Ekonomi

20 mijë qytetarë e biznese shtynë dhe ristrukturuan kreditë, BSH për Report TV: Masat lehtësuese frenuan rritjen e kredisë së keqe

15 Maj 2021, 12:51| Përditesimi: 15 Maj 2021, 13:19

  • Share

Për shkak të goditjes së ekonomisë nga pandemia, mbi 20 mijë individë dhe biznese të regjistruar si kredimarrës, përfituan nga masat lehtësuese të miratuara nga Banka e Shqipërisë për shtyrje dhe ristrukturim të kësteve të kredisë.

Banka e Shqipërisë thotë për Report Tv se masat lehtësuese përfunduan në mars të këtij viti, ku përfituan 6400 biznese huamarrësve dhe rreth 14 mijë qytetar.

“Zgjidhjet më të zakonshme të etapës së parë janë ato të shtyrjes së afatit të maturimit të kredisë duke ruajtur të njëjtën formë pagese; rishpërndarje të kësteve të prapambetura për periudhën deri në maturim pa shtyrje afati; pagesë të menjëhershme të shumës së papaguar pa ndryshuar këstet në vijim ose pagesë të pjesshme të shumës së papaguar dhe rishpërndarje në këste të pjesës tjetër”, thuhet në përgjigjen e bankës.

Ndërsa në fazën e dytë që i përkiste ristrukturim të kredisë, zgjidhjet kanë qenë më individuale thotë banka dhe janë përshtatur me aftësinë paguese të qytetarëve dhe bizneseve që kanë kërkuar lehtësim të kushteve të pagesës së detyrimeve të tyre.

Madje këto masa sipas Bankës së Shqipërisë kanë frenuar edhe rritjen e kredive me probleme deri më tani.

“Këto masa kanë dhënë ndikim të ndjeshëm për bankat në administrimin e kësaj situate dhe të kredive me probleme. Në fund të muajit mars 2021 treguesi i kredive me problem arriti vlerën e 7,96%, në rënie krahasuar me vitin 2020. Këto masa kanë ndihmuar huamarrësit të tejkalojnë vështirësitë e përkohshme dhe t’i rikthehen pagesave të tyre të detyrimeve duke reflektuar edhe në ecurinë e kredive me problem”, thuhet në përgjigjen e bankës qendrore.  

Këto masa i dhanë mundësi bankave që të bënin një marrëveshje me klientët e tyre për zgjatjen e afatit për pagesën e kredisë për ata kredimarrës që kishin vështirësi me likuiditetin dhe e kanë të pamundur shlyerjen në kohë të kësteve të kredisë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?