Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump

Bota

20 pikat e planit të SHBA-së për Gazën: Brenda 72 orëve nga pranimi i marrëveshjes pengjet do të lirohen

29 Shtator, 21:38| Përditesimi: 29 Shtator, 21:41

  • Share

Presidenti Donald Trump ka prezantuar një plan me 20 pika për t’i dhënë fund konfliktit në Rripin e Gazës. Qëllimi i deklaruar është krijimi i një Gazëje “të deradikalizuar dhe të lirë nga terrorizmi”, e cila nuk përbën më një kërcënim për vendet fqinje, përmes një procesi të demilitarizimit dhe rindërtimit në dobi të popullsisë lokale.

1. Gaza do të jetë një zonë e deradikalizuar dhe e lirë nga terrorizmi, që nuk do të përbëjë kërcënim për fqinjët e saj.

2. Gaza do të rindërtohet në dobi të popullsisë së Gazës, e cila ka vuajtur shumë.

3. Nëse të dy palët pranojnë këtë propozim, lufta do të përfundojë menjëherë. Forcat izraelite do të tërhiqen deri në vijën e dakorduar për t’u përgatitur për lirimin e pengjeve. Gjatë kësaj periudhe, të gjitha operacionet ushtarake, përfshirë bombardimet ajrore dhe artilerinë, do të pezullohen dhe vijat e betejës do të mbeten të ngrira deri në përmbushjen e kushteve për tërheqjen e plotë dhe graduale.

4. Brenda 72 orëve nga pranimi publik i këtij marrëveshjeje nga Izraeli, të gjitha pengjet, të gjallë dhe të vdekur, do të kthehen.

5. Pasi të lirohen të gjitha pengjet, Izraeli do të lirojë 250 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1,700 qytetarë të Gazës të arrestuar pas 7 tetorit 2023, përfshirë të gjitha gratë dhe fëmijët e arrestuar në atë kontekst. Për çdo peng izraelit të cilit do t’i kthehen mbetjet, Izraeli do të kthejë mbetjet e 15 qytetarëve të Gazës të vdekur.

6. Pasi të kthehen të gjitha pengjet, anëtarët e Hamasit që do të angazhohen për bashkëjetesë paqësore dhe dorëzimin e armëve do të marrin amnisti. Anëtarët e Hamasit që duan të largohen nga Gaza do të kenë një kalim të sigurt drejt vendeve që janë të gatshme t’i pranojnë.

7. Me pranimin e kësaj marrëveshjeje, ndihmat do të hyjnë menjëherë në Rripin e Gazës. Këto ndihma do të jenë të paktën të njëjta me ato të përcaktuara në marrëveshjen e 19 janarit 2025, duke përfshirë rindërtimin e infrastrukturës (ujë, energji, kanalizime), spitaleve dhe furrave, si dhe hyrjen e pajisjeve të nevojshme për pastrimin e rrënojave dhe hapjen e rrugëve.

8. Distribuimi dhe hyrja e ndihmave në Gazë do të bëhet pa ndërhyrje nga të dy palët, përmes Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të saj, Gjysmëhënës së Kuqe dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare jo të lidhura me asnjërën palë. Hyrja e pikës kufitare të Rafah-it në të dy drejtimet do të ndjekë të njëjtin mekanizëm si në marrëveshjen e 19 janarit 2025.

9. Gaza do të qeveriset nga një administratë e përkohshme e përbërë nga një komitet teknokratik dhe apolitik palestinez, përgjegjës për menaxhimin e shërbimeve publike dhe komunale. Ky komitet do të përbëhet nga palestinezë të kualifikuar dhe ekspertë ndërkombëtarë, me mbikëqyrjen e një organi ndërkombëtar tranzitor, “Board of Peace”, i kryesuar nga presidenti Donald J. Trump, me anëtarë dhe krerë shtetesh të tjerë që do të shpallen, përfshirë ish-kryeministrin Tony Blair. Ky organ do të përcaktojë kornizën dhe do të menaxhojë financimet për rindërtimin e Gazës deri sa Autoriteti Palestinez të ketë përfunduar programin e vet të reformave dhe të mund të rimarrë kontrollin në mënyrë të sigurt dhe efektive.

10. Do të hartohet një plan zhvillimi ekonomik për rindërtimin dhe rilindjen e Gazës, duke thirrur një grup ekspertësh që kanë kontribuar në ndërtimin e qyteteve moderne model në Lindjen e Mesme. Shumë propozime investimi dhe ide zhvillimi nga grupe ndërkombëtare do të merren parasysh për të integruar kornizat e sigurisë dhe qeverisjes, për të tërhequr investime që krijojnë punë, mundësi dhe shpresë për të ardhmen e Gazës.

11. Do të krijohet një zonë ekonomike speciale me tarifa preferenciale dhe kushte hyrjeje që do të negociohen me vendet pjesëmarrëse.

12. Askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza: kushdo që dëshiron të largohet, do të jetë i lirë ta bëjë dhe të kthehet. Do të inkurajohet që të qëndrojnë, duke u ofruar mundësinë për të ndërtuar një Gaza më të mirë.

13. Hamas dhe fraksionet e tjera pranojnë të mos kenë asnjë rol në qeverisjen e Gazës, as direkt dhe as indirekt. Të gjitha strukturat ushtarake, terroriste dhe sulmuese, përfshirë tunelët dhe impiantet e prodhimit të armëve, do të shkatërrohen dhe nuk do të rindërtohen. Gaza do të i nënshtrohet një procesi demilitarizimi nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të pavarur, duke përfshirë çaktivizimin e përhershëm të armëve përmes një procesi të dakorduar të çarmatimit, mbështetur nga një program ndërkombëtar blerjeje dhe reintegrimi, të verifikuar nga vëzhguesit e pavarur. “Gaza e Re” do të angazhohet plotësisht në ndërtimin e një ekonomie të begatë dhe bashkëjetesë paqësore me fqinjët.

14. Do të sigurohet një garanci nga partnerë rajonalë që Hamas dhe fraksionet e tjera të përmbushin detyrimet e tyre dhe që Gaza e Re të mos përbëjë kërcënim për fqinjët apo popullsinë e saj.

15. SHBA-të do të bashkëpunojnë me partnerë arabë dhe ndërkombëtarë për të zhvilluar një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF) të përkohshme që do të vendoset menjëherë në Gaza. ISF do të trajnojë dhe mbështesë forcat policore palestineze të zgjedhura, duke u konsultuar me Jordaninë dhe Egjiptin. Kjo forcë do të jetë zgjidhja afatgjatë për sigurinë e brendshme. ISF do të bashkëpunojë me Izraelin dhe Egjiptin për sigurinë e zonave kufitare, së bashku me forcat e reja policore palestineze të trajnuara. Do të jetë thelbësore të pengohet hyrja e armëve në Gaza dhe të lehtësohet fluksi i sigurt i mallrave për rindërtimin dhe rilindjen e Gazës. Palët do të bien dakord për një mekanizëm de-konflikti.

16. Izraeli nuk do të pushtojë as aneksojë Gazën. Ndërsa ISF vendos kontrollin dhe stabilitetin, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të tërhiqen sipas standardeve, objektivave dhe afateve të lidhura me demilitarizimin, të dakorduara midis IDF, ISF, garantëve dhe SHBA-ve, me qëllim një Gaza të sigurt që nuk përbën më kërcënim për Izraelin, Egjiptin apo qytetarët e tyre. Praktikisht, IDF do t’i dorëzojë territorin e pushtuar Gazës tek ISF sipas marrëveshjes me autoritetin tranzitor, deri në tërheqjen e plotë, përveç një perimetri sigurie që do të mbetet deri sa Gaza të jetë e mbrojtur nga kërcënimet e reja terroriste.

17. Në rast se Hamas vonon ose refuzon këtë propozim, procesi i mësipërm, përfshirë operacionin e ndihmave në shkallë të gjerë, do të vazhdojë në zonat e çliruara nga terrorizmi të dorëzuara nga IDF tek ISF.

18. Do të nisë një proces dialogu ndërfetare bazuar në vlerat e tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore për të ndryshuar mentalitetet dhe narrativat e palestinezëve dhe izraelitëve, duke nxjerrë në pah përfitimet e paqes.

19. Ndërsa rindërtimi i Gazës përparon dhe programi i reformës së Autoritetit Palestinez zbatohet me besnikëri, mund të krijohen kushtet për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe Shtetit palestinez, që përfaqëson aspiratën e popullit palestinez.

20. SHBA-të do të nisin një dialog mes Izraelit dhe palestinezëve për të rënë dakord mbi një horizont politik për bashkëjetesë paqësore dhe të begatë.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?