2 vjet nga shembja e Teatrit Kombëtar! Basha: Plagë e hapur! Meta: Artistët u tradhtuan nga opozita! Kryemadhi: Bashkëpunim Luli-Edi&Co! Reagon Veliaj: Ju dënoi gjykata për shpifje

17 Maj 2022, 09:28| Përditesimi: 18 Maj 2022, 09:34

  • Share

TIRANË- Sot, më 17 Maj, bëhen dy vite nga shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në orët e para të mëngjesit, fadromat e IMT-së të shoqëruar nga forca të shumta të policisë nxorën nga godina disa aktorë të cilët protestonin kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, dhe rrafshuan godinën.

Në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar kanë ardhur edhe reagimet e politikanëve. Lulzim Basha, ish-kryetar i PD-së, thotë shembja e Teatrit mbtetet një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Nga ana tjetër presidenti Ilir Meta ka hedhur akuza ndaj Bashës, duke thënë se tradhëtoi artistët dhe kauzën e tyre. Sipas Metës ende sot mbetet pa përgjegjës për shkelje ligjore dhe kushtetuese.

Po ashtu ka reaguar edhe Veliaj i cili tha se ato që bëjnë sikur “kujtohen” për Teatrin, janë po ata që dje akuzonin për ndërtime kullash edhe në projekte të tjera të mëdha, por sot janë shpifës me vendim gjykate.

Këshilli i Ministrave përmes një vendimi ia kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës trualin ku ndodhej Teatri Kombëtar dhe më pas Këshilli Bashkiak vendosi për shembjen e tij, ku pritet që të ndërtohet një Teatër i ri.

Por rritja e kostove në sektorin e ndërtimit ka çuar në vonesa për fillimin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën për fillimin e Javëve Ndërkombëtare të Kulturës, ku theksoi se tërmeti, pandemia dhe së fundmi lufta në Ukrainë, kanë ndikuar në këtë rritje të çmimeve. Rama tha se Teatri Kombëtar do të ndërtohet siç është projektuar, duke shtuar se jo të gjitha planet mund të zbatohen në afatet e përcaktuara kur në mes futen faktorë të tjerë.

Pas tri vitesh përplasje Teatri Kombëtar u shemb në orët e para të 17 majit 2020. Rreth orës 04:30, dhjetëra forca policie rrethuan godinën e zbrazën për t'iu lënë më pas vendin fadromave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit që nisën rrafshimin e të dyja godinave, atij Eksperimental dhe Kombëtar, ligjërisht një kompleks. Grupi i artistëve të Teatrit Kombëtar së bashku me disa politikanë u shoqëruan për disa orë në komisariat, por më pas u liruan.

Ora 12:45
2 vjet nga shembja e Teatrit Kombëtar! Veliaj: Ata që gjoja ‘u kujtuan’, janë të njëjtët që janë dënuar për shpifje nga Gjykata

Nga Ndroqi, ku sot u përurua lagjja e re e Programit të Rindërtimit, nga e cila përfitojnë 74 familje, Kryebashkiaku Erion Veliaj i ktheu përgjigje opozitës edhe për projektin e Teatrit të ri Kombëtar. Veliaj tha se ata që bëjnë sikur “kujtohen” për Teatrin, janë po ata që dje akuzonin për ndërtime kullash edhe në projekte të tjera të mëdha, por sot janë shpifës me vendim gjykate.

“Unë e di se sa herë që ka projekte, ka gjithmonë zëra që i fryjnë politikës e mundohen t’i përdorin njerëzit si mish për top. E kam parë këtë kudo! Sot po lexoja statuset e këtyre që tani u kujtuan për teatrin, me demek thonë do bëhen kulla. Janë të njëjtët njerëz që humbën gjyqin për shpifje edhe për shkollën “Sami Frashëri”, ku thanë do bëhen kulla; edhe për këndin e lodrave, ku thanë se do bëhen kulla; edhe për Pazarin e Ri, kur thanë se do bëhen kulla; edhe për Kalanë, e për të gjitha ato hapësira që sot janë bërë hapësira të jashtëzakonshme, që ia kanë shtuar vlerën pronës,” u shpreh Veliaj.

Ora 11:06
2 vite nga shembja e Teatrit, Kryemadhi: Ishte bashkëpunim Luli-Edi&Co për t’i lënë vendin betonit të korrupsionit qeveritar

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar për shembjen e Teatrit 2 vite më parë, ku akuzon për bashkëpunim kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryedemokratin Lulzim Basha.

"Teatri Kombëtar u shemb në 17 Maj 2020 nga bashkëpunimi Luli-Edi&Co për t’i lënë vendin betonit të korrupsionit qeveritar.

Unë jam e bindur se ai teatër nuk do të ishte shembur kurrë dhe reagimi i qytetarëve të Tiranës, që u shprehën pa ngjyrime politike, do të kishte triumfuar, nëse do të ishin bërë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë, publik, civil. Kjo do të kishte krijuar një mburojë të pathyeshme për TK. Shumë prej këtyre më sipër, e humbën moralin, teksa nga kalorës të betejës fisnike për teatrin kombëtar, u kthyen në lypës shpresues për ndonjë metër katror në kullat e mëdha, apo ndonjë leje ndërtimi në bashkinë Tiranë.

Në këtë ditë, le të shërbejë imazhi i shembjes së Teatrit Kombëtar, për të fiksuar në mendje se oferta e autokracisë Rama është përparësia e korrupsionit dhe interesave klienteliste mbi interesin qytetar. Dhe, se vendi ka nevojë për institucione publike me integritet, ashtu siç ka nevojë për drejtësi dhe opozitë të vërtetë, në mënyrë që betoni i korrupsionit dhe qytetet e boshatisura të mos jenë e ardhmja jonë e vetme", tha Kryemadhi.

 

Ora 09:39
2 vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, Tabaku: Kanë lënë varr të hapur në mes të Tiranës! Dhunuan qytetarët për mbrojtjen e korrupsionit

1652773275_tt.JPG

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar për shembjen e Teatrit Kombëtar 2 vite më parë duke thënë se nuk e kanë harruar. Sipas saj, kanë lënë varr të hapur në mes të Tiranës dhe shton se qytetarët do kërkojnë drejtësi për Ramën dhe Veliajn.

“Nuk harrojmë! E shembën godinën historike të Teatrit Kombëtar për planet e tyre me kulla. Dhunuan qindra qytetarë për të mbrojtur korrupsionin e tyre.

Kanë lënë një varr të hapur në mes të Tiranës në të cilin ka mbirë bari korrupsionit! Ne nuk e harrojmë 17 majin 2020! Turpi bie mbi ata që e shëmbën ndërsa qytetarët do kërkojnë drejtësi për Ramën dhe Veliaj!” – shkruan Tabaku.

Ora 09:37
Në dy vjetorin e shembjes së Teatrit Kombëtar, Meta akuza Bashës: Artistët u tradhtuan nga lidershipi opozitar

1652460418_konferenca9mars.jpg

Në dy vjetorin e shembjes së Teatrit Kombëtar, presidenti Ilir Meta thotë se artistët jonkonformistë, gazetarët e pavarur, intelektualët dhe qytetarët e shumtë, u tradhëtuan pabesisht nga lidershipi opozitar. Ndër të tjera Meta e cilëson shembejne Teatrit Kombëtar si akt kriminal që ende sot mbetet pa përgjegjës për shkelje ligjore dhe kushtetuese.

‘Si sot, dy vite më parë, nëpërmjet një akti kriminal në mes të errësirës dhe në kulmin e pandemisë, u shemb barbarisht në zemër të kryeqytetit, godina historike e Teatrit Kombëtar.

Mirënjohje për të gjithë artistët jonkonformistë, gazetarët e pavarur, intelektualët dhe qytetarët e shumtë, të cilët edhe pse të tradhëtuar pabesisht nga lidershipi opozitar, u shndërruan në simbole frymëzuese të rezistencës ndaj arbitraritetit, korrupsionit dhe dhunës shtetërore, duke zgjuar ndërgjegjen shoqërore për rrezikun që kërcënon trashëgiminë kulturore kombëtare.

Akti kriminal që ende sot mbetet pa përgjegjës për shkeljet ligjore dhe kushtetuese, për shkeljen e Konventave Ndërkombëtare ku vendi aderon, si dhe për falsifikimet e zyrtarëve në të gjitha nivelet, tregon se sa e pavarur është drejtësia shqiptare që për dy vite jo vetëm nuk ka shpallur një fajtor, por as ka dhënë një përgjigje mbi arsyet e emergjencës të shembjes barbare të Teatrit Kombëtar.’- shkruan Meta.

Ora 09:04
Dy vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, Basha: Mbetet plagë e hapur në zemër të Tiranës! Drejtësia të shkojë deri në fund, të dalin para përgjegjësisë ata që sulmuan kulturën

Ish kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar për Teatrin Kombëtar që u shemb dy vite më parë, duke thënë se mbetet një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Me anë të një shkrimi në Facebook, Basha sulmon qeverinë duke thënë se e shembën pa asnjë arsye. Sipas tij, sheshi është vijë ndarëse mes atyre që duan Shqipërinë demokratike dhe pjesës tjetër që shkatërron një nga institucionet më të shtrenjta të kombit.

“Prej dy vitesh teatri është një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Një plagë që sëmbon prej mosarsyeve që e shkaktuan atë dhe që janë të njëjtat me ato që e kanë mbajtur peng vendin këto 9 vite: arroganca, korrupsioni, klientelizmi, paratë e krimit dhe armiqësia e verbër ndaj trashëgimisë kulturore.

Sot ai shesh, i zhveshur dhunshëm nga historia e tij, është një tjetër vijë ndarëse midis qytetarëve që duan një Shqipëri demokratike dhe një pakice që shkatërron, plaçkit, uzurpon një nga institucionet më të shenjta të kombit”, shkruan Basha.

Shembja e Teatrit Kombëtar solli një sërë protestash dhe përplasje mes policisë dhe aktivistëve për mbrojtjen e Teatrit, në krah të të cilëve doli edhe opozita. Për këtë Basha thotë se opozita nuk u pajtua me marrëzinë e regjimit që dialogun e kryen me fadroma dhe përmend vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ndërtimit të teatrit të ri dhe shfuqizimin e vendimin për kalimin e pronësisë nga Ministria e Kulturës drejt Bashkisë Tiranë. Basha kërkon që drejtësia të shkojë deri në fund dhe të dalë para përgjegjësisë kushdo që sulmoi kulturën.

“Mirënjohje të thellë për artistët, qytetarët dhe qëndrestarët që nuk u pajtuan kurrë me marrëzinë e një regjimi që dialogun e kryen me fadroma dhe dhunë shtetërore. Gjykata Kushtetuese provoi se beteja në mbrojtje të Teatrit Kombëtar ishte e drejtë dhe tani është koha që drejtësia të shkojë deri në fund, duke nxjerrë përpara përgjegjësive ata që barbarisht sulmuan kulturën, qytetarinë dhe trashëgiminë tonë të përbashkët. #atykuishteatysiçishte”, shkruan Basha.

 

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 18/05/2022 01:25

    Lerini fjalet e teperta e ndertoheni Teatrin se dy vjet jane shume,mjaft me!

    Përgjigju
  • dion: 17/05/2022 10:17

    O sa per te qeshur.... Keta qe e bene PD rangalle si STALLA e ish teatrit kombetare po e qajne.... Lul brava je i vetmi nuk ke goje te flasesh se ke vjedhur, ke vrare dhe akoma nuk ke mare ndeshimin e duhur. Teatri i ri do behet me i madh se stadjumi, yll fare si cdo gje e bukur qe eshte bere.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?