angjeli.
“Vend të tilla në Bankën e Shqipërisë janë për individë të tillë që kanë eksperiencë të jashtëzakonshme. Angjeli është kandidaturë ekselence”, tha Spaho.
Kandidatja tjetër Natasha Ahmetaj, aktualisht anëtare e këtij këshilli, u vlerësua nga anëtarët e komisionit për shkak të eksperiencës së saj.
“Politika monetare do të jetë lehtësuese në afatmesëm, por intensiteti i të qenurit lehtësuese do të ndryshoj varësisht nga rezultatet e inflacionit”, tha Ahmetaj.
Pika ku u bashkuan kandidatët ishte edukimi financiar.
“Banka e Shqipërisë duhet të rrisë sa më shumë edukimin financiar të shtresave”, tha kandidati Bledi Sema.
“Kemi 60 vjet që përdorim lekë i vjetër-lekë i ri dhe nuk e kemi zgjidhur. Dhe është element i kulturës financiare”, tha kandidati Anastas Angjeli.
“Një nga produktet e sistemit bankar është e-banking, dhe një njohje sa më e mirë që në gjimnaz e produkteve bankare do të ishte shumë mirë”, kandidati Emis Çerava.
Në total janë 17 kandidatë për të 2 vende në këshillin mbikëqyrës, mes të cilëve është edhe ish-deputetja e PS Senida Mesi. Vakancat në këshill vijnë për shkak të përfundimit të mandatit 7 vjeçar të anëtarëve Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, të zgjedhur në këtë detyrë në dhjetor të vitit 2014.
Kandidatët vinin nga fusha të ndryshme, një prej tyre është edhe Rezarta Bitri, me profesion juriste dhe më herët ka qenë anëtare e KQZ.
“Instrumenti bazë më domethënës është ligji. Një vendimmarrje e nuk do të jetë e duhura nëse si busull nuk ka ligjin”, tha Bitri në Komisionin e Ekonomisë.
Kandidati tjetër Emis Çerava vjen nga drejtësia pasi është Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndjekur nga Artur Mamadhaj, që ka qenë Drejtor i Departamentit të Auditit pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Mamadhaj në komision foli për tregun informal dhe problemet me kredidhënien.
“Sot në Shqipëri tregu informal është rreth 2.5 miliardë euro dhe deformon totalisht ekonominë, çmimet, paratë deformon koston e parasë. Duhet punuar për deeuroizimi. Kudo Euro, euro, por në fakt duhet leku”, tha Mamadhaj në Komision.
Seancë dëgjimore kishin edhe dy kandidatët e tjerë Blendi Sema që vjen nga fusha e mikrokredisë dhe Onorina Jata nga sistemi bankar dhe ish punonjëse e CEZ.
“Ekspertiza e mikrofinancës ka munguar deri më tani në Bankën e Shqipërisë, dhe do të shtyj për të bërë një ligj pasi mikrofinanca sot licencohet pa ligj por me akte nënligjore. Banka të mos jetë në rolin e vëzhguesit dhe konfirmuesit të politikave shtetërore, pasi është përgjegjëse për stabilitetin financiar”, tha në Komisionin e Ekonomisë kandidati Sema.
Po ashtu prezantoi kandidaturën e saj edhe Diana Dervishi që aktualisht është Sekretare e Përgjithshme e Autoritetit të Konkurrencës.
Ndër pikat kryesore ku u fokusuan prezantimet e kandidatëve ishin përdorimi dhe monitorimi i kriptomonedhave, përmirësimi i cilësisë së kredidhënies, ndryshimi i kuadrit ligjor i Bankës së Shqipërisë, rritja e transparencës dhe deeuroizimi.
Kandidatët e tjerë që do kenë seancë ditën e nesërme janë Marta Muço
Indrit Banka, Elvin Meka, Mateo Spaho, Durim Kraja, Diana Dervishi, Altin Hoti, Manuela Tandini.
Pas përfundimit të seancave dëgjimore, deputetët do të votojnë kandidatët dhe do i dërgojnë për votim në Kuvend.