Ata kërcejnë, këndojnë, aktrojnë ose i bien instrumenteve. Janë të gjithë të talentuar dhe artistë të së ardhmes, që me shkëlqimin e tyre sollën një mbrëmje të veçantë. Edicioni i tretë i “We are all made of stars” pas përfundimit të rrugëtimit në kërkim të talenteve në shtatë qytete të Shqipërisë ka përzgjedhur më të mirët.
“Nuk do të kemi vetëm interpretime individuale, por do të kemi një orkestër rinore, do të kemi trupë baleti rinore, soprano. Do të kemi muzikë të lehtë, do të kemi vallen popullore. Është vërtet një festival multidimensional.”, - thotë drejtuesja artistike e aktivitetit, Adela Muçollari për "Report TV".
Ndryshe nga dy edicionet e para, festivali këtë vit ndau edhe trofe për më të mirët e çdo kategorie, si dhe vlerësime edhe për pedagogët.
“Kemi sot 200 të rinj, të cilët do të startojnë karrierën e tyre në këtë skenë. Për herë të parë do të ketë edhe çmime, trofe të personalizuara për të rinjtë Ta shikojnë përjetë atë yllin që shkëlqen në atë dhomën e tyre dhe të kuptojnë që ëndrrat nuk duhen ndaluar dhe gjithmonë duhet kërkuar për më shumë.”, - vijon Muçollari.
Ajo që vihet re në këtë edicion është pjesëmarrja e lartë, me 2300 të rinj nga Fieri, Vlora, Shkodra, Durrësi, Tirana, Elbasani dhe Korça.
Komente
