20 mln euro kredi nga Gjermania për konviktet, synohet ngrohja nga eficenca e energjisë! Konviktet do ndahen në 3 kategori, 2 studentë në dhomë nëse paguan më shumë

24 Janar 2022, 17:22| Përditesimi: 24 Janar 2022, 17:34

  • Share

Komisionet parlamentare kanë shqyrtuar dhe miratuar marrjen e një huaje nga Banka Gjermane për Zhvillim, në vlerën e 20 milionë eurove për rehabilitimin me eficencë energjetike të 19 konvikteve studentore në qytet studenti në Tiranë.

“Kjo marrëveshje huaje është faza e katërt e financimit të programit për rehabilitimin me eficencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike dhe krahas këtij financimi me kredi, programi mbështetet edhe me grante në shumën 15 milionë euro, prej të cilave 9.43 milionë euro janë në përdorim. Qëllimi i këtij financimi me kredi i akordohet granteve të miratuara deri më tani është të kontribuojë rehabilitimin energjetik të 19 konvikteve në total dhe në ndërtimin e 3 konvikteve të tjera”, tha në Komisionin e Edukimit, Kesjana Halili nga Drejtoria e Borxhit në Ministrinë e Financave.

“Kjo kredi është vazhdim i granteve të akorduara më parë prej 4.5 mln euro, 2 mln euro dhe 2.9 milionë euro, të titulluar Faza 1, Faza 2, Faza 3. Në total buxheti i alokuar për rehabilitimin e konvikteve në qytet Studenti numër 1 në Tiranë, tek Rruga e Elbasanit, është 34.2 milionë euro. Ky buxhet do të shërbej për rehabilitimin e 19 godinave dhe ndërtimin e 3 godinave të reja në termat që ne kemi diskutuar me 0 performancë në konsumin e energjisë që do të thotë që edhe sistemet do të jenë më inovative në implementimin e këtyre 3 godinave të reja. Do të ketë ndërhyrje duke filluar nga ndërhyrja në dritare për eficencë më të lartë, do të ketë termoizolim të fazatave, sistemin e kondicionimit, sistemet hidrosanitare si dhe sistemet energjetike. Do të ketë një menaxhim energjie të përgjithshëm dhe qendror, ku për 5 godinat e para do të jetë individual ndërsa për ndërtesat e tjera kur të rehabilitohen do të jetë qendror i vendosur pranë administratës së Qytet Studentit e cila do të ketë një menaxhim të përgjithshëm dhe në konsumin e energjisë”, tha në komision Ardian Islami nga Ministria e Infrastrukturës.

Nga 3 fazat e para ku janë investuar grantet prej 9.43 milionë eurosh të marra nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe nga Fondi për investimet në Ballkanin Perëndimor, është bërë studimi për 5 godina.

“Aktualisht për fazat e kaluara, konsulenti ka përfunduar punën për 5 godinat e para duke përfunduar projektin teknik dhe ministria ka finalizuar tenderin për përcaktimin e kontraktorit që do të kryej punimet në këto tre godina të para”, tha Islami.

Pas nisjes së këtij projekti godinat në qytet studenti do të përshtaten në 3 kategori, dhe do të kenë çmime të ndryshme për studentët.

“Godinat do të kenë ndryshime strukturore në akomodimin e studentëve. Në termat e referencës është kategorizuar që do të ketë 3 ndarje. Kategoria e parë që do të akomodojë 6 deri në 8 studentë që do të ndajnë një mini kuzhinë dhe do të kenë një tualet. Do të jetë kategoria e dytë deri në 4 studentë e cila do të ketë një mini kuzhinë dhe një tualet. Ndërkohë do të ketë një kategori të parë që do të akomodojë studentët të cilët kanë një nivel ekonomik më të lartë dhe mund të jetë akomodim preferencial dhe akomodimi në këtë kategori të parë do të jetë me 2 studentë që do të kenë një mini kuzhinë dhe do të kenë një tualet”, tha në komision Ardian Islami.

Pa nisur ende diskutimet, deputetët e opozitës në Komisionin e Edukimit, u larguan nga salla për shkak se nuk kishte përfaqësues politikë të qeverisë në seancë, dhe sipas tyre nuk kishin informacion sesi janë përdorur paratë për 3 fazat e para të këtij projekti.

“Ne jemi këtu për të pasur përballë vendimmarrësit politik dhe për ti pyetur, ku janë paratë që kemi dhënë deri më tani? Ne kemi kaluar 3 faza marrëveshjesh këtu dhe studentët nuk janë ngrohur, sepse gjithë ideja është nëse shkojnë këto para aty tek ngrohja e studentëve, apo shkojnë në xhepat e vendimmarrëse apo kanalizohen diku tjetër”, tha në komisionin e Edukimit deputetja e PD-së Ina Zhupa.

“Në 2017 ka qenë projekti i 5 godinave dhe këto godina nuk janë përfunduar ende. Nuk ka përfunduar faza e dytë dhe ne vijmë këtu kalojmë qorrazi fazën e 4, po me fazën e 3 çfarë u bë, për çfarë janë harxhuar paratë? Si mund të ngre dorën unë kur nuk e di si janë përdorur paratë”, tha deputeti i PD-së, Luciano Boçi.

Marrëveshja ka për qëllim ngrohjen e konvikteve, ndërsa nga ana tjetër synim është edhe kursimi i energjisë elektrike dhe rritjen e eficencës së saj nëpër konvikte. Nëpërmjet këtij investimi studentëve u sigurohen kushte jetese të përshtatshme dhe kosto të arsyeshme akomodimi në godinat e konvikteve.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Loni: 25/01/2022 07:02

    Qindra miliona euro ketu e 30 vjet per keto dreq konvikte dhe akoma nuk u mbushen keta maskarenj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?